I dënuar me burgim përjetë për vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamaj, Gjykata e Strasburgut prish vendimin ndaj Arben Frrokut: Duhet të rigjykohet

6 Shkurt 2025, 21:36 / AKTUALITET ALFA PRESS

I dënuar me burgim përjetë për vrasjen e ish-komisarit

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg vlerëson se procesi gjyqësor ndaj Arben Frrokut ka përmbajtur shkelje të të drejtave të tij dhe, si i tillë, duhet të rigjykohet, të paktën nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Mbrojtja e z. Frroku, përfaqësuar nga avokati Tonin Prendi, paraqiti një ankim në Strasburg për disa shkelje në çështjen Frroku. Më 14 janar të këtij viti, Gjykata dha verdiktin e saj.

Dispozitivi që pranon ankimin obligon Gjykatën Kushtetuese shqiptare të rigjykojë çështjen. Përveç arsyetimit të përmbajtur në pikën 22, ku urdhërohet gjyqësori shqiptar të shqyrtojë edhe një herë tërësinë e problemeve ligjore të ngritura nga mbrojtja, ky vendim përbën një dështim të gjykatave shqiptare në sigurimin e drejtësisë në rastin Frroku.

Dënimi i Arben Frrokut është konsideruar i padrejtë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke e bërë rihapjen e çështjes një mundësi objektive për zgjidhjen përfundimtare të saj.

Ngjarja e ndodhur 12 vite më parë
Arben Frroku akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt 2013. Më 29 qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.

Më herët, në prill të po atij viti, pesë gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e shpallën të pafajshëm Frrokun, duke e konsideruar të manipuluar dëshminë e të mbrojturit të drejtësisë.

Në qershor 2015, vetëm dy ditë para vendimit të Apelit, Frroku u arratis nëpërmjet Malit të Zi. Fillimisht u ndalua nga policia malazeze në kufirin me Kroacinë për arsye verifikimi, por më pas u la i lirë.

Më 6 mars 2016, ai u arrestua në Holandë, ku qëndronte i fshehur me një pasaportë greke të falsifikuar, me identitetin e Renato Tsepa. Fillimisht u ndalua për falsifikim dokumentesh, por pas verifikimeve rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.

Frroku kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik.

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128