I dënuar për trafikimin e 631 kg kokainë me Çekajn, Lushaj studion për ‘agro-biznes’ nga qelia në Peqin! Pedagogia: Leksionet online

30 Maj 2023, 18:10 / AKTUALITET ALFA PRESS

I dënuar për trafikimin e 631 kg kokainë me Çekajn, Lushaj

Donald Lushaj pret të diplomohet në korrik të këtij viti në degën menaxhim agrobiznes pavarësisht dënimit me 10 vjet e 8 muaj burg për trafik kokaine. Nga qelitë e Peqinit ai ndjek leksionet online ndërsa përfundimi i studimeve ka mbetur peng i një përgjigje nga drejtoria e burgjeve për praktikën profesionale.

Akuzat për trafik kokaine nuk e kanë penguar 30-vjeçarin Donaldo Lushaj të ndjekë universitetin nga qelia e burgut të Peqinit ku madje pret të diplomohet në korrik të këtijviti. Pas arrestimit në shkurt 2018, për trafikimin e 613 kg kokaine në Portin e Durrësit, 30-vjeçari ka zgjedhur t’i vijojë studimet e larta edhe në kushtet e privimit të lirisë.

Ai ishte regjistruar si student I fakultetit të ekonomisë në vitin 2012-2013, por studimet nuk i mbylli dot brenda 3 viteve. La disa provime dhe disa lëndë për frekuentim.

Gjatë tri viteve të para të dënimit, ai kërkoi të vijonte arsimimin dhe në 27 tetor 2021 mori aprovim për rinisjen e studimeve në degën menaxhim agrobiznes në Universitetin Bujqësor në Kamëz. Nga ambientet e burgut ku duhet të vuajë 10 vjet e 8 muaj heqje lirie, ndoqi online nëpërmjet platformës Zoom 2 module dhe I kanë mbetur 2 provime.

Në lidhje direkte online gjatë kohës ku studentët po ndiqnin leksionet nga auditorët e shkollës ishte dhe Donaldi I heshtur nga qelia, që vetëm dëgjonte. Një nga pedagoget e tij tregon se e memorizon shumë mire Donaldin si një nga rastet e veçanta ku mësimi jepet në kushte të pazakonta.

“Ju e dini që kemi shumë student ndonjëherë dhe e kemi të vështirë për të memorizuar , por në këtë rast Donaldin e ka memorizuar sepse është rast I veçantë. Mendoj që Donaldi është bërë student më I zellshëm tani që është në kushtet e izolimit sesa më përpara. Në lëndën time me provimin që dha e pashë që kishte studiuar. Mori shtatë. Nuk u krijuan data të veçanta për ta . Provimi u bë në kohë reale I mbikëqyrur nga unë, por dhe punonjësi social.” -tha pedagogia e tij per Report TV.

Nga burgu i Peqinit ku po vuan dënimin e tij Donaldo Lushaj pret të diplomohet në korrik nëse arrin të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj universitetit. Një ndër këto detyrime është kryerja e praktikës profesionale. Në kushtet ku ndodhet 30-vjeçari, Universiteti Bujqësor i ka sugjeruar Drejtorisë së Burgjeve që i riu të kryejë praktikën në administratën e Burgut në mënyrë që i riu të ketë mundësi të marrë diplomën e Bachelorit që po i shkon një dekadë.

“Sigurisht situata është e paprecedentë në sensin që studenti është i dënuar është  I izoluar . Ne zakonisht I dërgojmë studentët në biznese për të realizuar praktikën profesionale. Në rastin e Donaldit duke marr parasysh rrethanat kemi kërkuar nëpërmjet punonjësit social të burgut të Peqinit që të mundësohen rrethanat që Donaldi ta kryej praktikën profesionale tek administrata e burgjeve . Presim përgjigje nga punonjësi social I Burgut të Peqinit lidhur me këtë çështje.” – tha zv.rektori.

Pavarësisht ndjekjes së studimeve nga qelia, përgjigja e Drejtorisë së Burgjeve për kryerjen apo jo të praktikës profesionale është vendimtare për diplomimin e Donal Lushajt nga qelia.

Sot në burgjet shqiptare janë 14 të burgosur që kanë lënë përgjysmë studimet e larta. Ndër ta vetëm dy prej tyre kanë paraqitur kërkesë për të vijuar shkollimin.

LUSHAJ NGA BURGU KA FREKUENTUAR ONLINE:
Drejtimi i burimeve njerëzore
Praktika Profesionale
LËNDËT PËR T’U DHËNË PROVIM
Komunikim biznesi
Marketing agroushqimor
Financë
Çmimet dhe tregjet e produkteve bujqësore
Drejtimi i burimeve njerëzore.  /shqiptarja.com