Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e gjyqtares Mirela Mishgjoni

10 Korrik 2024, 20:05 / AKTUALITET ALFA PRESS

Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e gjyqtares Mirela
Komisionerja Publike, Irena Nino ka ankimuar këtë të mërkurë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Mirela Mishgjoni, pas rekomandimit nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

Sipas Ninos, vendimi i Komisionit nuk është në pajtueshmëri të plotë me gjendjen e fakteve dhe provave të administruara në fashikull, për krijimin e bindjes se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë.

Ajo i kërkon Kolegjit që ta marrë në shqyrtim shkaqet e ngritura në kriterin pasuror dhe në fund të vendosë për ndryshimin e vendimit nr. 754, datë 5.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares Mirela Mishgjoni.

Vendimi i KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Vlorës, Mirela Mishgjoni është marrë nga trupi gjykues i kryesuar nga Xhensila Pine, Alma Faskaj relatore, Pamela Qirko anëtare, teksa është shpallur më 5 Prill.

Mirela Mishgjoni ka punuar si gjyqtare në vitet 1995-2002, kur ajo u shkarkua në detyra dhe punoi si avokate deri në 2009-ën, vit kur u rikthye në detyrë pasi fitoi gjyqësisht. Prej 2009-ës ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.Në shkallën e parë të vetingut nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi në vlera të mëdha të familjes së Mishgjonit për mbulimin e shpenzimeve, investimeve dhe krijimin e pasurive para detyrës

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka deklaruar si burime kryesore për blerjen e një apartamenti në Vlorë në vitin 2006 për çmimin 60 mijë euro, të ardhurat e bashkëshortit nga shitja e një restoranti në vitin 2004 në Itali ku ai ka qenë ortak me një tjetër person, të ardhurat e tij nga shitja e një fabrike vaji në Vlorë në vitin 1997, si dhe të ardhurat e saj nga puna si avokate.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë me dokumentacion ligjor pagesën e tatimeve për këto të ardhura dhe nuk i ka konsideruar në analizën financiare. Vetëm për vitin 2007 për të ardhurat nga avokatia është konsideruar një shumë 2 milionë lekë, pasi rezulton se janë shlyer detyrimet.

Për rrjedhojë, KPK konstaton se nga analiza financiare paraprake për këtë pasuri ka rezultuar bilanc negativ në shumën 3.6 milion lekë.

Për të njëjtat arsye është konstatuar pamundësi edhe për gjendjen e kursimeve rreth 70 mijë euro të deklaruar para fillimit të detyrës në vitin 2009.

Për krijimin e një depozite në vlerën 3 milionë lekë, Komisioni konstaton se subjekti ka pasur mundësi me të ardhura të përfituara nga vendimi gjyqësor për shpërblimin lidhur me shkarkimin e padrejtë nga detyra, çështje për të cilën relatorja Faskaj tha se Mishgjoni e kishte fituar edhe në Strasburg.

Subjekti ka deklaruar blerjen e një automjeti në vitin 2009 për shumën 9100 euro, me burime krusimet e dhëna hua motrës në 2008-ën. Sipas Faskajt, vlera e kthyer ka qenë e mjaftueshme për blerjen e makinës, por ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi që me burime të ligjshme të japi huanë në vitin 2008.

Mishgjoni ka deklaruar blerjen e një makine tjetër me burim të ardhurat e përfituara nga shitja e automjetit të mëparshëm, që nuk janë konsideruar. Për rrjedhojë analiza kryer vetëm për mundësinë e blerjes me të ardhurat në vitin 2010, prej nga ka rezultuar bilanc negativ.

Nga analiza e pasurive të bashkëshortit të subkjektit, KPK nuk ka gjetur probleme për një apartamentin të privatizuar në vitin 1994.

Komisioni ka analizuar transaksionet e bashkëshortit në blerjen e disa ngastrave tokë bujqësore, ku në një rast është konstatuar pamundësi financiare në shumën 451 mijë lekë.

Për të ardhurat e bashkëshportit nga puna si shef kuzhine pas rikthimit në Shqipëri, KPK vëren se nuk janë paguar detyrimet. Subjekti ka deklaruar se është vendosur në dijeni për këtë situatë vetëm gjatë procesit të saj të vetingut dhe kanë hapur procese gjyqësore duke fituar të drejtën e shlyerjes së këtyre detyrimeve nga punëdhënësit. KPK ka konsideruar në analizën financiare ato të ardhura për të cilat vendimet gjyqësore janë ekzekutuar duke bërë të mundur shlyerjen e detyrimeve. Ndërsa për një prej punësimeve, nuk janë shlyer detyrimet dhe për rrjedhojë ato të ardhura të deklaruara nuk janë përfshirë në analizë.

Nga analiza financiare e kryer për periudhën pas rifillimit të detyrës në vitin 2009, KPK ka konstatuar pamundësi financiare për shumën 652 mijë lekë, ndërsa për periudhën para fillimit të detyrës ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën 13 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve dhe kryerjen e investimeve.

 

Po ndodh...