Krishtlindje në trafik, qytetarët me orë të tëra të bllokuar

24 Dhjetor 2025, 19:08 / AKTUALITET ALFA PRESS

Krishtlindje në trafik, qytetarët me orë të tëra

Fluksi i lartë i lëvizjeve në prag të Krishtlindjes ka kthyer rrugët kryesore të vendit në akselë të bllokuar, duke vënë në pikëpyetje nëse qindra qytetarë do të arrijnë në destinacion për të festuar me familjet e tyre.

Gjatë ditës së sotme, pikat doganore që lidhin Shqipërinë me Greqinë janë përballur me radhë të gjata automjetesh, ndërsa emigrantët shqiptarë po kthehen për festat e fundvitit. Në të njëjtën kohë, brenda vendit, çdo rrugë kryesore rezulton e mbingarkuar nga trafiku.

Pamjet e publikuara nga JOQ nga dalja e autostradës Tiranë–Elbasan, në zonën e Bradasheshit, tregojnë kolona kilometrike automjetesh. Qytetarët që kanë zgjedhur Korçën si destinacion për festat, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra, në një segment rrugor problematik, ku autostrada me dy korsi ngushtohet në një rrugë me nga një korsi për secilin sens.

Rrugë problematike, zgjidhje zero

Ky nuk është një fenomen sezonal. Segmenti Tiranë–Elbasan, por edhe shumë akse të tjera kombëtare, vuajnë prej vitesh nga mungesa e ndërhyrjeve strukturore, pavarësisht ankesave të vazhdueshme të qytetarëve. Megjithatë, në prag festash, problemi bëhet edhe më i dukshëm: njerëzit mbeten në trafik, ndërsa koha e festës humbet në radhë makinash.

Ndërkohë që qytetarët presin me orë në rrugë, Policia e Shtetit disa ditë më parë krekosej me shifra gjobash. Policia Rrugore e Tiranës njoftoi se vetëm gjatë javës së kaluar janë gjobitur 4 744 qytetarë, duke e paraqitur shtimin e kontrolleve si masë sigurie për festat, ndërkohë që nuk po merret me problemin real të trafikut dhe menaxhimin e akseve të mbingarkuara, ku qytetarët mbeten të bllokuar për orë të tëra pa asnjë zgjidhje konkrete.

Po ndodh...