Merrnin ryshfet, SPAK arreston 2 oficerë të policisë gjyqësore në Elbasan

25 Maj 2023, 11:02 / AKTUALITET ALFA PRESS

Merrnin ryshfet, SPAK arreston 2 oficerë të policisë

5 persona në Elbasan janë nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi akuzohen  korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Konkretisht, një oficer i policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë Elbasan Ç.Toska është lënë në arrest shtëpie. Sipas njoftimit të lëshuar nga SPAK, edhe oficeri tjetër i policisë gjyqësore, S.Shuka është lënë në masën e detyrimit të paraqitjes. Ndërsa L.Hasa është lënë në masën arrest në burg, ndërsa Z.T. dhe L.T. janë lënë në detyrim paraqitje.

Hetimi për këtë çështje ka nisur më datë 3 Nëntor 2022 dhe ka rezultuar se, sipas SPAK, oficerët e policisë gjyqësore Ç.Toska dhe S.Shuka, si dhe qytetari L.Hasa kanë marrë në disa rasre përfitime monetare dhe përfitime materiale nga Z.T. dhe L.T.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

Njoftim për shtyp:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e materialeve të referuara nga Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimi penal nr.187 datë 03.11.2022, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 319/ç të Kodit Penal.Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal nga BKH, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasit Ç.T dhe S.SH në detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si dhe shtetasi L.H, kanë marrë në disa raste nga shtetasit Z.T dhe I.T, përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre. Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.45, datë 22.05.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

– Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim L.H, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Ç.T, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim, Z.T, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore ” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim, S.Sh, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 3 i Kodit Penal.

– Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim L.T, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policise Tiranë kanë ekzekutuar në datën 24.05.2023 masat e sigurimit personale të vendosur ndaj personave nën hetim të mësipërm. Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

 

Po ndodh...