Ndahet nga jeta Prof. Andrea Shundi (Nderi i Akademisë)

Është ndarë nga jeta profesor Andrea Shundi. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave me një postim në rrjetin social facebook.
Më poshtë postimi i plotë:
"Kryesia e Akademisë së Shkencave njofton me hidhërim e dhimbje se është ndarë nga jeta studiuesi i mirënjohur i shkencave bujqësore; një nga emrat më të nderuar të inxhinierisë agrare; figurë qendrore shkencore e vreshtarisë dhe verëtarisë; bashkëpunëtor e drejtues për një periudhë pesëvjeçare në strukturat e ASHSH dhe i nderuar me mirënjohjen "Nderi i Akademisë" Andrea Shundi.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve, bashkësisë së studiuesve dhe kolegëve të tij, që humbën një njeri punëtor, pasionant dhe të ndershëm, që deri në momentet e fundit të jetës nuk pushoi së studiuari e kërkuari; një personalitet që la emër të mirë e të nderuar kudo që jetoi e punoi. Ne të gjithëve do të na mungojë energjia, përkushtimi, qytetaria dhe buzëqeshja e tij; prirja e tij origjinale për t'u dhënë kërkimeve agronomike edhe një përbërëse antropologjike e etnologjike, duke i ndërlidhur ato me albanologjinë. Do të na mungojë bashkëpunimi i tij i frytshëm si organizator ngjarjesh shkencore dhe në kuadër të projektit të "Enciklopedisë shqiptare" si anëtar i njërës prej redaksive të saj.
Meritat shkencore të Andrea Shundit janë vlerësuar edhe me çmimin më të lartë kombëtar që jepet nga Akademia e Shkencave për shkencat natyrore e teknike, çmimin "Radovicka" (bashkë me akad. Nazim Grudën, 2018).
Profesor Andrea Shundi u lind në Tiranë më 1934. Mbas përfundimit të gjimnazit kreu studimet për agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Më shumë se gjysmën e jetës aktive e kishte të ndërlidhur me veprimtarinë në institucione shkencore: në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë (1956-1960, bashkëpuntor shkencor); në Universitetin Bujqësor (1980-1992, ligjërues, dekan i fakultetit); në Akademinë e Shkencave (1994-1999, sekretar shkencor i seksionit dhe kryeredaktor i revistës "AJNTS"). Gjatë periudhës tjetër punoi në ekonomi bujqësore dhe administratë teknike, kryesisht në ministrinë e bujqësisë (1964-1975, kryeagronom, drejtor i shkencës, kryeredaktor i "Buletini i Shkencave Bujqësore").
Veprimtarinë shkencore e përqendroi në prodhimin foragjer dhe në vreshtari-verëtari.
Ka qenë kumtues në 34 kuvende shkencore kombëtare dhe në 18 evente ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrës në 17 studime dhe projekte kombëtare. Andrea Shundi ka qenë gjithashtu ligjërues në universitetet e Viterbos dhe Potencës (Itali), si dhe në Selanik (Greqi). Ishte bashkorganizues i konferencës kombëtare të shkencave bujqësore (1975); i simpoziumit "Shkencat agronomike në zhvillimet e reja ekonomike të Shqipërisë" (1991); si dhe i shumë seminareve mbarëkombëtare për vreshtarinë dhe verëtarinë (2002-2010).
Dy vjet më parë kryesoi konferencën kushtuar llojeve endemike të rrushit në Shqipëri e Kosovë, konferencë shkencore dyditore nga më të rëndësishmet në verëtari e hortikulturë, organizuar nga Akademia e Shkencave.
Veprimtaria botuese e prof. Andrea Shundit përfaqësohet me mbi 48 libra (nga të cilët dy në anglisht) dhe tekste, me një vëllim mbi 10 mijë faqe. Krahas tyre ka botuar rreth 30 artikuj shkencorë dhe 128 artikuj teknikë, një pjesë të botuar në revista ndërkombëtare dhe në me procedurë konkurrimi.("proceedings"). Titujt kryesorë të veprave të botuara prej tij janë: "Agroteknologji dhe veçori të prodhimit foragjer intensiv" (1984), "Fitoteknia" (tekst universitar, 1980 dhe 1987), "Ligjësi dhe parametra për selitjen e bimëve" (1984), "Foragjeret në zonën e ftohtë" (2004), "Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare" (2004), "Enciklopedia për vreshtarinë dhe verëtarinë" (2012), "(E)tnogastronomia arbëreshe" (2016), "Verëtaria praktike" (2019), "Hortikultura - vështrim enciklopedik" (2017), "Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës" (2008), "Wisdom from vine and wine" (2012), "Doracak për sistemimin e tokave" (1969), "Bujqësia dhe veprimi agronomik në troje shqiptare" (2001), "Jetë agronomike" (2004). Akademia e Shkencave ka miratuar botimin e një libri tjetër në bashkautorsi këtë vit, ku ai është autori i parë: "Ushqimi dhe (eno)gastronomia shqiptare" (2024).
Andrea Shundi është nderuar me urdhrin "Mjeshtër i Madh" (2010) dhe me mirënjohjen "Nderi i Akademisë". A.K.
-
-
Këmbimi valutor 2 maj
2 Maj, 07:55 -
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
Teatri që fsheh prapaskenën
Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128



