Nesër protesta para bashkisë, Policia thirrje organizatorëve: Distancohuni nga dhuna

25 Prill 2024, 16:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

Nesër protesta para bashkisë, Policia thirrje organizatorëve:
Policia e Shtetit me anë të një lajmërimi për mediat bën me dije se ka marrë masa për protestën e nesërme që do të zhvillohet përpara Bashkisë së Tiranës. Efektivët iu bëjnë thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna.

Njoftimi i plotë 

“Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, 26 prill 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës

Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.

Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm.