Nga vjedhja spektakolare në Britani te jeta si “playboy” në Tiranë! 20 vite nga grabitja e 53 milionë sterlinave, tropojani i martuar me vajzën biznesmenit shqiptar

22 Shkurt 2026, 17:53 / AKTUALITET ALFA PRESS

Nga vjedhja spektakolare në Britani te jeta si “playboy”

Njëzet vite më parë, në shkurtin e vitit 2006, Britania e Madhe u zgjua me lajmin e asaj që do të cilësohej si grabitja më e madhe e parave në historinë e saj.

Në depon e kompanisë së sigurisë Securitas në Tonbridge të Kentit, një grup i organizuar arriti të marrë mbi 53 milionë sterlina cash, në një operacion që më vonë do të përshkruhej nga gjykata si i “realizuar me disiplinë ushtarake”.

Një plan i ftohtë, i menduar në detaje

Ngjarja mori përmasa sikur të ishte fiks një filëm! Menaxheri i depos, u rrëmbye bashkë me familjen e tij, ndërsa grabitësit, të maskuar dhe të armatosur, hynë në ambientet ku ruheshin shumat e mëdha të parave që përgatiteshin për t’u shpërndarë në bankomate. Brenda pak orësh, ata mbushën mjetet me para dhe u zhdukën.

Megjithatë, jo të gjitha paratë e vjedhura arritën të zhdukeshin pa gjurmë. Policia britanike mundi të rikuperojë rreth 21 milionë sterlina. Por 32 milionë të tjera nuk u gjetën kurrë,  as deri më sot, pas dy dekadash, mbeten një nga misteret më të mëdha kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.

Dy të rinj nga Tropoja në qendër të dosjes

Disa javë pas grabitjes, hetimet nxorën në pah edhe përfshirjen e dy shqiptarëve nga Tropoja, emigrantë në Britani: Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj. Roli i tyre u zbardh gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda Old Bailey në Londër.

Sipas prokurorisë, Ermir Hysenaj ishte i punësuar në vetë depon ku sistemoheshin paratë përpara se të shpërndaheshin në automatet bankare. Ai u cilësua gjatë gjyqit si “inside man”,  njeriu i brendshëm i grupit. Hysenaj kishte filmuar me një kamerë të fshehtë hyrje-daljet, sistemet e alarmit dhe kishte hartuar një planimetri të detajuar të depos. Një hartë e shkruar prej tij, me të dhëna të sakta mbi strukturën e brendshme, u paraqit si provë kyçe në gjykatë.

Këto informacione, sipas akuzës iu kaluan bashkëpatriotit të tij Jetmir Bucpapa, i cili në atë kohë punonte si roje sigurie në lokalet e natës në Kent dhe kishte njohje me figura të njohura të krimit të organizuar në zonë.

Pas një gjyqi disa mujor, Bucpapa u dënua me burgim të përjetshëm dhe vuajti 18 vite pas hekurave, ndërsa Hysenaj u dënua me 20 vite burg. Në përfundim të dënimeve, të dy u dëbuan në Shqipëri.

Jeta pas burgut dhe rrëfimi i tabloidit britanik

Në përvjetorin e 20-të të grabitjes, tabloidi britanik The Sun i kushtoi një shkrim të veçantë jetës së re të Jetmir Bucpapës pas kthimit në Shqipëri.

Sipas shkrimit, një vit pas dëbimit ai u martua dhe nga kjo martesë ka dy fëmijë. Por martesa nuk zgjati. Sot, shkruan gazeta, ai është ndarë nga bashkëshortja dhe ka nisur një romancë të re me vajzën e një milioneri shqiptar.

“The Sun” përshkruan edhe transformimin e tij personal. Kur u kthye në Shqipëri, thuhet në artikull, ai ishte i ndrojtur dhe i mbushur me frikë si pasojë e viteve të gjata në burg. Ndërsa tani, dy dekada pas grabitjes që tronditi Britaninë, shfaqet në lokalet e natës të Tiranës në krah të të dashurës së re, me një profil shumë më të ekspozuar, si një “playboy” i vërtetë.

Misteri që nuk u zgjidh kurrë

Megjithëse autorët u identifikuan, u gjykuan dhe u dënuan, hija e 32 milionë sterlinave të zhdukura vijon të rëndojë mbi këtë dosje. A u investuan në aktivitete të tjera kriminale? A u fshehën në llogari jashtë vendit? Apo mbeten të groposura diku, si një sekret që vetëm disa e dinë? Njëzet vite më pas, grabitja e Tonbridge mbetet një kapitull i errët në historinë kriminale britanike!/Top Channel

 

Po ndodh...