Presidenti Begaj vizitë zyrtare në Itali, takohet me presidentin Mattarella

26 Maj 2023, 17:04 / AKTUALITET ALFA PRESS

Presidenti Begaj vizitë zyrtare në Itali, takohet me presidentin

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj, nisi sot një vizitë zyrtare dy ditore në Itali ku u prit me nderimet e veçanta nga homologu i Italisë, Sergio Mattarella.

Kjo është vizita e parë e presidentit në një prej vendeve të Evropës Perëndimore, por edhe një konfirmim i një dialogu shumë të mirë politik e në nivelet më të larta midis dy vendeve.

Pas ceremonive të rastit, Begaj dhe Mattarella, zhvilluan një bisedë kokë më kokë e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.

Gjatë takimit të zgjeruar midis dy delegacioneve, lideri shqiptar vlerësoi marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.

Ai shprehu mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.

Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen shumëdimensionale ekonomiko-sociale përmes programeve të zhvillimit e ndihmës, si dhe pritjen e afro gjysmë milioni emigrantësh shqiptarë në Itali, presidenti Begaj nënvizoi se këto ngjarje i kanë bërë edhe më të forta marrëdhëniet.

Kreu i shtetit tha gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ekonomike e tregtare, dhe duke iu referuar Italisë si partneri kryesor e i privilegjuar tregtar dhe si një prej donatorëve kryesorë për Shqipërinë, nënvizoi se mundësitë janë edhe më të mëdha në këtë drejtim.

Një mirënjohje të veçantë, shprehu edhe për mbështetjen e vyer që Italia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit të këtij procesi.

Presidentët ranë dakord të mbështesin iniciativat e përbashkëta shtetërore në ruajtjen dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta, të cilat qëndrojnë në themel të miqësisë së sprovuar midis dy popujve.

Me rëndësi, Begaj nënvizoi mbështetjen që Italia i ka dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera rajonale, gjithashtu dhe dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

Në fund të takimit, të dy presidentët ranë dakord të vijojnë inkurajimin dhe mbështetjen për institucionet e të të dy vendeve në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit e të miqësisë.

 

Po ndodh...

top

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128