Shtyhet vendimi për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj

3 Shkurt 2026, 16:24 / AKTUALITET ALFA PRESS

Shtyhet vendimi për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj

Shtyhet shpallja e vendimit për të pandehurit e AKSH-it në Apelin e GJKKO-së, lidhur me masën e sigurisë.

Seanca u zhvillua këtë të martë, ndërsa trupa gjykuese vendosi që vendimi të shpallet më datë 5 shkurt.

Ish-drejtoresha e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj, u përfaqësua në seancë nga avokati i saj mbrojtës.

Në seancë ishin të pranishëm edhe prokurorët e SPAK, Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, të cilët kërkuan që të lihet në fuqi masa e mëparshme e sigurisë për të pandehurit.

Sipas prokurorisë, provat e paraqitura në Apel lidhen me disa dëshmi të reja të administruara gjatë kësaj periudhe nga hetuesit e SPAK, të cilat, sipas tyre, përforcojnë dyshimet ndaj të pandehurve.

Drejtoresha e AKSHI-t në hetim per 12 tendera

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.

SPAK është duke hetuar për 12 procedura tenderuese, në vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme.

Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.

AKSHI është një institucion i vënë në qendër të akuzave dhe madje një prej ish-zyrtarëve të saj, Daniel Shima, u zhduk në mënyrë të dyshimtë për 10 orë me radhë ku mendohet të jetë mbajtur peng nga një grup kriminal në Elbasan.

Klienti kryesor i AKSHI-t është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili njihet si “gllabëruesi” i parave publike përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Po ndodh...