Skandal te kompania e vëllezërve Duka/ Grip shpendësh te AIBA, 65 mijë pula të ngordhura, s'dihet nëse janë asgjësuar dhe ku! Ministria hesht edhe për REA's

17 Mars 2025, 13:22 / AKTUALITET ALFA PRESS

Skandal te kompania e vëllezërve Duka/ Grip shpendësh te AIBA, 65

Ministria e Bujqësisë informoi se pas vatrës së gripit të shpendëve në fermën e kompanisë Rea’s më 3 mars, një tjetër rast është konfirmuar me sëmundjen H5N1 në pularinë “AIBA”, në pronësi të kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe vëllait deputetit Agron Duka. 

Njoftimi është bërë vetëm përmes një deklarate online të postuar më 13 mars në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa mësohet vetëm pas interesimit të mediave, 4 ditë më pas, më 17 mars. Nga Ministria nuk është bërë deri më tani asnjë dalje publike.

Në ditën e parë, shërbimi veterinar ka konstatuar te “AIBA ”1848 shpendë të ngordhur në fermën që ndodhet në fshatin Maliq Muço në Rrashbull të Durrësit dhe zona është karantinuar. Report Tv mëson se deri më sot, kanë ngordhur rreth 65 mijë shpendë, të një kapanoni, e siç burime thonë, gati 40 mijë prej tyre janë asgjësuar me djegie, por nuk dihet zyrtarisht se kur dhe ku janë asgjësuar. 

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, janë marrë mostra të cilat janë analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ku është konfirmuar pozitiv gripi i shpendëve.

Nga kjo vatër e karantinuar 3 km nuk lejohet të dalë asnjë shpend në treg (në mjedise të hapura apo tregjet e kafshëve të gjalla), as nga kapanonet e tjera të pa infektuara. Ky urdhër prek fermerët e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë 

Sipas ministrisë, lejohet vetëm transporti i shpendëve për në thertore me autorizim nga Veterineri pas kryerjes së testit PCR që nuk janë të infektuara.

Ministria thotë se janë monitoruar 211 ferma me 2958 krerë, përfshirë ferma të vogla familjare, nga 5 grupe Veterinerësh Zyrtarë të Kontrollit të pranishëm në terren dhe është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për vlerësimin e riskut.

Në fillim të marsit, ferma e kompanisë “Rea’s” në Durrës u prek nga gripi i shpendëve dhe u vendos në karantinë, ku brenda 2 ditëve ngordhën më shumë se 23 mijë pula, ndërsa deri më 6 mars flitej për rreth 70 mijë pula të ngordhura vetëm në një kapanon të kompanisë Rea’s. Por shifrat nuk janë përditësuar më me informacione zyrtare, dhe nuk dihet se sa është numri i saktë i shpendëve të ngordhur. Për asgjësimin e tyre ende nuk ka një njoftim publik kur, në cilin vend apo në ç ‘mënyrë është bërë, proces i cili duhet mbikëqyrur nga Ministria e Bujqësisë. 

Gripi i shpendëve është i rrezikshëm sepse mund të prekë dhe njerëzit ku më të rrezikuarit janë fermerët dhe punëtorët e stabilimenteve. Virusi transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejt me shpendët e infektuara si dhe përmes mishit ose vezëve të pa gatuara, por sipas specialistëve nuk ka rrezik nëse ushqimet janë të gatuara në temperaturë të lartë, 70 gradë celcius.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës me publikun, informon se ditën e sotme është konfirmuar një tjetër rast i pranisë së sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1), në një stabiliment mbarështimi dhe prodhimi shpendësh në zonën e mbrotjes së karantinuar (3 km) me vendodhje në fshatin Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, Bashkia Durrës.

Shërbimi veterinar rajonal së bashku me perfaqësues së MBZHR janë paraqitur menjëherë në subjekt për tu njohur me gjendjen shëndetësore të shpendëve duke konstatuar 1848 shpendë të ngordhur. Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet përkatëse të varësisë kanë marrë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit për vendosjen e stabilimentit në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare, të cilat janë dërguar dhe analizuar brenda ditës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Pas konfirmimit nga ISUV për rezultatin pozitiv të analizimit, në MBZHR është thirrur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve edhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, Ministrisë për Pushtetin Vendor dhe Institutit të Shëndetit Publik.

Janë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 200 datë 3.3.2025 dhe Urdhri 240, datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.

Njoftojmë fermerët dhe mbarështuesit e cilësdo lloj specieje shpendësh se vijon të jetë e ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit Nr. 240 datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:

– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

– Lejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë sipas tabelës 4, të shtojcës 5, të Urdhrit Nr. 177, datë 28.3.2023 “Për miratimin e Programit Kombëtar të Mbikëqyrjes së Influencës Aviare”, vetëm me autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj Sëmundjes së Influencës Aviare dhe të jenë shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.

Shërbimi Veterinerar Rajonal po mbikqyr dhe monitoron nëpërmjet gjurmimit dhe kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV. Vetëm ditën e sotme janë monitoruar 211 ferma me 2958 krerë nga 5 grupe Veterinerësh Zyrtarë të Kontrollit të pranishëm në terren.

Gjithashtu, është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët dhe shpendërritësit në të gjithë vendin të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve. Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: [email protected] dhe evitimi i kontaktit me shpendët e dyshuar./Shqiptarja.com

Po ndodh...