Skandali në Lushnje/ Si u pajis me certifikatë pronësie uzurpuesi i pronës private. Roli i Fatos Tushes dhe Evis Qyres

30 Prill 2026, 21:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Skandali në Lushnje/ Si u pajis me certifikatë pronësie uzurpuesi

Në korrik të vitit 2012, Gjykata e Lushnjes do t’i jepte me vendim të formës së prerë familjes Boçi pronën me sipërfaqe 182 metra katrorë në hyrje të fshatit Bubullimë në Lushnje. Vendimi nuk do të kundërshtohej nga personi që kishte uzurpuar pronën private Genci Gjoka duke ndërtuar një shtëpi pa leje. Kjo gjë do t’i jepte fuqi vendimit të gjykatës për t’u ekzekutuar nga Përmbarimi Shtetëror.

Informacionet e siguruara nga “Vetting” dhe intervistat me Bukurie Boçin zbulojnë se ish-ALUIZNI dhe ish-Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnje kanë bërë legalizimin e pronës në shkelje të ligjit për personin që kishte ndërtuar pa leje mbi këtë tokë. Ajo që e bën më të rëndë shkeljen është se për truallin ka patur një vendim gjykate të formës së prerë dhe çertifikatë pronësie nga familja Boçi, si edhe një urdhër ekzekutimi për Përmbarimin për rikthimin e pronës te pronarët.

“Unë dua të bëj një sqarim për Kadastrën e sotme. Brenda 3 muajve e ka marrë Genci Gjoka certifikatën e pronësisë, dokument të cilin njerëzit kanë kushedi se sa vite pa i marrë. Këtu është korrupsion dhe unë e them me plot gojë që është korrupsion i madh që ka bërë Genci Gjoka”, shprehet për “Vetting” Bukuri Boçi.

Ish mësuese tashmë e dalë në pension, Bukuria ka ardhur së bashku me bashkëshortin Dhimo Boçi në redaksinë “Vetting” për t’i bërë apel institucioneve publike dhe drejtësisë për të marrë pronën e saj.

Peripecitë e familjes Boçi do të fillonin më herët në vitin 1997 gjatë rrëmujave kur mbi pronën e tyre do të fillonte ndërtimet në mënyrë të paligjshme nga personi që kanë paditur në Prokurori.

“Kam një trashëgimi në Bubullimë (Lushnje). Agjencia e Kthimit të Kompensimit të Pronave na e ka dhënë atëhere, kishim 10 mijë metra katrorë, nga këto 10 mijë na kanë dhënë vetëm 7 mijë. Por ne do përqendrohemi te trualli që më kanë dhënë mua me sipërfaqe 182.8 metra katrorë.

Ne jemi trashëgimtarë të Gjena Boçit, vjehrra ime. Këtë truall vjehrra ime e kishte nga babai i saj dhe gjyshi, domethënë ka kaluar nëpër breza dhe njihet si trashëgimi e Papallarëve. Papallarët njihen si trashëgimtarë të mëdhenj në Bubullimë, kanë falur dhe një pjesë të sipërfaqes. I kanë falur një pjesë Kishës që ka bërë mirë dhe është ndërtuar dhe shkolla në Bubullimë, po në trashëgiminë tonë. Unë kërkoj pjesën time tani, që unë dua që të marr pjesën që më kanë zënë tre qytetarë nga Bubullima. Mbi të gjitha, dua të përmend Genci Gjokën që ka zënë pjesën tonë”, tha Bukuri Boçi.

Bukuria tregon se mbasi fituan gjyqin e parë bashkë me trashëgimtarët e tjerë vendosën të bëjnë përpjestimin. Fatkeqësisht personi, Koli Papa që kishte ndjekur gjyqet si përfaqësuesi i trashëgimtarëve do të ndahej nga jeta dhe Përmbarimi nuk mund të ekzekutonte vendimin pasi duhej të hapej një gjyq i ri në emër të Dhimo Boçit.

“Ne hapëm gjyq me gjyqtar të çështjes Dritan Caka, i cili dha vendim të formës së prerë në bazë të trashëgimisë që kishim dhe në bazë të certifikatës që ne kishim marrë për truallin e Bubullimës si gjithë trashëgimtarët dhe ne në emrin e të gjithë trashëgimtarëve”, deklaroi Bukuria.

Por problemet do të vinin nga Përmbarimi Shtetëror Lushnje pasi për shumë vite nuk do të ekzekutonte vendimin, duke ia pasuar përgjegjësinë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Lushnje dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Kjo pasi këto institucione duhej të mbështesnin me mjete të rënda Përmbarimin së bashku me Policinë e Shtetit për të shkatërruar shtëpinë, e cila shtrihej mbi truallin e pronarëve Dhimo dhe Bukuri Boçi.

Në vendimin e dhënë në 11 korrik 2012, Gjykata e Lushnjes do të urdhëronte të paditurin Genci Gjoka që tu rikthente këtë pasuri trashëgimtarëve të këtij trualli, duke hequr me shpenzimet e veta ndërtimin dhe rrethimin që ka kryer mbi këtë sipërfaqe trualli. Pra, në vendimin e Gjykatës shprehet qartë se është i padituri që duhet të bëjë kthimin e pronës në gjendje fillestare, duke kryer vetë shkatërrimin e banesës.

Genci Gjoka nuk do të bënte ankimim të vendimit në Gjykatën e Apelit Vlorë. Por disa muaj më pas, Gjoka do të bënte rekurs në Gjykatën e Lartë, nën pretekstin se nuk kishte qenë aty kur ishte zhvilluar gjyqi, por Gjykata ia refuzoi pasi ishte bërë lajmërimi në komunën e asaj kohe Bubullimë.

Sipas avokatit Alban Duraj, nëse debitori nuk liron pronën në mënyrë vullnetare, atëherë ndërhyn përmbarimi.

“Në rastin konkret, me kaq informacion sa kemi, kemi të bëjmë me mosekzekutim të vendimit të gjykatës dhe mpleksje institucionesh me veprime në kundërshtim me ligjin”, tha për “Vetting” avokati Duraj.

Edhe pse në vitin 2012 vendimi i gjykatës ishte formës së prerë, duke urdhëruar prishjen e objektit dhe lirimin e truallit, ky urdhër u përplas me murin institucional që dukej sikur ishte ndërtuar me porosi.

“Ne certifikatën e pronës e kemi marrë ne 2011, në 2012 kemi marrë vendimin e formës së prerë dhe të gjitha këto i ka bërë Genci Gjoka mbas vendimit të formës së prerë, në kohën kur ne kishim bërë hapjen për akt ekzekutim kur ne kemi cuar hapjen për ak-tekzekutimin, kur kemi cuar urdhrim e gjykatës për prishjen e ndërtimit.

Genci Gjoka hapte gjyqe mbas gjyqesh për të mashtruar, për të marrë leje, përpiqesh të na mundonte me gënjeshtra, na merrnin edhe nëpërmjet Përmbarimit”, tregon Bukuri Boçi.

Nga dokumentet zyrtare Përmbarimi Lushnje pretendon se nuk ka patur mundësi që të ekzekutonte vendimin pasi nuk kishin mjetet. Nga dokumentet e Prokurorisë rezulton se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Lushnje nuk ka pasur makineri në dispozicion për prishjen e kësaj godine, ndërkohë që në vendimin e gjykatës shprehet qartë që personi që ka uzurpuar pronën dhe ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme duhet ta bëjë vetë prishjen e ndërtesës dhe të rrethimit me shpenzimet e veta.

Sipas avokatit Duraj, të gjithë aksionin e drejton Përmbaruesi, por ka raste që kur nuk ka mjete dhe në këtë rast IMT-ja e bashkisë duhet ti drejtohet Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Mbështetjen e Përmbaruesit e bën IMT Lushnje me mjete së bashku me forcat e rendit. Duhen edhe forcat e rendit sepse mund të ketë kundërshtime dhe ekzekutimi i vendimit mund të bëhet më e vështirë pasi ka familje brenda”, u shpreh avokati Duraj.

Duke parë rrethanat, Dhimo dhe Bukuri Boçi i bënë kërkesë Gjykatës së Lushnjes për ekzekutimin e vendimit të gjykatës për marrjen e pronës. Në shtator 2012 është lëshuar nga Gjykata e Lushnjes urdhri i ekzekutimit me vendim nr. 718, i cili ngarkonte Përmbarimin për lirimin e truallit për pronarin e ligjshëm Dhimo Boçi nga ndërtimi i paligjshëm i debitorit Genci Gjoka. Asokohe Zyra Përmbarimore Lushnjë e ka regjistruar këtë kërkesë në nëntor të po atij viti dhe pas dështimit të lirimit të truallit në mënyrë vullnetare, ka urdhëruar ekzekutimin e detyrueshëm. Por problemet me familjen Boçi do të fillonin me vonesat për ekzekutimin.

“Unë e pashë zvarritjen nga 2012 deri në 2013, atëhere kur ajo filloi kur unë e gjeta mjetin e parë dhe unë që të mos zvarriteshin gjërat, i kam gjetur vetë mjetet te privati dhe i thosha gjithnjë Përmbarueses Luiza Gjergjovës”, shprehet Bukuri Boçi.

Përmbarimi i Lushnjes do të zhytej në një spirale dhjetëvjeçare shtyrjesh absurde dhe arsyeja ishte gjithmonë e njëjta se Bashkia Lushnje nuk kishte mjetet. Kur familja Boçi gjeti mjete private, shteti sërish nuk ishte aty. Punëtorët largoheshin nën kërcënimin e armëve dhe dhunës, ndërsa policia e shtetit, e përfaqësuar në terren nga OPGJ Vasillaq Ziu, duket se kishte prioritete të tjera.

Prania e parë e dokumentuar e Përmbarimit në terren, në fshatin Bubullimë, ka qenë në fillim të janarit 2013. Në këtë datë është mbajtur procesverbali i veprimeve përmbarimore ku kanë marrë pjesë familja Boçi dhe debitori Genci Gjoka, forcat e rendit dhe përfaqësues vendorë, por ndërhyrja nuk u krye pasi palët ranë dakord fillimisht për zgjidhje me mirëkuptim. Një tjetër tentativë në terren është kryer në tetor 2013, por veprimi u shty për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

“Unë vija dhe u thoshja, unë kam gjetur mjetin, ia tregoja Luiza Gergjovës, hajde shkojmë në Bubullimë. Caktoheshe data për të bërë aktekzekutimin, e para shkelje ishte kjo. Vinim atje për të shembur një ndërtesë dy-katëshe me dy policë, unë po të drejtohem ty Zoti gazetar, a mund të prishet një godinë dykatëshe vetëm me dy policë dhe një fadromë?”, shprehet e indinjuar Bukuria pasi ishte e vështirë pa mbështetje që të merrej prona e saj.

Sipas avokatit Alban Duraj, në këto raste duhet mbështetje e lartë institucionale.

“Duhet që forcat e policisë të jenë të shtuara që përmbaruesi të mos cënohet, por natyrisht forcat e IMT Lushnje duhet të jenë të gatshme nën urdhrat e Përmbaruesit Gjyqësor”, tha avokati Duraj.

Gjatë vitit 2014, Përmbarimi ka qenë në Bubullimë në disa raste kyçe, por ekzekutimi u shty pasi familja Boçi nuk kishte siguruar mjetin për prishjen e objektit. Më 24 prill 2014 përmbaruesit kanë qenë sërish në Bubullimë, por puna u ndërpre pasi punëtorët braktisën detyrën nën presionin e personave në fshat.
Ndërhyrja më e tensionuar në terren ka ndodhur më datë 19 Qershor 2014. Në këtë datë, Përmbarimi ka qenë i pranishëm bashkë me një mjet fadromë dhe forca të policisë. Procesverbali shënon se puna filloi rreth orës 10:00, por u ndërpre pas rezistencës së Genci Gjokës dhe familjarëve të tij, të cilët u shoqëruan më pas në komisariat sipas dokumentit nga Prokuroria.

“Si përfundim në fund fare me këmbënguljen tonë erdhën 13 policë. Pse nuk erdhën që në fillim këta policë? Këta policë i pengonte Vasillaq Ziu ishte oficeri i Policisë Gjyqësore për fshatin e Bubullimës dhe nuk i leverdiste të prishte shtëpinë e mikut të tij, e krushkut të tij dhe këtë na e ka pohuar me gojën e vet. Po citoj fjalët e Vasillaq Ziut “Bëni marrëveshje me Genci Gjokën, se e kam krushk dreqin”, më falni që po flas kështu por këto tha.

Ne filluam të bënim hetime vetë dhe pamë në mënyrë të fshehtë se Vasillaq Ziu ka takuar Genci Gjokën mbrapa një pallati te Policia në Lushnje.

Atëhere filluam të bënim debate me Vasillaq Ziun. Në 19 qershor 2014 ka qenë dita më e zezë për ne sepse ne jemi dhunuar bashkë me fadromistin”, tregon e tronditur Bukuria.

Për këtë rast, Dhimo dhe Bukurie Boçi rrëfejnë me detaje se si janë dhunuar në prani të Policisë. Madje zonja Boçi akuzon oficerin e policisë Vasillaq Ziun për dështimin e punës edhe të vetë Përmbarimit, pasi ajo u detyrua të rimbursonte edhe fadromistin për dëmet e pësuara.

“Ne u rrahëm dhe policia na mori në furgonin e vet sepse furgonin tonë e kishin përzënë fshatarët e Bubullimës. Genci Gjoka me baxhanakun, me kunatin e tij, që ishin aty prezent, na kanë përzënë punëtorët, që ne kemi paguar, na kanë përzënë makinën që ne shkonim në Bubullimë”, tha Bukuria.

Sipas avokatit Duraj, Përmbarimi duhet të mbështetet nga institucionet publike pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë efektivitet në kryerjen e veprimeve.

“Gjithmonë kjo gjë realizohet në mënyrë të koordinuar dhe përmbaruesi nuk duhet lënë vetëm. Ka mjaft raste që lihet vetëm përmbaruesi dhe ne kemi plot sanksione nga Bashkimi Europian për mosekzekutimin e vendimeve të gjyqeve në lidhje me pronën”, u shpreh avokati Duraj.

Gjykata demaskon Prokurorinë, nuk kryente hetimet për familjen Boçi

Në vitin 2017, Prokuroria e Lushnjes me prokuror të çështjes Skënder Mestani do të nisnin hetimet për rastin e familjes Boçi. Bukuria dhe Dhimo do të bënin kallëzim për shpërdorim detyre, por edhe për falsifikim dokumentesh dhe këto dy kallëzime do të bashkoheshin nën një hetim të vetëm. Vetëm se në këtë rast do të kishim një përplasje midis Prokurorisë dhe Gjykatës së Lushnjes, ku kjo e fundit do ti kërkonte Prokurorisë në të dyja raste të kryente hetime të thelluara. Ish-prokurori Mestani do të kërkonte pushimin e çështjes, por Gjykata e Lushnjes do të kërkonte rihapjen e hetimeve pasi nuk ishin kryer në mënyrë të plotë, ndërkohë që në mënyrë paradoksale Prokuroria pretendonte se mund të ishim në kushtet e parashkrimit.

Nga ana tjetër Prokuroria nuk kishte kryer verifikime të plota dhe hetime për të siguruar këto konkluzione. Të njëjtën gjë do të bënte edhe Prokuroria e Apelit Vlorë, e cila do të kërkonte pushimin e çështjes, por rasti do të rikthehej në Lushnje për të kryer hetimet e plota pasi kishte veprime që nuk janë verifikuar.

“Kërkuam kallëzimin penal, kallëzimin penal na e mori Vasillaq Ziu, por ne nuk e dinim, ne hajde se po bëjmë kallëzim penal. Çfarë bëri Vasillaq Ziu?

Nuk mori kallëzim penal, por mori deklarim. Kur e mësuam neve këtë?! Ne këtë e mësuam se thamë pse s’po na thërret Prokuroria për këtë ngjarje kaq të bujshme që ne na dhunuan. Vajtëm atje, prokuror ishte Artan Azbiu. Ne i thamë kemi një pronë, vajtëm në Bubullimë… a do bëhet gjyq për këtë cështje? Na tha, juve nuk kini kallëzim penal. Po cfarë kemi? Juve keni deklarim dhe për ju s’ka kallëzim”, shprehet e zhgënjyer Bukuria.

Bukuria pohon se çështja është zvarritur dhe nuk është konstatuar askundi se ajo dhe bashkëshorti janë dhunuar, duke akuzuar për ndërhyrje nga Policia e Shtetit në dëm të tyre. Nga dosja e Prokurorisë del në pah një element interesant, ku të gjithë personat e pyetur duke filluar nga përmbaruesit dhe personat pranë ish ALUIZNI dhe ish Zyrës së Regjistrimit të Pasurive pretendojnë se nuk e dinin që prona ishte e regjistruar në emër të familjes Boçi.

“Atje bashkëshortit iu thye proteza dhe pati dëmtime në kraharor dhe ne nuk na morën parasysh këto gjëra sepse e mori në telefon një ditë para Vasillaq Ziu, se ne thamë “sot nuk po shkojmë sepse nuk jemi në gjëndje të shkojmë sepse na dhunuan”, por vajtëm të nesërmen te mjeku ligjor dhe pas kësaj vajtëm biseduam me prokurorin. Ky bëri grafi dhe e ka treguar grafia që kishte shembje në kraharor. Nuk na tha, kjo ishte detyrë e mjekut ligjor që ta conte për kontroll bashkëshortin tim”, tha Bukuria duke evidentuar se dhunimi i tyre është groposur nga institucionet.

Nga hetimet e ish prokurorit Skënder Mestani rezulton se janë marrë në pyetje specialistë dhe përgjegjësët pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për arsyet se pse nuk është mbështetur me makineri Përmbarimi dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Lushnje.
Por dështimi në terren nuk ishte rastësi. Dokumentet zbulojnë se pas çdo difekti të fadromës fshihej një zinxhir dëshmish kontradiktore ndërsa ish-kreu i IMT Lushnje, Shaqir Zhama, pretendon se kërkesat e tij u injoruan, drejtuesit e tjerë të Bashkisë Lushnje kanë harruar ngjarjen, duke e lënë përgjegjësinë pa autor.

Nga ana tjetër, IKMT-ja përgjigjej duke deklaruar se përgjegjësia ishte e Bashkisë Lushnje dhe se mjetet e tyre ishin të zëna me aksione në qytete si Himara apo në rrugët kombëtare. Në një moment, përmbaruesja Luiza Gjergjova tentoi ta kryente ndërhyrjne me fadromën e gjetur nga vetë pronari Dhimo Boçi, por aksioni dështoi për shkak të konflikteve në terren me familjarët e Genci Gjoka, gjë që detyroi ndërhyrjen e Policisë. Pas këtij incidenti, asnjë mjet nuk pranoi më të shkonte në atë pronë nga frika e përplasjeve me pronarët e ndërtesës.

Kadastra pajisi me certifikatë pronësie uzurpuesin e pronës private

Historia e kësaj përplasjeje institucionale në Lushnje, e dokumentuar në dosjen nr. 784 të Prokurorisë tregon se për më shumë se një dekadë, familja e Dhimo dhe Bukuri Boçit u mbajt peng mes dy certifikatave të pronësisë, asaj që kishin në xhep si pronarë të ligjshëm të truallit dhe asaj që shteti i dha ndërtuesit pa leje mbi tokën e tyre.

Dokumentet zbulojnë një fakt tronditës se ish-kryetari i Bashkisë Fatos Tushe ishte në dijeni të situatës, ku familja Boçi kërkonte mbështetje nga IMT-ja Lushnje për të marrë pronën e saj ndërkohë që IMT-ja deklaronte se nuk kishte mjet. Drejtoresha e Planifikimit, Mimoza Haxhiu, ka dëshmuar se kërkesat e qytetarit Dhimo Boçi ishin cituar direkt nga ish-kryetari Tushe për drejtoritë përkatëse. Pra, informacioni se aty kishte një urdhër ekzekutimi ishte në majën e piramidës së Bashkisë, por përgjigjet që dilnin nga Bashkia shmangnin përgjegjësitë për të realizuar ekzekutimin.

Ndërkohë që Përmbarimi ankohej se nuk gjente fadromë, ish-ALUIZNI, i drejtuar nga Evis Qyra, po lëvizte me shpejtësi në kahun e kundërt. Edhe pse në vitin 2016 praktika e legalizimit ishte pezulluar sepse vetë Genci Gjoka kishte dorëzuar një vërtetim gjykate që tregonte se ishte në gjyq me pronarët, në shkurt të vitit 2018 çdo gjë ndryshoi. Me një urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme, praktika u rifillua me pretendimin se pezullimi ishte pa arsye ligjore.

“Ne i morëm vesh të gjitha këto sipas dokumenteve që kishte bërë dhe na u tha nga Gjykata që Genci Gjoka po bën legalizimin, atëhere u interesuam se çfarë dokumentesh kishte Genci Gjoka dhe i morëm të gjitha këto deri sa doli certifikata e pronësisë së tij. Ai mori atë të ndërtimit, atë që mori në bashki dhe ia dërgoi legalizimit. Drejtor i legalizimit ka qenë Evis Qyra. Evis Qyra kur vajtëm ne, i dërguam dosjen të gjithë pronës, çfarë kishim nga fillimi deri në fund, të gjitha vendimet e gjykatave, duke i treguar Evis Qyrës edhe letrat e postës sepse ai mohon dokumentacionet që ne kemi dërguar. Thotë; “Unë ja bëra legalizimin se nuk më ka sjellë dokumentet Dhimo Boçi”. Në të vërtetë unë kam letrat postare, që i ka marrë letrat, nisjen tonë dhe përgjigjet që na ka dhënë Evis Qyra vetë, ka firmosur vetë.

Atëhere ne vajtëm te kryetari i Bashkisë, kryetari nuk na priti, na priti zëvendëskryetarja, e cila na sqaroi megjithëse unë e dija këtë gjë “Shteti u jep dhe merr vetëm atyre personave që u ka zënë vetë institucioni shtetëror, po të ishte çerdhe, po të ishte shkollë”, ndërsa ky ishte privatisht dhe e sqarova. Genci Gjoka e dinte shumë mirë këtë gjë dhe kjo është shkelja që bëri ai dhe këmbëngulja që bëri ai te Evis Qyra. Evis Qyra shkeli ligjin duke thënë në ballafaqim me ne dhe gjoja në Prokurori se “Unë ja kam bërë legalizimin në bazë të VKM-së që ka nxjerrë kryeministri”.

Pavarësisht situatës specialistët e Aluiznit vazhduan proçedurat duke u justifikuar se ligji i lejonte të legalizonin objekte mbi tokën e të tretëve, pasi pronarët do të “kompensoheshin” nga shteti. Ata pretenduan në prokurori se nuk kishin asnjë dijeni për vendimin e prishjes, pasi sipas tyre, asnjë shkresë zyrtare nuk ishte administruar në protokollin e Aluiznit që t’i njoftonte për vendimin e Gjykatës apo urdhrin e ekzekutimit. Kjo mungesë informacioni brenda zyrave që ndodheshin në të njëjtin qytet, çoi në skandalin e shtatorit 2018, ku Genci Gjoka do të merrte certifikatën e pronësisë për shtëpinë që duhej të ishte shembur.

Sipas avokatit Duraj, ish-zyra e legalizimit e asaj kohe nuk duhet të bënte një legalizim të tillë pasi jemi para një rasti të tejkalim kompetencash.

“Në të gjitha ligjet që kanë qenë për legalizim dhe për legalizimin e objekteve informale, të gjitha këto ligje me ndryshimin që kanë pësuar nuk mund të legalizohet një pronë që është fituar me vendim gjykate, kjo është taksative”, tha avokati Duraj.

Marrja e certifikatës nga personi që kishte uzurpuar pronën Genci Gjoka, ishte goditja finale për familjen Boçi. Përmbarimi u detyrua të ndalonte çdo veprim sepse ligjërisht nuk mund të prishej një objekt që shteti e kishte certifikuar si pronë të ligjshme. Duhej që Dhimo Boçi të shkonte personalisht në zyrat e Aluiznit dhe të bënte alarm, që Evis Qyra të urdhëronte një verifikim arkive. Vetëm atëherë, Aluizni e pranoi si gabim, anuloi lejen e legalizimit dhe kërkoi fshirjen e saj nga Hipoteka, duke pranuar se objekti ishte vërtet me vendim prishjeje të formës së prerë.

“Në mënyrë të qartë dhe eksplicite nuk mund të bëhej legalizim pasi e ka futur në rreth vicioz dhe e fut në një spirale këtë konflikt.

Kjo është në favor të atij që e ka zaptuar këtë pronë edhe pse ASHK-ja i është drejtuar gjykatës për revokim ndërkohë që mund ta bënte vetë revokimin pra në rrugë administrative duke konstatuar pavlefshëmri absolute.

Është një e drejtë e ASHK sipas ligjit, që mund ta revokojë vetë këtë vendimmarrje që ka marrë”, tha avokati Duraj.

Ai shton më tej se ASHK-ja nuk kishte pse e dërgonte rastin në gjykatë pasi ligji ia jep fuqinë që ta bëj vetë rregullimin për gabime që bën, duke bërë çregjistrimin.

Nga hetimet e ish Prokororisë Lushnje ka disa detaje që ngrenë pikëpyetje pasi lidhet me përgjegjësitë penale. Kodi penal nuk të përjashton nga dënimi kur bën gabime, pavarësisht se vendimi i prokurorisë për të pushuar çështjen e lë ngjarjen pa autor.

“Apelin më të madh sot ja bëj të gjitha Prokurorive, prokurores Merita Selimi, Arben Dyla, Skënder Mestani dhe tani në Fier që janë akoma, Elida Hoxhaj. Skandal ishte bërë edhe hetimi nga Elida Hoxhaj, kam mbetur pa fjalë, nuk e doja veten.

Sikur të kisha unë atë ditë një shishe me benzinë, do ta kisha plasur atë ditë në Gjykatën e Fierit, c’është kjo padrejtësi e madhe që të më bëhet o Zot?! Skandal ishte hetimi! Skandal!” shprehet Bukuria për kallëzimin që bëri ndaj dhunuesve.

Përtej kërkesës për drejtësi, cifti Boçi ndjehet i kërcënuar nga pala që ka paditur në Prokurori dhe kërkon mbrojtje nga institucionet.

“Ne ndjehemi të rrezikuar nga Genci Gjoka dhe Policia që nuk merr masa të duhura për fjalët që ne dëgjojmë lart e poshtë, jo do vemi ti vëmë tritolin, jo do i bëjmë këtë, jo atë. Kështu që unë e bëj gjumin me ëndrra dhe i lutem shumë kryeprokurorit se unë kam bërë dy herë denoncime edhe në SPAK dhe SPAK-u i ka dërguar kryeprokurorit të Fierit Elion Mustafaraj që ta shikojë”, deklaroi Bukuria.

Ish-prokurori Skënder Mestani do të pushonte hetimet në vitin 2022, duke lënë ngjarjen pa autorë dhe duke e specifikuar fabrikimin e një certifikate për uzurpatorin si padashje dhe e paqellimshme. Mestani do të dorëhiqej nga detyra e prokurorit në vitin 2023 për t’iu shmangur “Vettingut”, duke u përjashtuar nga institucionet e drejtësisë për 15 vite.

Rasti i fshatit Bubullimë në Lushnje ekspozon tregon darën shtetërore që bllokon të drejtat e pronarit të ligjshëm të tokës, për të rimarrë në zotërim pronën e vet. Në mënyrë të trishtë, Bukuria pranon se të gjitha këto vonesa janë bërë qellimisht, duke deklaruar se “këta” presin që ata të vdesin.

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 12:30 EDITORIAL

Sali Brava

Nga Bato Kosova

ide