Zgjedhjet në PD, Alimehmeti: Besoj se askush s'ka dyshim kush do jetë kryetar! Sa përjashtimin e Salianjit nga procesi...

30 Prill 2026, 20:45 / POLITIKË ALFA PRESS
Zgjedhjet në PD, Alimehmeti: Besoj se askush s'ka dyshim kush do

Partia Demokratike ndodhet në mes të një procesi intensiv zgjedhor të brendshëm, i cili pritet të kulmojë me zgjedhjen e kryetarit të ri, ndërkohë që opozita në tërësi shfaqet e fragmentuar në disa subjekte politike.

Këto zhvillime paralele ngrenë pyetjen nëse PD-ja do të dalë më e fortë apo debatet e brendshme do të thellohen?!

Për demokratin Ilir Alimehmeti, një vlerësim i plotë për gjendjen e Partisë Demokratike do të mund të bëhet vetëm në muajin qershor, kur i gjithë procesi i zgjedhjeve të brendshme, përfshirë Këshillin Kombëtar, kryesinë dhe sekretariatet, të ketë përfunduar.

Sa i përket garës për kreun e partisë, në intervistën e tij dhënë për “Ora News”, Alimehmeti theksoi se rezultati është praktikisht pa dyshime, duke lënë të kuptohet se pritet një rikonfirmim i Sali Berishës. Kriteret për kandidatët, sipas tij, kanë qenë të qarta: një figurë e lartë me njohje kombëtare dhe me një kontribut rreth 10-vjeçar brenda partisë.

Lidhur me disa kandidatura të refuzuara nga komisioni, si ato të Evi Kokalarit, Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut, Alimehmeti shprehet se ndonëse personalisht mbështet një proces sa më pluralist ku çdokush ka të drejtën të aplikojë, vendimi final i takon një komisioni specifik që vepron bazuar në një rregullore të miratuar.

Një tjetër çështje e diskutuar është hapësira për zërat kritikë brenda forcës më të madhe opozitare. Alimehmeti, duke cituar edhe rastin e tij personal, argumenton se Partia Demokratike ofron hapësirë për mendimin ndryshe, në kontrast me atë që ndodh në Partinë Socialiste. Megjithatë, ai nënvizon se në një sistem pluralist, pas debatit, është vendimi i shumicës ai që duhet respektuar dhe zbatuar nga të gjithë.

Fragmentimi i opozitës në disa parti shihet si një nga sfidat kryesore. Sipas tij, përgjegjësi kryesor për këtë situatë është kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se ishte ndryshimi i njëanshëm i ligjit zgjedhor në vitin 2021, i cili hoqi koalicionet parazgjedhore, ai që e detyroi opozitën të paraqitej e ndarë.

Ai shton se forcat opozitare duan të bashkëpunojnë, por në kuadrin e një koalicioni që njeh peshën specifike dhe përfaqësimin e çdo subjekti. Për këtë arsye, ai e konsideron ligjin aktual elektoral si një pengesë që duhet hedhur poshtë sa më parë.

Në fund, Alimehmeti theksoi se procesi opozitar është kompleks dhe nuk kufizohet vetëm te protestat. Ai përfshin një sërë elementësh si oponenca parlamentare, veprimtaria juridike dhe mediatike, si dhe diskutimet e brendshme për të krijuar një front sa më efektiv kundër qeverisë.

Dy procese që po ecin paralel, del më e fortë Partia Demokratike nga këto zgjedhje të brendshme apo ndoshta shtohen të tjera debate?

Alimehmeti: Po, zakonisht këto duhen folur mbas zgjedhjeve, se duhet parë dhe rezultati zgjedhor, sepse ju me të vërtetë thoni se është e para me datën 23 maj, po pastaj është krejt Partia Demokratike që hyn në zgjedhje. Pra që duke filluar që nga Këshilli Kombëtar, se degët pak a shumë po mbarojnë, akoma s'kanë mbaruar të gjitha degët, po janë në proces.

Edhe degët, por do jetë dhe Këshilli Kombëtar, por do jetë edhe kryesia, por do jenë dhe sekretariatet, pra të gjitha pozicionet e me radhë. Kështu që unë mendoj që një opinion më i plotë bëhet diku në qershor, se atëherë mbaron si proces. Pra, besoj unë gjysma e qershorit duhet të ketë përfunduar procesi i plotë. Nëse marrim edhe zgjedhjen e kryetarit.

Po, unë mendoj që nuk është se ka ndonjë dyshim tek zgjedhja e kryetarit, nuk besoj se ka pasur ndonjëherë ndonjë dyshim nga ky drejtim, qoftë në opinion publik, qoftë brenda Partisë Demokratike, pra kush do ishte kandidatura, si do procedohej e me radhë. E hapur ishte, ishte një vendim, siç e lexova unë për kriteret për kryetar, ishte një vendim goxha i gjerë në kuptimin që patjetër duhet të jetë një figurë e lartë, në kuptimin rajonal ose kombëtar, se po në fund të fundit po garon për kryetar të opozitës, se kur je kryetar i Partisë Demokratike je dhe kryetar i opozitës, virtualisht kryeministër në hije.

Me një kohë veprimi brenda Partisë Demokratike rreth 10 vjet, mos gabohem unë, edhe kjo bën sens, pra nuk mund të shkosh ditën e parë menjëherë. Domethënë, mund të shkosh po e sigurt që nuk fiton dot brenda strukturës se neve e njohim se si funksionon struktura partiake.

E pastaj zbatimi i ligjeve përkatëse të Republikës së Shqipërisë, edhe kjo është diçka e kuptueshme. Pastaj në fund fare të ditës, do presim, mos gaboj unë sot mbaron afati i aplikimeve. Dhe i presim dhe aplikimet deri në fund.

Nuk janë pranuar, ose janë refuzuar disa kërkesa, sikurse ajo e Evi Kokalarit, Ervin Salianjit dhe në mos gaboj e Alesia Balliut.

Alimehmeti: Po, nuk e di, se unë s'jam pjesë e komisionit, por unë bëj pjesë tek ai mendim politik pluralist, që mendoj që gjithkush, çdo lloj force apo çdo individ, apo grupazh, apo parti apo quani si të doni juve, ka të drejtën të aplikojë për t'u votuar. Nëse votohet, mirë, në qoftë se nuk votohet prapë do eci përpara ai që do të votohet e me radhë.

Por ka një komision, ka një rregullore që cakton x gjëra, pra i drejtohen me aplikim komisionit, komisioni pastaj përgjigjet. Pse, qysh tek, japin ata arsyetimin pse. Unë jam i mendimit që gara është e hapur për aq sa kohë kriteret që neve folëm pak më parë janë të plotësuara.

A ka sot ndoshta Partia Demokratike hapësirë dhe apo u lejohet hapësirë edhe zërave kritikë?

Alimehmeti: A ka hapësirë brenda Partisë Demokratike? Unë mendoj që ka. Një prej tyre jam unë për shembull, kështu që nuk mund të them dot që neve të mund të themi që gjithçka po ecën vaj brenda Partisë Demokratike. Absolutisht po. Shumë më ndryshe brenda Partisë Socialiste. Tani kujtojmë neve që në fund të fundit të gjithë shqiptarë jemi neve. Dhe brenda këtij konteksti shoqëror jemi rritur, ku brezat e prindërve tanë e gjyshërve tanë janë mësuar që të mos flasin asnjë fjalë. Kështu që është çikë e vështirë që direkt brezi im apo brezi i fëmijëve, megjithëse fëmijët tanë janë më ndryshe, po brezi jonë domethënë, që kemi lindur në atë regjimin e vjetër dhe si me thënë, një pjesë tjetër s'e kemi bërë aty. Jemi pak më të lirë e ka një liri më të madhe brenda Partisë Demokratike se sa ç'ka brenda Partisë Socialiste. Pra, mund t'i shihni shumë mirë diferencat. Pastaj, ecën para, ecën mbrapa, atje është për t'u diskutuar. Atje patjetër që mbetet për t'u diskutuar. Por që mendimi ndryshe është i diskutuar dhe i pranuar, kjo s'ka ndonjë diskutim. Pastaj, në fund të fundit të ditës të kujtojmë një diçka. Edhe pse ne mbështesim sistemin pluralist, po sistemi pluralist pastaj mbështetet në fund të fundit të ditës tek vendimi i shumicës. Pra, unë mund të jem pakicë, mendimin tim e them, po kur vjen puna tek vota fiton mendimi tjetër. Unë jam i detyruar të zbatoj mendimin e shumicës, pavarësisht që unë mendimin tim e kam të qartë dhe e mbështes. Njësoj si me shumë ligje të shtetit. Ne jemi dakord me shumë ligje të shtetit siç janë vendosur, por jemi të detyruar t'i zbatojmë apo jo? Ditën që vijmë ne në pushtet, shumë prej atyre ligjeve hidhen poshtë. Për shembull, ligji prindi një, prindi dy e me radhë, janë ligje që hidhen poshtë, por sot i ka vënë në fuqi ky zotëria që është. Pra, që do të thotë, ky është parimi im dhe në këtë mendim unë vazhdoj dhe qëndroj. Pluralizëm, me të drejtë vote dhe nëse je shumicë vendos. Nëse pastaj je pakicë, je i detyruar të ndjekësh vendimin e shumicës, pavarësisht që ke pasur një mendim ndryshe, patjetër.

Dhe veç organizimit brenda Partisë Demokratike, vihet re edhe që opozita në fakt është e ndarë në disa parti.

Alimehmeti: Po kjo është e vërtetë.

Qofshin ato të vjetra apo edhe të reja. A mos do ishte më produktive kundër këtij pushteti që energjia të ishte e fokusuar pikërisht në një organizim dhe në një front ndoshta edhe më të gjerë?

Alimehmeti: Po. Shumë e drejtë. Dhe ju e dini fare mirë që ky ka qenë investim direkt i Edi Ramës, në konceptin që moslejimi i koalicioneve parazgjedhore. Pra, direkt e tillë ka qenë veprimi që bëri për që në vitin 2021 në mënyrë unilaterale. Sepse në fund të fundit të ditës unë vazhdoj dhe them mendimin tim. Mendimi im është pluralist, në kuptimin që ka parti të ndryshme, dikush mendon që do krijojë një grupazh, ka ca ideologji e me radhë, po hyn në koalicion njëri me tjetrin. Po pa hequr dorë nga sigla e vet, pa hequr dorë nga përfaqësia e vet. Pastaj kush votohet më shumë përfaqësohet më shumë dhe ai që është më i madhi brenda koalicionit do drejtojë koalicionin. Kjo është realiteti. Ama, me kushtetutë sot ne nuk i kemi, me reformë zgjedhore nuk i kemi koalicionet parazgjedhore dhe kjo tashti sjell këtë diskutimin këtu pse s'është një front. S'është front sepse Edi Rama ka hequr koalicionet parazgjedhore nga sistemi elektoral. Kjo është arsyeja. Nuk është se nuk duan forcat opozitare të bashkëpunojnë. Duan të bashkëpunojnë brenda një koalicioni, por ama një koalicion i cili njeh peshën specifike të gjithsecilit. Dhe kjo bëhet vetëm në qoftë se ne i rikthehemi koalicioneve parazgjedhore. Shumë e thjeshtë. Ky ligj elektoral duhet hedhur komplet në kosh që ditën e parë të mundshme.

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 12:30 EDITORIAL

Sali Brava

Nga Bato Kosova

ide