Trafikoi një makinë nga Polonia, arrestohet 27-vjeçari në Lezhë

11 Dhjetor 2023, 14:46 / AKTUALITET ALFA PRESS

Trafikoi një makinë nga Polonia, arrestohet 27-vjeçari në

Një 27-vjeçar është arrestuar këtë të hënë në Lezhë, pasi akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri një automjet tip “Audi Q3” të vjedhur në Poloni.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale K.K, ndërkohë është proceduar edhe një 33-vjeçar, i cili dyshohet se kishte porositur këtë automjet

“Pas sigurimit të informacioneve nga inteligjenca policore, se disa shtetas ishin implikuar në një rast të trafikimit në Shqipëri, të një automjeti të vjedhur, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë organizuan punën në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.

Si rezultat, u arrestua shtetasi K. K., 27 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. L., 33 vjeç dhe F. Gj., 67 vjeç, të dy banues në Mirditë.

Nga hetimet dyshohet se 27-vjeçari ka trafikuar në Shqipëri, një automjet tip “Audi Q3” që rezulton i vjedhur në Poloni. Gjithashtu, dyshohet se porositësi i automjetit ka qenë shtetasi I. L. Në vijim, në oborrin e banesës së shtetasit F. Gj., u gjet automjeti tip “Audi Q3”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga shërbimet e Policisë”,- njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.