Trafikonin armë nga Kosova në Shqipëri/ Gjykata e Tiranës lë në burg 8 të arrestuarit

1 Qershor 2025, 12:10 / AKTUALITET ALFA PRESS

Trafikonin armë nga Kosova në Shqipëri/ Gjykata e Tiranës

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 8 persona të arrestuar në kuadër të një hetimi për shitblerje armësh.

Trupa gjykuese pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila paraqiti akt-ekspertiza dhe prova të sekuestruara gjatë operacionit të policisë.

Të arrestuarit që do të qëndrojnë në qeli janë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu.

Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi përpara gjykatës. Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimeve, duke pretenduar se policia ka përdorur metoda të paligjshme, si blerjet e stimuluara, dhe se mungojnë provat për veprimet konkrete të secilit të dyshuar.

Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu që të merren parasysh faktet që të arrestuarit nuk kanë precedentë penalë dhe ka kërkuar akt-ekspertiza për të vërtetuar funksionalitetin e armëve të sekuestruara.

Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykatës ekspertizat e armëve të kapura më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku vetëm një prej armëve ka rezultuar jashtë funksionit.

Operacioni i zhvilluar nga strukturat e rendit çoi në sekuestrimin e 14 armëve zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 armë automatike), 2077 fara kanabisi, municion luftarak, krehra, 3 automjete dhe 8 celularë.

 

Po ndodh...

ide