Tragjedia me 40 të vdekur në Zvicër, lirohet pronari i lokalit: Pagoi garanci mbi 200 mijë euro

23 Janar 2026, 21:17 / BOTA ALFA PRESS

Tragjedia me 40 të vdekur në Zvicër, lirohet pronari i lokalit:

Një gjykatë në kantonin e Valais ka urdhëruar lirimin nga paraburgimi të Jacques Moretti, bashkëpronar i lokalit në resortin e skive Crans Montana, ku gjatë natës së Vitit të Ri humbën jetën 40 persona, kryesisht të rinj.

Lirimi u vendos pasi Moretti pagoi një garanci prej 215 mijë eurosh. Gjykata bëri të ditur se masa e paraburgimit është hequr, ndërsa ndaj tij janë vendosur masa kufizuese për të shmangur rrezikun e arratisjes.

Ashtu si bashkëshortja e tij Jessica Moretti, e cila nuk ishte arrestuar, edhe ndaj Jacques Moretti janë vendosur detyrime të rrepta, përfshirë:

ndalimin e largimit nga Zvicra,

dorëzimin e dokumenteve personale të identifikimit,

paraqitjen e përditshme në një stacion policie,

pagesën e një garancie prej rreth 200 mijë frangash zvicerane.

Sipas mediave të huaja, Moretti ndodhej në paraburgim që prej datës 9 janar, si pjesë e hetimeve për tragjedinë që la pas 40 të vdekur dhe 116 të plagosur.

Gjykata theksoi se, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë, çdo person i dyshuar duhet të qëndrojë i lirë deri në përfundim të gjykimit, përveç rasteve kur ekziston rrezik i lartë për arratisje ose pengim të hetimeve.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri në lokalin “Le Constellation” u shkaktua nga fishekzjarre të përdorura në ambiente të mbyllura, të cilat ndezën materialin izolues akustik në tavanin e bodrumit.

Autoritetet po hetojnë nëse lokali respektonte rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri, si dhe përgjegjësitë e pronarëve për ngjarjen tragjike.

Po ndodh...