Vdekja e 3-vjeçarit në Shkodër, reagon babai i të miturit: As vetë nuk e di se ç’ka ndodhur, por im bir nuk ndërroi jetë nga ilaçi i minjve!

25 Shkurt 2025, 19:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vdekja e 3-vjeçarit në Shkodër, reagon babai i të miturit:

Babai i 3-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës disa ditë më parë, ka reaguar për mediat.

Samed Hasmegaj tha për emisionin “People” se vdekja e djalit të tij nuk mund të ketë ardhur nga përdorimi i ilaçit për minjtë.

Sakaq burime paraprake nga mjekët e spitalit të QSUT thanë dje se nga ekzaminimet dyshohet se 3 vjeçari që vdiq dhe motra e tij, e cila ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore në pediatrinë e QSUT dyshohet të jenë helmuar nga ilaçet kundër minjve.

Por i ati e fëmijëve mohon diçka të tillë. Ai thotë se as ai vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht me të birin dhe se pse ai ndërroi jetë aq papritmas.

“As vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin. Mediat kanë abuzuar me lajmet, unë vetë nuk i kam parë, por më kanë thënë të afërmit që në lajme thuhet se djali ka ndërruar jetë nga ilaci që mund të kem përdorur për minjtë, kjo nuk është e vërtetë. Mjekët më thanë në fillim se ndoshta mund të ketë qenë një gjendje gripale, por nuk e di. Pritemi të më thonë më shumë mjekët. Vajza është ende në gjendje të rëndë, mjekët nuk më kanë thënë ende se sa do të qëndrojë në spital. Edhe bashkëshortja është në spital dhe ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore”, tha babai i të miturit për Euronews Albania.

Kujtojmë se 3-vjeçari ndërroi jetë në Shkodër, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën e e shtruar në QSUT.

Reagimi zyrtari i policisë për ngjarjen

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia bën me dije se të premten (21 shkurt) dy fëmijët janë dërguar në spital nga babai i tyre, me dyshime për viroza të stinë. Pas mjekimit ata janë larguar në banesë.

Por për shkak se gjendja e tyre ishte rënduar, një ditë më vonë, babai i kishte dërguar sërish në spital, por fatkeqësisht 3-vjeçari kishte humbur jetën. Ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.

“Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.

Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit“, njofton policia.

Por çfarë deklaron spitali i Shkodrës

Sipas Spitalit Rajonal Shkodër prindërit e dërguan  djalin e mitur në spital ditën e premte. Familjarëve u është kërkuar që fëmija të lihet në observacion. Por, prindërit kanë firmosur për ta nxjerrë e për ta çuar në shtëpi. Spitali pretendon se janë ndjekur të gjitha protokollet.

Të nesërmen, prindërit e kane sjellë sërish fëmijen ne gjendje shumë të rëndë dhe është dërguar menjëherë në reanimacion, ku ka ndërruar jetë.

Burime pranë spitalit  rajonal të Shkodrës bëjnë me dije se fëmija 3-vjeçar u paraqit ditën e shtunë rreth orës 10:00 të paradites në gjëndje të rënduar shëndetësore me insuficensë kardiake( puls të ulët, shenja jetësore shumë të ulta, ndërsa 10 minuta pasi ka mbërritur ne spital ka ndërruar jetë.

Pas rreth 20-30 minutash ka mbërritur dhe motra e tij në spitalin e Shkodrës me të njëjtat simptoma dhe i është dhënë ndihma e parë dhe është dërguar menjëhere në QSUT ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Nuk dihet gjëndja shëndetsore e nënës së dy fëmijëve që është 37 javëshe shtatzënë por nuk është paraqitur në spitalin e Shkodrës.

 

Po ndodh...