Vrasja makabre e Ilaria Sulës nga ish i dashuri, Prokuroria e Romës kërkon gjykim të menjëhershëm për Mark Samson! Babai i 22-vjeçares: Drejtësia të vihet në vend

Prokuroria e Romës ka kërkuar gjykim të menjëhershëm për Mark Antony Samson, 23 vjeç, i cili ka pranuar fajësinë për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula.
Vrasja ka ndodhur në një apartament në rrugën Homs, në lagjen Africano të Romës, ku e reja shqiptare është goditur me tre goditje thike në qafë dhe më pas trupi i saj është fshehur në një valixhe dhe hedhur në një greminë në zonën e Capranica Prenestina.
Prokurorët, nën drejtimin e prokurorit të shtetit Giuseppe Cascini, e akuzojnë Samson për vrasje të qëllimshme me paramendim, motive e ulëta dhe lidhja afektive me viktimën, si dhe për fshehje kufome.
Në këtë procedim është nën hetim edhe nëna e Samson, e dyshuar për bashkëpunim në fshehjen e trupit.
Ndër provat që kanë rënduar pozitën e Samson është edhe një mesazh që hetuesit kanë gjetur në telefonin e tij, ku ai u shkruante miqve për Ilarian: “Ose kthehet me mua, ose do ta vras”.
Në vendimin e prillit të kaluar, me të cilin u konfirmua ndalimi dhe u caktua masa e arrestit me burg, gjyqtarja hetuese Antonella Minunni theksoi se “ajo që bie në sy është vetëkontrolli dhe qartësia me të cilën Samson vepron, veçanërisht pas vrasjes së Ilaria-s.”
Pavarësisht deklaratave të tij se nuk mund të jetonte pa të dhe se nuk mund ta imagjinonte jetën pa të, ai vazhdoi jetën e tij sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Sipas hetimeve, pas vrasjes, ai takoi një shoqe të Ilaria-s, hëngri një piadinë me të dhe bisedoi si për problemet që kishte pasur me Ilaria-n, ashtu edhe për çështje të zakonshme e pa rëndësi.
Gjyqtarja shtoi se Samson nuk shfaqi asnjë ndjeshmëri apo pendesë, duke i dërguar të atit të vajzës mesazhe të rreme si të ishin dërguar nga vetë Ilaria, dhe njësoj veproi edhe me shoqet e saj, duke i lënë të besonin se ajo ishte ende gjallë.
Pas kërkesës së prokurorisë ka ardhur edhe një reagim nga familja e Ilaria, ku babai i saj është shprehur sërish se kërkon drejtësi për të bijën.
“Ata njerëz i kanë shkaktuar shumë dhimbje familjes sime. Shpresoj që drejtësia të vihet në vend”, ka deklaruar Flamur Sula, babai i Ilaria-s për ANSA.
“Ilaria kishte gjithë jetën përpara. Nuk është e drejtë që princesha ime të përfundojë në këtë mënyrë të tmerrshme. Kam besim në drejtësinë italiane,” përfundoi Flamur Sula.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
