Zëri i Amerikës: Shqipëria gati të çelë negociatat për dy grup-kapituj të tjerë me BE-në

11 Mars 2025, 21:15 / AKTUALITET ALFA PRESS

Zëri i Amerikës: Shqipëria gati të çelë

Në Tiranë, kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka tha se vendi është gati të çelë negociatat me BE-në edhe për dy grup-kapituj të tjerë, ndërsa shpreson shumë që të gjithë grup-kapitujt të hapen sivjet.

Dy grup-kapitujt e rinj kanë të bëjnë me ekonominë dhe konkurrencën, ndërsa BE po përgatit qëndrimin e vet, për t’u organizuar së shpejti konferenca tjetër ndërqeveritare. Por opozita, gjatë një mbledhje me kryenegociatoren në Këshillin e Integrimit Europian, u shpreh mosbesuese për rezultatet e deritanishme të integrimit dhe për mungesën e transparencës në këtë proces, siç e cilësoi një përfaqësuese e saj.

Pasi ka hapur negociatat vitin e kaluar dhe ka nisur punën me Grup-kapitullin 1 (Themeloret/Shteti i të drejtës) dhe Grup-kapitullin 6 (Marrëdhëniet me jashtë), Tirana ka paraqitur në BE qëndrimin për Grup-kapitujt 2 dhe 3, (Konkurueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse) se është gati për çeljen e negociatave mbi to.

Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka, tha sot para Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian se negociatat e pritshme për dy grupkapituj të rinj përfshijnë 17 fusha të tjera, që i përkasin ekonomisë, tregut dhe konkurueshmërisë, duke dëshmuar ritmin e përshpejtuar të saj në rrugëtimin drejt BE-së, si një partner i besueshëm në politikën e jashtme, i cili po punon tashmë për forcimin e shtetit të së drejtës.

“Shqipëria do t’i konsolidojë hemelet e shtetit europian në rrugën drejt anëtarësimit, do ta forcojë pavarësinë e gjyqësorit, do të mbështesë fort zbatimin dhe konsolidimin e reformës në drejtësi, luftën për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, tha zonja Dhuka.

Zonja Dhuka tha se Shqipëria ka bërë përparim në reformat ekonomike për t’u afruar me tregun europian, ndërsa BE paraqiti dhe vuri në zbatim Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, krahas të cilës Tirana përgatiti Agjendën e Reformave Europiane, dhe nga zbatimi i saj ofrohet mbështetje mbi 900 milionë euro programe investimesh.

Ajo nënvizoi vlerësimet e BE-së nga progres-raporti se Shqipëria ka bërë përparim në 32 nga 35 fusha, dhe se sot ajo është mesatarisht e përgatitur në 24 fusha nga 33, sa I përket kritereve për anëtarësim.

Por kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Jorida Tabaku, deputete e opozitës, u shpreh skeptike për ecurinë e deritanishme, përkundër rezultateve të renditura nga kryenegociatorja Dhuka.

Zonja Tabaku tha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është tashmë një çështje sigurie me përparësi të lartë dhe se autoritetet duhej të kishin hapur një diskutim kombëtar mbi angazhimet dhe detyrimet e Shqipërisë për procesin e integrimit me qytetarët, me sindikatat, grupet e interesit, shoqërinë civile, qarqet e biznesit, e jo të mbahet i mbyllur pa transparencë në një sirtar të qeverisë.

Ajo theksoi se në rrugën e integrimit europian Shqipëria ka shumë detyra përpara sa i takon Grup-kapitullit 1 (Themeloret), ka nevojë për më shumë punë dhe më shumë qëndrueshmëri.

“Ne nuk matemi dot me sa kapituj janë hapur, por me sa kapituj janë mbyllur me sukses. Shqipria është sot në një moment delikat për të parë nëse ka mundësi që institucionet demokratike të funksionojnë, a ka mundësi që të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, a ka mundësi që të tregojmë se ato standartet europiane, të cilat aspirojmë çdo ditë, së pari t’I zbatojmë vet”, tha zonja Tabaku.

Opozita vlerëson se disa nisma të fundit ligjore të qeverisë kanë shkuar kundër frymës së BE-së, si ligji për auditin, ai për zonat e mbrojtura, kontratat pa garë, por shton se Shqipëria duhet të ndërmarrë hapat e duhur brenda afateve të përcaktuara, duke mos humbur më shumë kohë.

Ndërsa drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, kujtoi se rezultatet në Grupkapitullin 1 Themeloret janë përcaktuese në ritmin e negociatave, por sfida thelbësore, sipas tij, mbetet kryerja e reformave në mënyrë që ligjet e Shqipërisë të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së.

Parlamenti Europian njoftoi se do të hapë një zyrë për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, një mundësi më e mirë për fuqizimin e dialogut mes parlamenteve dhe shoqërisë civile të rajonit me institucionet europiane.

Komisionerja e re e BE-së për zgjerimin Marta Kos, pritet të vizitojë Shqipërinë për herë të parë në fund të kësaj jave, ndërsa brenda marsit Shqipërinë pritet ta vizitojë edhe zëvendës-presidentja e BE-së, Kaja Kalas, komisionere për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128