Analiza e DW: Vendet e BE japin dritë të gjelbër për Mercosurin

9 Janar 2026, 21:13 / BOTA ALFA PRESS

Analiza e DW: Vendet e BE japin dritë të gjelbër për

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel të premten hapën rrugën për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Mercosur-in dhe me vendet e Amerikës së Jugut.

Shumica e 27 shteteve anëtare të BE, që përfaqësojnë 65% të popullsisë së bllokut, kanë rënë dakord të avancojnë me propozimin. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mund të nënshkruajë që javën e ardhshme marrëveshjen me partnerët e BE në Mercosur, me Brazilin, Paraguain, Argjentinën dhe Uruguain. Marrëveshja ende duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian para se të hyjë në fuqi.

Jo të gjithë anëtarët e BE janë dakord

Edhe pse marrëveshja do të miratohet nga shumica e nevojshme, disa aktorë kyç nuk e kanë mbështetur atë. Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi të enjten në mbrëmje se vendi i tij nuk do ta miratonte marrëveshjen, duke deklaruar se forcat politike franceze ishin “unanime” në refuzimin e marrëveshjes. “Franca është në favor të tregtisë ndërkombëtare, por marrëveshja BE-Mercosur është një marrëveshje nga një epokë tjetër, e negociuar për shumë gjatë mbi baza tepër të vjetruara,” tha Macroni në një postim në platformën X.

Marrëveshja BE-Mercosur, e cila nëse ratifikohet do të krijonte njërin prej blloqeve më të mëdhenj të tregtisë së lirë në botë, ishte planifikuar fillimisht të nënshkruhej në Brazil në dhjetor.  Megjithatë, ajo u përball me rezistencë nga disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, Francën dhe Poloninë, dhe u desh të shtyhej.

Friedrich Merz lëvdon marrëveshjen “historike”

Gjermania, e cila prej kohësh ka mbështetur marrëveshjen, e mirëpriti marrëveshjen. Berlini shpreson se marrëveshja do të ofrojë mundësi të reja tregu për ekonominë e vendit, e cila varet nga eksportet dhe ka pasur vështirësi të dalë nga një periudhë e gjatë stanjacioni.

“Miratimi i Marrëveshjes BE-Mercosur është një pikë kthese në politikën tregtare evropiane dhe një sinjal i rëndësishëm i sovranitetit tonë strategjik dhe aftësisë sonë për të vepruar,” tha kancelari Friedrich Merz.

Ministri i Financave të Gjermanisë, Lars Klingbeil gjithashtu e vlerësoi marrëveshjen si një shtysë të nevojshme për tregtinë e lirë. “Ndërsa të tjerët po izolojnë veten dhe ndjekin politika tregtare gjithnjë e më agresive, ne po përqendrohemi te partneritetet e reja,” tha Klingbeili.

Marrëveshja synon të diversifikojë tregtinë përballë tarifave amerikane dhe do të afrojë shtetet anëtare të BE me Brazilin, Paraguain, Argjentinën dhe Uruguajin, duke eliminuar tarifat e importit për më shumë se 90% të produkteve.

BE thotë se kompanitë në bashkësi do të kursejnë miliarda në tarifa çdo vit dhe se kjo do të ndihmojë eksportet e automjeteve, makinerive, verërave dhe pijeve alkoolike në Amerikën Latine.

“Ky është marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë që kemi negociuar ndonjëherë,” tha të mërkurën Komisioneri i BE i Tregtisë, Maros Sefcovic, pas bisedimeve.

“Ne kemi në duart tona mundësinë për të dërguar një mesazh të rëndësishëm botës në mbrojtje të multilateralizmit dhe për të forcuar pozicionin tonë strategjik në një mjedis global gjithnjë e më konkurrues,” tha në dhjetor Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva.

Ka pasur rezistencë të fortë te fermerët, por pavarësisht kësaj, qeveritë gjermane dhe spanjolle janë ndër ato që e mbështesin më shumë marrëveshjen.

Fermerët kanë shprehur shqetësimin se marrëveshja kërcënon të minojë bizneset e tyre me importet më të lira, por Berlini dhe Madridi thonë se marrëveshja do të jetë një shtysë shumë pozitive për industritë që po luftojnë me konkurrencën kineze dhe tarifat doganore në Shtetet e Bashkuara.

Të enjten, fermerët nxorrën traktorët në rrugë, duke bllokuar rrugët në Paris dhe në pjesë të Gjermanisë./DW

Po ndodh...