Analiza/ Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të konfliktit në Lindjen e Mesme

18 Prill 2026, 20:56 / BOTA ALFA PRESS
Analiza/ Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të konfliktit

Dy mjete detare të armatosura të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë hapur zjarr ndaj një anijeje cisternë në Ngushticën e Hormuzit, sipas Qendrës së Operacioneve Tregtare Detare të Britanisë së Madhe (UKMTO), sipas BBC.

Ekuipazhi raportohet të jetë i sigurt. Një anije kontejnerësh është goditur gjithashtu nga “një predhë e panjohur” rreth 25 milje në verilindje të Omanit, duke shkaktuar dëme në disa kontejnerë.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit (SNSC) deklaroi se është “i vendosur” të ushtrojë kontroll mbi ngushticën deri në përfundim të luftës.

Ky reagim vjen pasi IRGC-ja njoftoi se ngushtica do të rikthehej “në gjendjen e mëparshme”, me forcat e armatosura që kontrollojnë zonën.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se SHBA-ja nuk do të lejonte që Irani të “shantazhonte” Uashingtonin.

Ndërkohë, SHBA-ja ka njoftuar se ka kthyer 23 anije, që nga fillimi i bllokadës detare më 13 prill, ndërsa SNSC-ja e Iranit e cilësoi këtë veprim si shkelje të kushteve të armëpushimit.

Një ushtar francez i misionit paqeruajtës të OKB-së është vrarë, sipas presidentit Emmanuel Macron, i cili sugjeroi se përgjegjës mund të jetë Hezbollahu. Ky i fundit ka mohuar përfshirjen në incident.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se kanë vendosur një perimetër sigurie të quajtur “linja e verdhë” në jug të Libanit dhe kanë goditur “terroristë që shkelën armëpushimin” duke iu afruar trupave izraelite.

Raportime nga terreni tregojnë se banorët në qytetin kufitar Khiam, po përpiqen të rikthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa ushtria libaneze ka ngritur barriera për t’i ndaluar, në një kohë kur shpërthime të forta vijojnë të dëgjohen në zonat nën kontrollin izraelit.

Dyshohet se shpërthimet lidhen me operacione të ushtrisë izraelite për shkatërrimin e strukturave.

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) deklaroi se një vlerësim paraprak tregoi se zjarri ishte shkaktuar nga aktorë jo-shtetërorë, “dyshohet per Hezbollahun”, dhe një hetim ka nisur për këtë.

Hezbollahu ka reaguar duke mohuar përfshirjen dhe duke shprehur “habinë” për akuzat e shpejta, duke theksuar nevojën për koordinim mes ushtrisë libaneze dhe UNIFIL-it, sidomos në këto kushte delikate.

UKMTO-ja njoftoi se një anije turistike ka raportuar një “goditje në afërsi të menjëhershme” rreth tre milje detare në lindje të Omanit, pas sulmeve të raportuara ndaj një anijeje cisternë dhe një anijeje kontejnerësh në orët e fundit

Po ndodh...