Bisedimet Ukrainë-Rusi, Trump me nota pozitive: Mundësia e një marrëveshjeje është e hapur

7 Shkurt 2026, 09:51 / BOTA ALFA PRESS

Bisedimet Ukrainë-Rusi, Trump me nota pozitive: Mundësia e një

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë sinjale optimiste lidhur me përparimin e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke deklaruar se po zhvillohen “bisedime shumë të mira” mes palëve të përfshira.

Duke folur dje, të premten, para gazetarëve, Trump u shpreh: “Sot pati bisedime shumë të mira, në lidhje me Rusinë dhe Ukrainën. Diçka mund të bëhet”. Deklaratat vijnë në një kohë kur konflikti, i nisur në shkurt të vitit 2022 me pushtimin rus të Ukrainës, vazhdon pa një zgjidhje të qartë në horizont.

Sipas një raportimi të Reuters, negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë diskutuar një objektiv ambicioz për arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës deri në muajin mars. Megjithatë, burimet theksojnë se ky afat mbetet fleksibël, për shkak të mosmarrëveshjeve serioze mbi çështjet territoriale.

Në bazë të kornizës së diskutuar, çdo marrëveshje e mundshme pritet t’i nënshtrohet një referendumi në Ukrainë, ndërsa qytetarët mund të ftohen njëkohësisht të marrin pjesë edhe në zgjedhje kombëtare. Sipas burimeve të njohura me procesin, është shqyrtuar edhe mundësia që zgjedhjet dhe referendumi të mbahen paralelisht në muajin maj.

Raundi i dytë i bisedimeve në Abu Dhabi ka prodhuar rezultate të kufizuara, duke çuar kryesisht në shkëmbimin e 314 të burgosurve të luftës dhe një angazhim për vijimin e dialogut. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se takimi i ardhshëm trepalësh mund të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.

Ekipi negociator amerikan drejtohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit, të cilët, sipas burimeve, kanë inkurajuar palën ukrainase që proceset zgjedhore të zhvillohen sa më shpejt.

Po ndodh...