
Botërori 2026 në SHBA! Trump do drejtojë përgatitjet, takon kreun e FIFA-s


Donald Trump krijoi një task forcë për të koordinuar sigurinë dhe përgatitjet e Kupës së Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë mes tensioneve tregtare dhe politike në rajon. FIFA e përshkroi turneun si një sfidë logjistike të jashtëzakonshme, ndërsa Trump tha se tensioni e bën me emocionues aktivitetin në tre shtete.
Presidenti i SHBA Donald Trump zyrtarizoi një task forcë për përgatitjen e Kupës së Botës 2026, e cila do të sjellë turneun më prestigjioz të futbollit në Amerikën e Veriut, në një kohë kur e ashtuquajtura luftë e tarifave ka rritur tensionet në rajon e më gjerë.
“Besoj se do ta bëjë akoma më emocionuese,” tha Trump për zhvillimin e Kupës së Botës mes retorikës së ashpër mes liderëve të vendeve pritëse. “Tensioni është një gjë e mirë” Shtoi AI.
Task forca, në krye të së cilës do të jetë vetë Trump, do të koordinojë sigurinë dhe planifikimin federal për turneun, i cili pritet të tërheqë miliona turistë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Është një nder i madh për vendin tonë që e kemi këtë mundësi,” tha Trump pas takimit me zyrtarë të FIFA-s, duke shtuar se dëshiron të ndjekë disa ndeshje.
Përgatitjet për turneun po intensifikohen paralelisht me tensionet midis SHBA-së dhe fqinjëve të saj, pasi Trump ka kërcënuar shpesh me tarifa tregtare, duke ndikuar tregjet dhe duke nxitur frikën për një krizë ekonomike.
Në 2026, Kupa e Botës do të zgjerohet në 48 ekipe dhe 104 ndeshje në tre vende, duke u bërë për herë të parë një turne i shpërndarë në më shumë se një shtet.
78 nga 104 ndeshjet do të luhen në SHBA, ndërsa 13 ndeshje do të mbahen në Meksikë dhe Kanada, me deri në gjashtë ndeshje në ditë.
Finalja do të luhet më 19 korrik në "MetLife Stadium" në Neë Jersey.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se task forca do të sigurojë që çdo vizitor nga e gjithë bota "të ndihet i sigurt, i lumtur dhe të përjetojë diçka të veçantë".
"Ne jemi këtu për të krijuar dhe organizuar shfaqjen më të madhe që ka parë ndonjëherë planeti," tha Infantino.
Ai i dhuroi Trump një top të personalizuar dhe prezantoi një trofe të madh që do t’i jepet fituesit të Kupës së Botës për Klube FIFA 2025, turne që do të zhvillohet këtë verë si parapërgatitje për garën e kombëtareve vitin e ardhshëm.
Trump tha se SHBA-ja, ku futbolli është rritur në popullaritet por mbetet ende një sport dytësor, është një treg i madh për zhvillimin e futbollit.
Infantino krahasoi organizimin e Kupës së Botës me tre Super Bowl në ditë për një muaj rresht, duke theksuar sfidat logjistike dhe të sigurisë për vendet pritëse.
Administrata e Trump do të përballet me një tjetër sfidë të madhe sportive në vitin 2028, kur Lojërat Olimpike Verore do të mbahen në Kaliforni, hera e parë që SHBA pret Olimpiadën që nga Salt Lake City 2002.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128