Izraeli ndërpreu energjinë elektrike në Gaza, reagon Hamasi: Dënojmë vendimin, është shantazh politik!

9 Mars 2025, 23:24 / BOTA ALFA PRESS

Izraeli ndërpreu energjinë elektrike në Gaza, reagon Hamasi:

Hamasi denoncoi sot “shantazhin e papranueshëm” të Izraelit , i cili vendosi të ndalojë furnizimin me energji elektrike në Rripin e Gazës përpara negociatave të reja për vazhdimin e armëpushimit.

Ne dënojmë kategorikisht vendimin (Izraelit) për të ndërprerë energjinë elektrike në Gaza, pasi e privoi atë nga ushqimi, ilaçet dhe uji,” tha në një deklaratë Izzat al-Rishk, një anëtar i Byrosë Politike të lëvizjes islamike palestineze, duke denoncuar “një politikë të vogël dhe të papranueshme shantazhi”.

Linja e vetme e energjisë midis Izraelit dhe Gazës ushqen impiantin kryesor të shkripëzimit të ujit në këtë territor palestinez, i cili siguron ujë për më shumë se 600,000 njerëz.

Izraeli ndërpreu sot linjën e energjisë elektrike në Rripin e Gazës, tha ministri izraelit i Energjisë Eli Cohen në një deklaratë për mediat gjatë kësaj të diele (9 mars).

“Sapo firmosa një urdhër për ndalimin e menjëhershëm të energjisë elektrike në Rripin e Gazës”, tha Cohen.

Ky zhvillim vjen pasi bisedimet e ndërmjetësuara mbi armëpushimin dhe marrëveshjen e pengjeve janë duke u zhvilluar, ndërkohë që Hamasi kërkon fillimin “e menjëhershëm” të bisedimeve për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, të cilën Izraeli e kundërshton.

Izraeli dëshiron të zgjasë fazën e parë të marrëveshjes për të vazhduar shkëmbimin e pengjeve – por pa ndonjë angazhim për përfundimin e përhershëm të luftës.

Javën e kaluar, Izraeli njoftoi bllokadë të të gjithë ndihmave në enklavë për t’i bërë presion Hamasit që të pranonte kushte të reja për një zgjatje të marrëveshjes aktuale të armëpushimit.