A keni komunikuar me Ramën? Ja si përgjigjet Veliaj nga qelia: Faturën time do e paguajë Republika...

9 Mars 2025, 21:37 / POLITIKË ALFA PRESS

A keni komunikuar me Ramën? Ja si përgjigjet Veliaj nga qelia:

Erion Veliaj ka dhënë një intervistë nga qelia mbrëmjen e sotme për Euronews Albania, ku ka vazhduar sulmet ndaj magjistratëve të çështjes së tij, prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani.

I pyetur nëse a ka komunikuar me Ramën, Veliaj e mohoi duke shtuar se është në izolim.

Ai hodhi akuza drejt prokurorit Dado, se prej dy javësh nuk i ka miratuar asnjë takim, edhe pse në media janë publikuar lajmet se Veliajt i është miratuar leja për të takuar jo vetëm avokatët, por edhe familjarët, po ashtu të zhvillojë edhe takime pune me punonjlsit e Bashkisë.

Pyetje – A keni komunikim me kryetarin e partisë tuaj, z. Rama?

“Jo, jam në izolim total. Ols hakmarrësi nuk ka miratuar prej dy javësh asnjë takim – as politikanë të huaj, drejtues të kulteve apo shokë e miq. Kjo është një tjetër provë se ky kurth i kurdisur keq, me anonime, veting, shpallje fajtor pa akuzë dhe izolim total është një njollë jo e vogël e një reforme, që e mbështetën të gjithë”, thotë Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës është ndalur dhe te qendrimi i PS dhe Edi Rama për rastin e tij, duke e cilësuar se po bëjnë gjënë e duhur duke mbështetur sistemin e drejtësisë dhe ka shprehur besimin e plotë ndaj shefit të tij, duke thënë se ka një jetë që punon me të.

“Ndaj, Partia Socialiste dhe Edi Rama po bëjnë gjënë e duhur, sistemi do mbështetur dhe anomalitë që kanë prodhuar duhen adresuar – bash siç thotë edhe Gjykata e Strasburgut për rastet Hysa dhe Gëllçi. Ideja burg-burg-burg përveçse e bën të pabarabartë mbrojtjen, do prodhojë një faturë që s’do e paguajë Ols Dado dhe Erion Bani, por Republika. Pra, taksapaguesit,” tha Veliaj.

Pyetje – Çfarë do t’i shtonit apo do t’i hiqnit atyre që ka shprehur Kryeministri për këtë rast?

“Kam një jetë që punoj krah Edit dhe kam besim të plotë.”