Deklarata kundërthënëse: Ka apo s’ka Serbia top zanor?

20 Mars 2025, 17:19 / BOTA ALFA PRESS

Deklarata kundërthënëse: Ka apo s’ka Serbia top zanor?

Brenda pak ditësh, autoritetet në Serbi thanë se policia “nuk ka top zanor”, kërcënuan se do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që përhapin “mashtrime të tilla” dhe, në fund, pranuan se ka aparate zanore, por se “nuk janë përdorur kurrë”.

Rrëfimi nëse policia ka përdorur ose jo top zanor ndaj qytetarëve serbë, fillon më 15 mars, në një protestë në Beograd, që mblodhi qindra mijëra njerëz.

Rreth orës 19:10 atë ditë, derisa qindra mijëra qytetarë po nderonin në heshtje 15 viktimat e tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, turma që ishte e mbledhur në rrugën Mbreti Millan në Beograd, u largua papritur nga rruga.

Disa të pranishëm përshkruan disa tinguj dhe dridhje të forta e të pazakonta.

Aktualisht, nuk ka asnjë informacion zyrtar se çfarë e shkaktoi një reagim të tillë.

Pas protestës, dëshmitarët folën për një zhurmë të fuqishme, për dridhje në trup, e disa thanë se kishin edhe valë të njëpasnjëshme të nxehtësisë.

Të shumta janë edhe dëshmitë për probleme shëndetësore në ditët pas protestës.

Topi zanor i përket një grupi armësh jovdekjeprurëse, që mund të përdoren për qëllime policore dhe ushtarake, si: kontrolli i trazirave, zmbrapsja e sulmeve ose komunikimi në distanca të gjata.

Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për vitin 2020 thonë se, edhe pse llojet e tilla të armëve janë krijuar për të reduktuar rrezikun e vdekjes në krahasim me armët konvencionale të zjarrit, përdorimi i tyre mund të shkaktojë lëndime serioze ose vdekje.

Studentët, që thirrën protestën e 15 marsit, i akuzuan autoritetet për përdorim të topit zanor.

Atyre iu bashkuan edhe shumë prej politikanëve të opozitës.

Materialet nga rrjetet sociale, si dhe dëshmitë e qytetarëve janë duke i grumbulluar gjashtë organizata të shoqërisë civile nga Beogradi, të cilat besojnë se “ka dyshime serioze se janë përdorur disa mjete për shpërndarjen e protestuesve”.

Bashkimi Evropian kërkoi një hetim “të shpejtë, transparent dhe të besueshëm” të këtyre pretendimeve.

15 mars: “Akuza të turpshme”

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ishte e para që reagoi, duke i mohuar informacionet se policia kishte përdorur top zanor gjatë protestës.

Sipas deklaratës, Ministria e Brendshme asnjëherë nuk i ka përdorur dhe nuk i përdor mjetet që nuk janë të parapara me ligj.

Tri orë pas incidentit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua publikut, duke mohuar se në protestë është përdorur topi zanor.

“Dua jo vetëm ta mohoj, por të them se janë të turpshme akuzat se dikush ka përdorur top zanor”, tha ai.

Pastaj, pasuan edhe fyerje në drejtim të opozitës.

“Le të mbetet në nderin e atyre gënjeshtarëve në opozitë që i shpikën topat zanorë”, tha Vuçiq.

16 mars: “Gënjeshtra” dhe paralajmërime nga Prokuroria

Të nesërmen, ministri në largim i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, përsëriti garancitë nga dikasteri që drejton.

“Në ortekun e lajmeve të rreme, dëshiroj t’i mohoj të gjitha pretendimet dashakeqe dhe të ritheksoj – nën përgjegjësinë e plotë morale dhe penale – se policia nuk ka përdorur asnjë mjet të paligjshëm gjatë tubimit të djeshëm”, tha Daçiq.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë lëshoi një deklaratë, duke thënë se, ashtu si Ushtria e Serbisë, “nuk ka përdorur dhe nuk përdor top zanor apo mjete që nuk parashihen me ligj”.

Vuçiq i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë që të “përcaktojnë të vërtetën për përdorimin e topit zanor” dhe “t’i ndjekin penalisht ata që dolën publikisht me mashtrime të tilla dhe i shqetësuan qytetarët”.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd urdhëroi Prokurorinë e Parë Themelore Publike që të ngrejë një rast dhe t’i identifikojë personat që kanë përhapur informacione në opinion, se Qendra Emergjente ka trajtuar dhjetëra qytetarë me sëmundje që mund të jenë shkaktuar nga shpërthimi i topit zanor.

Në deklaratën e Prokurorisë së Lartë Publike thuhet se ky institucion ka reaguar, pasi Emergjenca e Qendrës Klinike Universitare të Serbisë i ka mohuar këto pretendime të bëra në rrjetet sociale.

Prokuroria tha në njoftimin e saj se “personat që kanë shpërndarë këtë informacion, dyshohen për kryerjen e veprës penale: shkaktim i panikut dhe trazirave”, e cila dënohet me burgim deri në pesë vjet.

17 mars: Policia “nuk ka top zanor”

Dy ditë pas protestës, Prokuroria e Parë Themelore Publike në Beograd hapi një rast dhe urdhëroi Ministrinë e Punëve të Brendshme të përcaktojë se çfarë ka ndodhur saktësisht në protestën në Beograd.

“Pasi u dëgjua një tingull i fortë dhe i pazakontë në një protestë studentore të organizuar më 15 mars, gjatë një heshtjeje 15-minutëshe, që shkaktoi panik, vrapim, shtyrje dhe rënie të qytetarëve të mbledhur në rrugën Mbreti Millan, Prokuroria Publike hapi një rast dhe urdhëroi Ministrinë e Brendshme të Republikës së Serbisë të përcaktojë se çfarë ka ndodhur saktësisht”, tha Prokuroria.

Ajo, po ashtu, urdhëroi të konstatohet nëse ndonjë nga qytetarët e grumbulluar, ka pësuar lëndime.

Në të njëjtën ditë, Daçiq mohoi se MPB-ja posedon top zanor – apo Vortex Ring Gun, Vortex Cannon, LRAD – 1000Xi të prodhimit amerikan “Genasys”, apo armë të ngjashme të prodhimit rus “Ruselectronic”.

Ai, gjithashtu, tha se “bazuar në deklaratat e të gjithë personave që komandonin njësitë policore” atë ditë, “nuk është përdorur asnjë mjet i paligjshëm”.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se disa njerëz kanë kërkuar ndihmë në institucionet shëndetësore, Daçiq tha se këto janë lojëra politike dhe se u takon punonjësve shëndetësorë të përgjigjen se çfarë është në pyetje.

I pyetur për videon në të cilën dëgjohet një tingull i paidentifikuar dhe pjesëmarrësit në protestë duken duke u larguar, Daçiq tha se Prokuroria do të përcaktojë se çfarë ka ndodhur.

Në të njëjtën ditë, Vuçiq tregoi kohën se kur do të përfundojnë hetimet nga Prokuroria për, siç tha, ata që përhapin gënjeshtra.

“Hetimet do të përfundojnë plotësisht brenda 48 orësh dhe, më pas, të gjithë ata që janë përgjegjës për trillime dhe gënjeshtra të tilla, do të përgjigjen para drejtësisë”, tha Vuçiq në një video-adresim në Instagram.

Vuçiq tha se në rrugë nuk kishte top zanor, sepse, siç u shpreh, “nuk mund të mos e shihni dhe nuk mund të mos e dëgjoni”.

Ai shtoi se ushtria serbe dhe detashmenti i policisë ushtarake “Kobra” nuk e kanë atë pajisje.

Po atë ditë, kryeministri në largim, Millosh Vuçeviq, iu bashkua këtyre pretendimeve, duke thënë se ky është një “rrëfim i sajuar”.

Ai, po ashtu, tha se qeveria në largim është e gatshme të ftojë zyrtarisht Byronë Federale të Hetimit në SHBA (FBI) dhe Shërbimin Federal të Sigurisë ruse (FSB), për t’i hetuar pretendimet për përdorimin e topit zanor në protestë.

18 mars: Policia serbe ka LRAD 100X

Tri ditë pas protestës, Daçiq tha për Televizionin Prva të Serbisë se policia nuk ka top zanor.

“Sa i përket zërit, ne kemi vetëm pajisje për paralajmërime më të forta. Mund të jetë një megafon më i fortë që përdoret për mesazhe zanore. Por, atë ditë nuk është përdorur asgjë”, tha Daçiq.

Gjatë asaj dite u mbajt edhe një seancë e Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme e Kuvendit të Serbisë, në të cilën u diskutua për topin zanor.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të opozitës, Mirosllav Alleksiq, Daçiq tha për herë të parë se Ministria e Brendshme ka “LRAD 100X”.

Ai tha se pajisja është blerë në vitin 2021, por se policia nuk e përdor.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq, tha me atë rast se ministria e tij ka marrë masa për t’i verifikuar të dhënat për atë që ka ndodhur gjatë protestave.

Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Vlladimir Orlliq, tha se askush nuk e ka nxjerrë topin zanor në rrugët e Beogradit. Sipas tij, rrëmuja në protestën e 15 marsit ndodhi për shkak të reagimit në panik të njerëzve.

Në të njëjtën ditë, Prokuroria e Parë Themelore Publike në Beograd njoftoi se institucionet shtetërore nuk kanë përdorur top zanor.

Sipas saj, ky konstatim u arrit në bazë të raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës.

Nga fundi i ditës mbërriti një deklaratë nga Ministria e Brendshme, ku thuhej se Daçiq ka kërkuar ndihmë nga FBI-ja për një analizë në fushën e përdorimit të pajisjeve që lëshojnë valë zanore.

Në një paraqitje në Televizionin Pink atë mbrëmje, Vuçiq tha se nuk do të qëndronte në detyrën e tij, nëse do të konstatohej se në protestë është përdorur topi zanor.

19 mars: “Deklaratë e pamatur”

Daçiq konfirmoi edhe një herë për gazetën “Danas” se Ministria e Punëve të Brendshme posedon armë zanore, por tha, gjithashtu, se këto sisteme janë të ruajtura në kuti në magazina, se nuk janë vënë në përdorim dhe nuk janë montuar në ndonjë mjet apo sistem.

I pyetur më pas se përse Ministria e Brendshme deklaroi se nuk posedon top zanor, apo ndonjë armë tjetër të ngjashme zanore, Daçiq tha se ajo ishte një deklaratë e pamatur.

“Ajo që nënkuptohej me të, ishte se Ministria e Brendshme nuk e ka përfshirë këtë mjet në arsenalin e saj të mjeteve shtrënguese”, tha Daçiq për “Danas”-in.

E, në pyetjen se përse shteti e ka “blerë” sistemin, kur nuk lejohet përdorimi i tij, Daçiq tha se ishte një investim i dështuar.

Gjatë ditës, deputetja e Partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi, Marinka Tepiq, e akuzoi Ministrinë e Brendshme se ka blerë pajisje LRAD si “armë për torturë psikologjike dhe fizike të qytetarëve në rrugë”.

Sipas saj, këto pajisje u paguan në vitin 2021 me 81 milionë dinarë, apo 690 mijë euro.

Tepiq tregoi një fotografi të një xhipi të Xhandarmërisë në afërsi të Kuvendit të Serbisë, më 15 mars, ku, sipas saj, dukej një pajisje që ngjante me një top zanor LRAD 450XL nga kompania “Genasys”.

Partia e saj ngriti padi penale kundër presidentit të Serbisë dhe individëve të tjerë përgjegjës për, siç u tha, “terror politik dhe shkelje brutale të të drejtave të njeriut”.

Daçiq pranoi se Ministria e Brendshme posedon pajisje LRAD-450XL dhe LRAD-100X, por se ato përdoren vetëm për paralajmërim, apo për dërgimin e audio-mesazheve gjatë tubimeve të mëdha.

20 mars: Vuçeviq i shkruan zëvendëspresidentit amerikan

Kryeministri në largim i Serbisë, Vuçeviq, tha se i ka dërguar një letër zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, J. D. Vance, në të cilën ka kërkuar që SHBA-ja të përfshihet në hetimin e pretendimeve për përdorimin e topit zanor në protestat e 15 marsit në Beograd.

“Unë e kam mbështetur iniciativën e presidentit Aleksandar Vuçiq për t’i përfshirë autoritetet amerikane në hetimin e pretendimeve të rreme nga mediat opozitare për përdorimin e supozuar të topit zanor, ose të një pajisjeje tjetër të ngjashme, gjatë protestës më 15 mars”, shkroi Vuçeviq në një postim në Instagram.

Ai, po ashtu, tha se e ka falënderuar Vancen për “gjithçka që populli amerikan ka bërë për serbët në periudhat vendimtare historike, gjatë dy luftërave botërore, por edhe pas tyre”.

Kompania “Genasys”, e cila prodhon pajisje LRAD, tha se dëshmitë e deritanishme nuk tregojnë se ato janë përdorur gjatë protestave në Beograd më 15 mars.

“Dëshmitë video dhe audio që kemi parë dhe dëgjuar deri më tani, nuk tregojnë për përdorimin e LRAD-it gjatë incidentit të 15 marsit në Beograd”, tha kompania.

Daçiq tha se kjo “është një provë e rëndësishme që i shkatërron të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet e bëra” dhe “konfirmon se i ashtuquajturi top zanor nuk është përdorur në mitingun në Beograd”./REL

 

Po ndodh...