Dosjet “Epstein” tronditin elitat evropiane. Princër, ambasadorë dhe politikanë të lartë nën presion

Publikimi më 30 janar i mbi 3 milionë faqeve dokumente që lidhen me hetimin ndaj ish-financierit Jeffrey Epstein ka shkaktuar një tronditje të fortë politike dhe institucionale, veçanërisht në Evropë. Dosjet zbulojnë se Epstein kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar, ku përfshiheshin anëtarë të familjeve mbretërore, liderë politikë, miliarderë, bankierë dhe akademikë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, goditjen më të madhe nga ky publikim e kanë pësuar elitat e kontinentit evropian, më shumë sesa figurat publike në Shtetet e Bashkuara. Zbulimet kanë tronditur elitën politike, sociale dhe ekonomike të disa vendeve evropiane, duke çuar në përfundimin e karrierave, dorëheqje dhe nisjen e hetimeve politike e penale.
Mes emrave më të përfolur është ish-ambasadori britanik në Uashington, Peter Mandelson, i cili rrezikon ndjekje penale për ndarjen e informacioneve të ndjeshme me Epstein. Çështja ka shkaktuar edhe krizë politike në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë nën presion kryeministrin Keir Starmer për emërimin e Mandelson në poste të larta.
Po ashtu, janë dëmtuar rëndë reputacionet dhe karrierat e figurave publike në Norvegji, Suedi dhe Sllovaki. Edhe përpara publikimit të dosjeve të fundit, Princi Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i Mbretit Charles III, humbi titujt mbretërorë dhe vilën e financuar nga taksapaguesit, për shkak të lidhjeve të tij me Epstein.
Megjithatë, përveç Princit Andrew, asnjë nga personat e përmendur në dokumente nuk përballet deri tani me akuza penale apo pretendime për sjellje të papërshtatshme seksuale. Shumica kanë pësuar pasoja për shkak të mbajtjes së marrëdhënieve miqësore me Epstein edhe pasi ai ishte dënuar për abuzim seksual me një të mitur.
Dokumentet u bënë publike pas presionit të fortë publik dhe politik në SHBA, i cili u shndërrua në një krizë për administratën e presidentit Donald Trump. Republikanët dhe demokratët bashkuan votat për të detyruar qeverinë amerikane të publikonte dosjet e hetimit.
Ndërkohë, për disa figura publike amerikane të lidhura me Epstein, si ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon, dhe miliarderi Elon Musk, pasojat deri më tani kanë qenë kryesisht në nivel reputacioni. Ish-presidenti Bill Clinton është thirrur nga republikanët që të dëshmojë para Kongresit për marrëdhënien e tij me Epstein, ndërsa edhe vetë Trump është përballur me pyetje mbi lidhjet e tij me ish-financierin. As Trump dhe as Clinton nuk janë akuzuar ndonjëherë nga viktimat e Epstein.
Po ndodh...
ide
Dosja Epstein: Pushteti pa dritë dhe elitat pa përgjegjësi
Ilir Meta, kjo çingie e Edi Ramës!
Si të qeverisësh vendin dhe të drejtosh opozitën... për veten!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
