Gjykata Supreme e SHBA ngrin pagesat e ndihmës ushqimore për miliona amerikanë me të ardhura të ulëta

8 Nëntor 2025, 15:30 / BOTA ALFA PRESS

Gjykata Supreme e SHBA ngrin pagesat e ndihmës ushqimore për miliona

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të premten se administrata e presidentit Donald Trump nuk është e detyruar të kryejë menjëherë pagesat e ndihmave ushqimore, të cilat jepen në kuadër të programit federal të ndihmës ushqimore (SNAP), program që është pezulluar për shkak të bllokimit buxhetor.

Kjo vendim i përkohshëm lë miliona amerikanë në pasiguri, pasi shumë prej tyre varen nga ky program për nevojat bazë ushqimore.

Më herët gjatë javës, një gjykatë më e ulët kishte vendosur që qeveria duhet të financonte plotësisht programin SNAP për muajin nëntor deri të premten në mbrëmje, duke e detyruar administratën të përdorte fondet rezervë për të transferuar miliarda dollarë tek shtetet amerikane.

Këto fonde do të shpërndaheshin më pas si ndihmë ushqimore për rreth 42 milionë amerikanë, përfshirë miliona fëmijë.

Megjithatë, gjykatësja e Gjykatës së Lartë Ketanji Brown Jackson lëshoi një urdhër administrativ që pezullon përkohësisht zbatimin e vendimit, duke i dhënë qeverisë kohë shtesë për të paraqitur argumentet e saj.

Ndërkohë, shërbimet federale amerikane mbeten të paralizuara për shkak të “mbylljes” më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së, pas dështimit të republikanëve dhe demokratëve në Kongres për të arritur një marrëveshje për buxhetin e ri pas datës 30 shtator. Kjo krizë ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në programet e ndihmës sociale.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, në të cilën konservatorët gëzojnë shumicën, u mor pavarësisht përpjekjeve të administratës federale për të kryer pagesat e nevojshme ndaj shteteve.

Zyrtarë demokratë shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin e Gjykatës së Lartë dhe për vendimin e presidentit Trump për të pezulluar financimin e programit SNAP.

“Është e turpshme që qeveria zgjodhi të ndjekë rrugën ligjore në vend që të marrë përgjegjësinë ndaj popullit amerikan”, shkroi në platformën X prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, e cila ka kundërshtuar vazhdimisht presidentin Trump.

Po ndodh...

ide