I akuzuar për një skemë ryshfeti nga SHBA, manjati indian pranon të paguajë një gjobë prej 18 milionë dollarësh

15 Maj 2026, 12:00 / BOTA ALFA PRESS

I akuzuar për një skemë ryshfeti nga SHBA, manjati indian pranon

Miliarderi indian Gautam Adani ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej miliona dollarësh në Shtetet e Bashkuara, pa pranuar dhe as mohuar akuzat ndaj tij në një çështje të gjerë korrupsioni. Sipas dokumenteve të kompanisë së tij ‘Adani Group’, marrëveshja përfshin një pagesë totale prej rreth 18 milionë dollarësh nga Adani dhe bashkëpunëtorët e tij, në kuadër të hetimeve të nisura nga autoritetet amerikane.

Çështja, e hapur në nëntor 2024 në Nju Jork, e akuzonte Adanin dhe bashkëpunëtorët për përfshirje në një skemë ryshfeti prej rreth 250 milionë dollarësh, që dyshohet se synonte sigurimin e kontratave për energji diellore në Indi dhe mashtrimin e investitorëve ndërkombëtarë.

Sipas aktakuzës, skema dyshohej se përfshinte pagesa ndaj zyrtarëve indianë për të siguruar favore në projekte të mëdha energjetike, duke dëmtuar investitorët në SHBA. Megjithatë, Adani ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si “të pabaza”. Në letrën drejtuar bursës së Mumbait, kompania e tij theksoi se marrëveshja financiare nuk përbën pranim faji dhe se çështja nuk përfshin vetë kompaninë Adani Green Energy. Sipas raportimeve të mediave amerikane, prokurorët federalë kishin shqyrtuar mundësinë e tërheqjes së akuzave, ndërsa në prapaskenë kanë ndikuar edhe negociata të reja ligjore dhe angazhime të mundshme investimesh të grupit Adani në SHBA. “Robert Joffe”, avokati që përfaqëson mbrojtjen, raportohet se ka diskutuar mundësinë e investimeve të mëdha në SHBA në këmbim të zbutjes së çështjes, sipas mediave amerikane.

Narendra Modi, i cili shihet si një aleat i afërt i Adanit, nuk është përfshirë në mënyrë direkte në hetim, por rasti ka tërhequr vëmendje të madhe politike dhe ekonomike në Indi. Sipas “Forbes”, Adani renditet ndër personat më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar në dhjetëra miliardë dollarë, ndërsa grupi i tij përfshin sektorë si energjia, infrastruktura, aeroportet dhe media. Pavarësisht marrëveshjes financiare, hetimi dhe vendimi përfundimtar i gjykatës amerikane pritet të përcaktojnë hapat e ardhshëm të çështjes.

Po ndodh...