I dërguari special i SHBA, Witkoff viziton qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Gazë

1 Gusht 2025, 19:27 / BOTA ALFA PRESS
I dërguari special i SHBA, Witkoff viziton qendrat e shpërndarjes

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ka inspektuar qendrat për shpërndarjen e ndihmës në Gazë, që udhëhiqen nga një organizatë që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Vizita e Witkoff të premten ndodhi teksa zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se forcat izraelite kanë vrarë palestinezët e uritur që po prisnin për ndihma.

Po ashtu, kjo vizitë u zhvillua në të njëjtë kohë kur u publikua një raport nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), e cila po ashtu akuzoi forcat izraelite për “gjakderdhje të rregullta” pranë qendrave të ndihmës, që udhëhiqen nga organizata që mbështet SHBA-ja dhe Izraeli.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në territoret palestineze tha se që nga 27 maji, të paktën 1.373 persona janë vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma në Gaza — 105 prej tyre vetëm në dy ditët e fundit të korrikut.

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, shkroi në X se ai dhe Witkoffi vizituan Gazën për “të mësuar të vërtetën” lidhur me qendrat e shpërndarjes së ndihmave që operohen nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF).

“U informuam nga ushtria izraelite dhe biseduam me njerëzit në terren. GHF-ja ofron mbi 1 milion shujta ushqimore në ditë”, tha Huckabee.

Ai shtoi se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – “e urren GHF-në sepse u jep njerëzve ushqim dhe nuk lejon që ushqimi të plaçkitet nga Hamasi”.

GHF-ja nisi operimin në Gazë, pasi Izraeli lehtësoi bllokadën e vendosur në fund të majit në territorin palestinez.

Një ditë më parë, Witkoff qëndroi në Izrael ku zhvilloi bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Ata biseduan se si t’i jepet fund luftës 22-mujore, si të dërgohen më shumë ndihma për palestinezët dhe si të lirohen pengjet që mbahen nga Hamasi.

Po ndodh...

ide