Sërish lëkundje të fuqishme toke në Kretë, shënohen disa pasgoditje alarmuese

22 Maj 2025, 09:24 / BOTA ALFA PRESS

Sërish lëkundje të fuqishme toke në Kretë,

Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter goditi mëngjesin e së enjtes zonën pranë Neapolis, në prefekturën e Lasithit, duke shkaktuar shqetësim të madh në mesin e banorëve të Kretës dhe përtej saj.

Lëkundjet u ndjenë qartë edhe në rajonin e Atikës, përfshirë Athinën.

Sipas mediave lokale, shumë banorë janë zgjuar të alarmuar, duke dalë jashtë banesave të tyre për siguri. Dëshmitarët raportuan një gjëmim të fuqishëm pas lëkundjeve, ndërsa pamjet filmike tregojnë kabllot elektrike dhe makinat duke u dridhur gjatë tërmetit.

Dy pasgoditje me magnitudë 3,1 dhe 2,7 Rihter u regjistruan në Kretë pas tërmetit me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter.

Intensiteti dhe kohëzgjatja e tërmetit ishin të mëdha në Hania dhe Rethimno dhe bëri që shumë banorë të dilnin jashtë shtëpive të tyre në dy prefekturat e Kretës Perëndimore. Sipas organeve lokale nuk ka pasur dëme materiale.

Sipas kreut të OASP (Organizmi për Planifikim dhe Mbrojtje Kundër Tërmeteve ), Efthimios Lekkas, në lidhje me tërmetin e fuqishëm prej 6.1 Rihter ka theksuar se, është pozitive që kishte një thellësi të madhe fokale.

Ai shtoi gjithashtu se nuk duket që ka  rrezik për cunami dhe përmendi se bëhet fjalë për një kornizë të ndryshme gjeotektonike nga ajo e tërmeteve në Santorini dhe Arkalohorit.

Rajoni ka dhënë përsëri tërmete të mëdha. Nuk ka lidhje me harkun që ndodhet në jug të Kretës. Ishte një tërmet që ndodhi në kryqëzimin e dy pllakave tektonike, asaj europiane dhe asaj afrikane. Mjedisi tektonik në këtë zonë jep tërmete të tilla, ndaj duhet t’i kushtojmë vëmendje fenomenit .Duhet të shohim zhvillimin e tij”, theksoi ai.

Tërmeti u ndje gjithashtu edhe në Argos, Korinth dhe Athinë, si dhe në një pjesë të madhe të Greqisë jugore.

Po ndodh...