"Çifti Obama si majmunë"/ Trump nuk kërkon falje për videon: Nuk e pashë të gjithën

7 Shkurt 2026, 18:49 / BOTA ALFA PRESS

"Çifti Obama si majmunë"/ Trump nuk kërkon falje

Presidenti amerikan Donald Trump e ka dënuar, por nuk ka kërkuar falje për një video të publikuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, ku ish-Presidenti demokrat, Barack Obama dhe ish-Zonja e Parë, Michelle Obama shfaqen si majmunë.

Postimi shkaktoi reagime të menjëhershme dhe kritika dypartiake, duke u cilësuar si çnjerëzore dhe raciste ndaj njerëzve me origjinë afrikane.

Shtëpia e Bardhë fillimisht e mbrojti postimin të premten, por e fshiu atë rreth 12 orë më vonë. Videoja, rreth një minutë e gjatë dhe e shpërndarë në platformën Truth Social të Trump-it të enjten në mbrëmje, përforconte pretendime të rreme se humbja e tij në zgjedhjet e vitit 2020 kishte ardhur si pasojë e mashtrimit. Në fund të videos ishte futur një klip i shkurtër, dukshëm i gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqeshin primatë që kërcenin me fytyrat e Obamave të montuara mbi to.

Të premten në mbrëmje, Trump u tha gazetarëve se nuk e kishte parë të gjithë videon përpara se një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë ta postonte në llogarinë e tij.

“Nuk e pashë të gjithën. Pashë pjesën e parë, që kishte të bënte me mashtrimin zgjedhor dhe makinat e votimit. Pastaj ia lashë stafit. Zakonisht ata i shohin të gjitha. Por mesa duket dikush nuk e bëri”, tha ai.

I pyetur nëse e dënonte klipin, Trump u përgjigj: “Sigurisht që po”. Megjithatë, ai refuzoi të kërkonte falje, duke shtuar: “Nuk kam bërë gabim. Unë shoh mijëra gjëra”.

Deklaratat e Trump-it mbyllën një ditë me mesazhe kontradiktore nga Shtëpia e Bardhë. Fillimisht, një zëdhënës i administratës e quajti videon një “meme interneti të padëmshëm”, ndërsa më pas një tjetër zyrtar tha se ishte postuar gabimisht dhe u hoq. Kjo u pa si një tërheqje e rrallë nga një Shtëpi e Bardhë që zakonisht mbron pa hezitim Trump-in.

Trump, tashmë në mandatin e tij të dytë, ka një histori të gjatë të shpërndarjes së retorikës raciste. Për vite me radhë ai ka promovuar teorinë e rreme se Barack Obama, president nga 2009 deri më 2017, nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara.

Po ndodh...

ide