Mbi 1.500 fluturime të anuluara në Francë për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, preken rreth 300 mijë pasagjerë

3 Korrik 2025, 19:32 / BOTA ALFA PRESS

Mbi 1.500 fluturime të anuluara në Francë për shkak të

Më shumë se 1.500 fluturime janë anuluar për datat 3 dhe 4 korrik në Francë, duke ndikuar në afro 300.000 pasagjerë, si pasojë e grevës së kontrollorëve të trafikut ajror. Lajmi u konfirmua nga “Airlines for Europe” (A4E), organizata që përfaqëson industrinë ajrore europiane.

Vetëm të mërkurën, 933 fluturime u anuluan, në prag të fillimit të pushimeve shkollore në Francë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DGAC).

Sipas të njëjtit burim, rreth 26,2% e kontrollorëve të trafikut ajror morën pjesë në grevë, me 272 punonjës që ndaluan punën nga gjithsej 1.000.

Në deklaratën e saj, A4E dënoi ashpër grevën: “Dhjetëra mijëra udhëtarë në Francë dhe në mbarë Evropën panë të anulohej pushimi i tyre veror për shkak të grevës së kontrollorëve francezë të trafikut ajror, që po zhvillohet gjatë ‘Grand Départ’, një nga periudhat më të ngarkuara për udhëtime verore.”

Më të goditura janë aeroportet në jug të vendit, ndërkohë që greva zhvillohet me kërkesa për kushte më të mira pune dhe shtim të stafit.

Në zonën e Parisit, anulimet prekën një të katërtën e fluturimeve që nisen ose mbërrijnë në aeroportet Charles de Gaulle dhe Orly. Situata pritet të përkeqësohet të premten, kur DGAC ka urdhëruar një ulje me 40% të numrit të fluturimeve në Paris dhe Beauvais.

Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, deklaroi të mërkurën se nuk ka ndërmend të pranojë kërkesat e sindikatave, duke përjashtuar çdo mundësi tërheqjeje nga pozicioni qeveritar.

 

Po ndodh...