
SHBA-ja dhe BE-ja kundërshtojnë vendimet e ndërmarra nga Republika Sërpska

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar vendimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Reagimi i Uashingtonit dhe Brukselit vjen një ditë pasi presidenti i këtij entiteti serb në Bosnje, Millorad Dodik, dekretoi ligje antikushtetuese, të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës.
Ndër këto ligje përfshihet edhe ai për Regjistrin e Posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse.
Ambasada amerikane në Sarajevë tha se Uashingtoni është “thellësisht i shqetësuar” me nënshkrimin e dekreteve nga Dodiku.
“Të jemi të qartë, ky është një provokim i qëllimshëm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjës si dhe për objektivat strategjike të SHBA-së”, tha Ambasada amerikane.
Uashingtoni u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe atyre që qëndrojnë prapa këtyre vendimeve që të përmbahen nga “përfshirja në veprime të tjera destabilizuese dhe nga retorika nxitëse”.
“Angazhohuni në një dialog politik konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Mbështesni institucionet demokratike të Bosnjës dhe respektoni sundimin e ligjit. Po ashtu, jepni kontributin tuaj për të ulur tensionet politike”, u tha në reagimin e Ambasadës amerikane në Sarajevë.
Thirrje për respektimin e Kushtetutës së Bosnjës dhe vendimeve të gjykatave në këtë shtet bëri edhe Bashkimi Evropian.
Përmes një reagimi, Brukseli përsëriti sërish qëndrimin se duhet t’i jepet fund presionit politik ndaj zyrtarëve publikë që të largohen nga institucionet shtetërore.
“Aktet ligjore të miratuara më 27 shkurt nga Asambleja e Republikës Sërpska dhe të nënshkruara më 5 mars nga presidenti i Republikës Sërpska rrezikojnë rendin kushtetues dhe ligjore të Bosnjë e Hercegovinës dhe funksionimin e institucioneve të vendit si dhe liritë themelore të qytetarëve. Këto veprime janë në kundërshtim me përkushtimin e Bosnjës që ka marrë në rrugën e integrimit në BE”, tha BE-ja.
Brukseli tha se Republika Sërpska dhe entitetet e tjera duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet në Bosnje, të respektojnë vendimet e institucioneve përkatëse shtetërore, përfshirë të Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të lartë gjyqësor e Prokurorial e institucioneve të tjera të drejtësisë.
Edhe Brukseli i bëri thirrje udhëheqjes në Republikën Sërpska që të përmbahet nga retorika provokuese e përçarëse dhe të mos vë në dyshim sovranitetin, unitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës.
“Presioni politik ndaj zyrtarëve publikë që të largohen nga institucionet e nivelit shtetëror duhet të ndalen. Sovraniteti dhe integriteti territorial si dhe rendi kushtetues i Bosnjë e Hercegovinës duhet të respektohen”, u tha në reagimin e BE-së.
Ligjet e miratuara nga Asambleja në Republikën Sërpska, të cilat më pas u dekretuan nga Dodik, vijnë pasi Gjykata e Bosnjës e dënoi me një vit burgim atë.
Në vendimin e shkallës së parë, të shpallur më 26 shkurt, Dodik u dënua edhe me ndalim të ushtrimit të funksionit të presidentit për gjashtë vjet. Ai u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në këtë shtet, Christian Schmidt.
Udhëheqësit e Republikës Sërpska, para shpalljes së dënimit, kishin kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisje të institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës nëse Dodik do të dënohej./REL

Lista e mbyllur!
ide

Drejtësia, kryefjala e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit

A po i jep të drejtë koha Lulzim Bashës?

top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128