Situata del jashtë kontrollit! Alarm global për virusin e Ebolas në Afrikë, OBSH shpall emergjencë ndërkombëtare

17 Maj 2026, 23:19 / BOTA ALFA PRESS

Situata del jashtë kontrollit! Alarm global për virusin e Ebolas

Ditët e fundit, bota është panikosur nga  përhapja e pakontrolluar e virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se përballimi i virusit është bërë tepër i komplikuar, ndërsa varianti aktual i Ebolës konsiderohet i rrallë dhe me pak mundësi trajtimi.

Deri tani janë raportuar afro 250 raste të dyshuara dhe rreth 80 viktima, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta. Ende nuk dihet me saktësi shkalla e përhapjes së virusit, pasi shumë zona të prekura janë të vështira për t’u monitoruar për shkak të pasigurisë dhe lëvizjeve të vazhdueshme të popullsisë.

Sipas BBC-së, shumica e shpërthimeve të Ebolës në të kaluarën kanë qenë relativisht të kufizuara, por kujtimet e epidemisë katastrofike të viteve 2014–2016 në Afrikën Perëndimore mbeten ende të freskëta. Gjatë asaj periudhe, mbi 28,600 persona u infektuan dhe mijëra humbën jetën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e shkaktuar nga varianti “Bundibugyo” në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë si emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar. Megjithatë, OBSH thekson se kriteret për ta cilësuar situatën si pandemi globale ende nuk janë përmbushur dhe se rreziku për pjesën tjetër të botës mbetet i ulët.

“Situata është mjaft komplekse dhe kërkon koordinim ndërkombëtar”, deklaroi Dr. Amanda Rozek nga Instituti për Shkencat Pandemike në Universitetin e Oksfordit.

Çfarë është Ebola dhe pse varianti “Bundibugyo” shqetëson ekspertët?

Ebola është një sëmundje e rëndë dhe shpesh vdekjeprurëse, e shkaktuar nga një virus që zakonisht qarkullon te kafshët, veçanërisht te lakuriqët e natës që ushqehen me fruta. Njerëzit infektohen përmes kontaktit të afërt me individë ose kafshë të infektuara.

Shpërthimi aktual lidhet me variantin “Bundibugyo”, një nga tre format kryesore të njohura të virusit Ebola që shkaktojnë epidemi. Ky variant është regjistruar vetëm dy herë më parë, në vitet 2007 dhe 2012, duke shkaktuar vdekjen e rreth 30% të të infektuarve.

Ajo që e bën më shqetësues këtë variant është mungesa e vaksinave dhe ilaçeve të miratuara për trajtimin e tij. Ndryshe nga format e tjera të Ebolës, për “Bundibugyo” ekzistojnë vetëm trajtime eksperimentale, ndërsa edhe testet diagnostikuese kanë rezultuar më pak efektive.

Ekspertët tregojnë se rastet e para fillimisht rezultuan negative për Ebola, derisa analiza laboratorike më të avancuara konfirmuan praninë e variantit “Bundibugyo”.

Rasti i parë i njohur ishte ai i një infermiereje që shfaqi simptoma më 24 prill. Megjithatë, autoriteteve iu deshën rreth tre javë për të konfirmuar zyrtarisht shpërthimin e epidemisë.

“Transmetimi ka vazhduar për javë të tëra dhe shpërthimi është identifikuar shumë vonë, gjë që është tepër shqetësuese”, deklaroi Dr. Anne Corry nga Imperial College London.

Sipas OBSH-së, kjo vonesë mund të nënkuptojë se përhapja reale e virusit është shumë më e madhe nga sa raportohet aktualisht. Strategjia kryesore tani mbetet identifikimi i shpejtë i personave të infektuar, izolimi i rasteve dhe gjurmimi i kontakteve.

Një tjetër sfidë mbetet trajtimi dhe menaxhimi i sigurt i viktimave, pasi trupat e personave të vdekur nga Ebola vazhdojnë të mbeten infektivë edhe pas vdekjes.

Situata komplikohet më tej nga fakti se në Kongo ka mbi 250 mijë persona të zhvendosur. Shumë nga zonat e prekura janë qytete minerare me popullsi të lëvizshme, çka rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së virusit përtej komuniteteve dhe kufijve shtetërorë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se Republika Demokratike e Kongos ka fituar përvojë të konsiderueshme në përballimin e epidemive të mëparshme të Ebolës. “Përgjigja ndaj shpërthimeve sot është shumë më e fortë sesa ishte një dekadë më parë”, u shpreh Dr. Daniela Manno nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

Po ndodh...

ide