Trump reagon për dënimin e Marine Le Pen: Më kujton shumë vendin tonë

1 Prill 2025, 12:03 / BOTA ALFA PRESS
Trump reagon për dënimin e Marine Le Pen: Më kujton shumë

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të parë në lidhje me vendimin e Gjykatës Franceze për të dënuar lideren e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen.

Gjatë një konference me gazetarët nga Zyra Ovale, Trump tha se vendimi i gjykatës për të ndaluar kandidimin e Le Pen në zgjedhje ngjason shumë me procesin gjyqësor të bërë ndaj tij në SHBA, për ta ndaluar të garonte për president.

Pyetja: Zoti President, Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë, u dënua nga gjykata dhe tani i është ndaluar kandidimi për poste publike për pesë vjet. A keni ndonjë koment?

Përgjigjja e Trump: Kjo është një çështje e madhe. Është një çështje shumë e madhe. Di gjithçka rreth saj dhe shumë njerëz mendonin se ajo nuk do të dënohej. Nuk e di nëse kjo nënkupton një dënim të plotë, por asaj i është ndaluar kandidimi për pesë vjet, dhe ajo është kandidatja kryesore. Kjo më kujton këtë vend. Kjo më kujton shumë vendin tonë.

Politikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.

Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.

Ajo u largua nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin, çdo hap mund të marrë vite, ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.

Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.

Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës. Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.

Po ndodh...