Ukraina pranoi propozimin e Trump, kancelari Merz telefon Zelenskyn: Diskutuan lidhur me ecurinë për përfundimin e luftës

25 Nëntor 2025, 16:22 / BOTA ALFA PRESS

Ukraina pranoi propozimin e Trump, kancelari Merz telefon Zelenskyn: Diskutuan

Kancelari Friedrich Merz zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi pak më herët zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Cornelius.

“Sipas bisedimeve të së dielës në Gjenevë, kancelari dhe presidenti ukrainas diskutuan mbi ecurinë e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë,” deklaroi Cornelius.

Stármer: Ambiciet e Putinit nuk kufizohen vetëm në Ukrainë

Më herët, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se ambiciet e Vladimir Putinit shtrihen përtej Ukrainës.

Starmer u shpreh se drafti fillestar i propozuar nga Shtetet e Bashkuara përmbante pika “të papranueshme”, por edhe “elemente shumë të rëndësishme, të domosdoshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Ai nënvizoi se termat “e drejtë” dhe “e qëndrueshme” mbeten thelbësorë për çdo marrëveshje që synon t’i japë fund luftës.

Duke iu referuar bisedimeve të fundjavës në Gjenevë, Starmer tha se ka pasur “hapa të rëndësishëm përpara” dhe se SHBA-të dhe Ukraina kanë avancuar drejt një kornize të përditësuar paqeje. “Mund t’i siguroj deputetët se puna për finalizimin e planit po vazhdon,” shtoi ai.

Kushtet e Mbretërisë së Bashkuar për një paqe të qëndrueshme

Sipas kryeministrit britanik, një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse plotësohen këto kushte:

Ruajtja e sovranitetit të Ukrainës.

Garancia që Ukraina të mbrohet në të ardhmen.

Çështjet që lidhen me Ukrainën të vendosen nga vetë Ukraina.

Çështjet që kanë të bëjnë me Europën dhe NATO-n të kërkojnë konsensusin e anëtarëve europianë dhe atyre të NATO-s.

Starmer paralajmëroi se “rruga përpara është e gjatë dhe e vështirë”, por siguroi se qeveria britanike është “më e përkushtuar se kurrë” për arritjen e paqes.

“Vetëm një shtet e dëshiron këtë luftë”

Duke folur për Rusinë, Starmer theksoi se “vetëm një shtet e dëshiron këtë luftë – ai që nisi këtë pushtim të paligjshëm”. Ai tha se mbi një milion rusë janë vrarë ose plagosur “për shkak të ambicieve të shtrembëruara të vetëm një njeriu”.

Starmer shtoi se duhet ushtruar “çdo presion i mundshëm” ndaj Rusisë që të pranojë një rrugë të qartë drejt paqes. “Kjo ka të bëjë me Europën po aq sa edhe me Ukrainën”, theksoi ai, duke shtuar se “ambiciet e Putinit nuk kufizohen në Ukrainë dhe vendet fqinje e dinë shumë mirë këtë”.

Po ndodh...

ide