Botërori 2026/ Përballja historike Argjentinë - Angli, 'Tre Luanët' kundër 'gjigantit' të futbollit

13 July 2026, 10:33 / SPORT ALFA PRESS
Botërori 2026/ Përballja historike Argjentinë - Angli, 'Tre

Anglia po përgatitet për një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së saj në Kupën e Botës, gjysmëfinalen ndaj Argjentinës, ku për herë të parë do të përballet me Lionel Messin në një turne botëror.

Në mënyrë befasuese, Messi, edhe pse është 39 vjeç dhe ka zhvilluar mbi 200 ndeshje me fanellën e Argjentinës gjatë një karriere të jashtëzakonshme 21-vjeçare me kombëtaren, nuk është përballur kurrë më parë me Anglinë.

‘Ylli’ argjentinas e cilësoi si një moment “special” përballjen me skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta, në stadiumin “Mercedes-Benz”, me kapacitet 75 mijë vende.

“Kjo është hera e parë që do të luaj kundër Anglisë. Kam luajtur kundër të gjitha ekipeve të tjera, përveç tyre, ndaj kjo e bën këtë ndeshje edhe më të veçantë. Anglia është një fuqi e madhe në futboll dhe ndeshjet ndaj skuadrave të këtij niveli janë gjithmonë speciale”, deklaroi Messi.

Përballja do të jetë edhe një duel simbolik mes dy yjeve të mëdhenj të futbollit botëror: Lionel Messi dhe Jude Bellingham. Mesfushori anglez, vetëm 23 vjeç, po shihet si pasardhësi i mundshëm i “Mbretit Leo” në skenën ndërkombëtare.

Bellingham ishte heroi i Anglisë në çerekfinale ndaj Norvegjisë, duke shënuar dy gola në fitoren 2-1 që u siguroi “Tre Luanëve” një vend në gjysmëfinale. Argjentina gjithashtu u kualifikua pas një fitoreje në kohën shtesë ndaj Zvicrës me rezultatin 3-1.

Përballja në Atlanta pritet të shoqërohet me masa të jashtëzakonshme sigurie, pasi mijëra tifozë argjentinas pritet të udhëtojnë drejt qytetit amerikan. Sipas parashikimeve, mbështetësit e Argjentinës mund të jenë në numër shumë më të madh se tifozët anglezë.

Në Angli pritet gjithashtu një atmosferë e jashtëzakonshme. Miliona tifozë janë gati të ndjekin ndeshjen në shtëpi dhe në lokale, ndërsa suksesi ndaj Norvegjisë ka sjellë një tjetër valë entuziazmi në vend.

Përplasjet mes Anglisë dhe Argjentinës kanë gjithmonë një ngarkesë të veçantë historike, sidomos pas Luftës së Falklandeve në vitin 1982. Rivaliteti u shtua edhe në futboll pas episodeve të paharrueshme, si “Dora e Zotit” e Diego Maradonës në Botërorin 1986 dhe eliminimet dramatike mes dy kombëtareve.

Kohët e fundit tensioni është rritur sërish pasi lojtarët argjentinas kënduan këngën “Muchachos”, ku përmenden Ishujt Malvine (Falkland), një çështje shumë e ndjeshme për Britaninë e Madhe.

Ndërkohë, në Angli ka pasur edhe pakënaqësi për disa vendime arbitrare gjatë Botërorit, me disa tifozë që kanë ngritur dyshime për favorizime ndaj Argjentinës dhe Messit. Megjithatë, sfida e së mërkurës pritet të vendoset vetëm në fushë, ku dy prej skuadrave më të mëdha të botës do të luftojnë për një vend në finalen e Kupës së Botës 2026.

Po ndodh...

ide