Çfarë po ndodh në diplomacinë shqiptare? Rokadë mes Prishtinës dhe Shkupit, dy ambasadorët shqiptarë ndërrojnë destinacionet

27 September 2026, 20:07 / POLITIKË ALFA PRESS
Çfarë po ndodh në diplomacinë shqiptare? Rokadë mes

Ndryshime pritet të ketë në rangun e ambasadorëve shqiptarë në rajon, teksa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka çuar përpara procedurat për një rokadë në përfaqësitë diplomatike në Shkup dhe Prishtinë.

Më 9 tetor Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme pritet të zhvillojë dy dëgjesa, ku në fokus do të jenë pikërisht dy emërimet e reja. Ambasadori aktual i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, pritet të paraqesë platformën e tij për drejtimin e ambasadës shqiptare në Prishtinë, ndërsa ambasadori në Kosovë, Petrit Malaj, pas rreth tre vitesh në këtë detyrë, do të dëgjohet nga komisioni për kandidaturën e tij për të drejtuar misionin diplomatik shqiptar në Shkup.

Bëhet fjalë për një lëvizje që ishte paralajmëruar prej disa muajsh dhe që tashmë ka hyrë në fazën institucionale të shqyrtimit të kandidaturave. Sipas raportimit të Top Channel, mbetet ende e paqartë se çfarë argumentesh përmban relacioni shoqërues i ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, mbi arsyet që kanë çuar në propozimin për ndryshimin e dy ambasadorëve në këto dy poste të rëndësishme diplomatike.

Rokada e mundshme mes Shkupit dhe Prishtinës nuk është lëvizja e vetme që po kryhet në shërbimin diplomatik shqiptar. Vetëm një javë më parë, Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme zhvilloi dëgjesën me ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi, i cili është propozuar për të marrë drejtimin e Misionit të Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë.

Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur se kush do të jetë diplomati që do të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Britaninë e Madhe, duke lënë të hapur një tjetër emërim në kuadër të lëvizjeve që po ndodhin në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë jashtë vendit.

Po ndodh...

ide