Deri ku makina mund të zëvendësojë njeriun?

1 Mars 2022, 12:29 / AKTUALITET ALFA PRESS
Deri ku makina mund të zëvendësojë njeriun?

Natyrisht Njeriu në jetë ka edhe preokupime të tjera, përveç punës. Kjo na e lehtëson frikën e pushtimit që makinat po i  bëjnë aktivitetit njerëzor që lidhet me punën. Fundja nuk do të ishte edhe aq keq t’ia mbërrinim ditës kur puna njerëzore të kryej nga makinat. Por fatkeqësisht Makina nuk mjaftohet vetëm me pushtimin e aktivitetit prodhues të njeriut, ajo ka dhënë shenja alarmuese për mësymjen që po i bën gjithë jetës tonë të përditshme. Në se shohim nga afër mund të konstatojmë dy dukuri  shqetësuese.

Së pari, njeriu po shfaq tendencën të veçohet prej njerëzve të tjerë në kuptimin e kontakteve fizike me ta. Nuk është nevoja të dalë nga shtwpia për të komunikuar:  telefoni, faksi, celulari, interneti, facebook-u, janë aty. Bile nga shtëpia mund të luajë futboll ose tenis me partnerin e vet makine-loje; mund të gjejë edhe të dashur dhe të komunikojë me të; mund të porosisë dhe të paguajë nga shtëpia për sende të blera në një supermarket, apo faturat e shpenzimeve të tij bazë, si energjia, uji, telefonia apo taksat dhe tatimet. Imagjinata e tij nuk do shumë kohë të bëhet realitet në sajë të evoluimit befasues të teknologjisë qe e realizon atë. Edhe përralla e famshme arabe “Hapu Zuzam!” sot është bërë realitet, sepse ka dyer aso kasaforta që hapen duke thënë një fjalë-kod të caktuar që e di vetëm pronari i saj. Ka filluar të flitet edhe për “Cybersex” dhe realitete të tjera virtuale. Njeriu a do të jetë ende njerëzor kur të gjendet në një mjedis të tillë makinash të krijuara nga ai vetë apo do të bëhet edhe ai një makinë midis makinave? ….nuk i dihet!

Transformimi i dytë që po pësojmë, megjithëse më i ngadaltë se i pari, konsiston në një vartësi vazhdimisht e më të plotë nga këto makina. Ato jo vetëm na shërbejnë për të plotësuar nevojat apo dëshirat tona, por njëkohësisht po na injektojnë edhe mënyra të sjelluri që janë në natyrën e makinave. Të shumtë janë sot njerëzit që e kanë pjesë të veprimtarisë të tyre kordinatorin portativ, laptop-in apo IPad-in. Një njeri i tillë, i pajisur me këto mjete është transformuar edhe në botën e tij shpirtërore, në ndjenjat dhe emocionet e tij. Ai është bërë më i ftohtë, më llogaritës, ajo që anglo-saksonët e quajnë pragmatizëm. A mos vallë njeriu është duke u mekanizuar, duke u identifikuar me makinën – krijesën e tij?…nuk e dimë!… A mos vallë ky “degjenerim” i sotëm moral është shprehje e revoltës të brendshme të instiktit (dëshirave) kundra arsyes (intelektit)? Edhe mundet!

Nëse i ekstrapolojmë (çuar në ekstrem) të dy këto tendenca, që përmendëm më lart, do të ballafaqohemi me shoqëri të ardhshme edhe më të çuditshme se ato që përshkruan Asimovi. Ka filluar të depërtohet edhe në mekanizmat e inteligjencës njerëzore, që, me sa duket, janë edhe barriera e fundit që na ndan nga makinat. Tani kemi makina që përkthejnë nga një gjuhë në një tjetër, që kompozojnë muzikë, që projektojnë banesa dhe japin disa obsione për arredimin e tyre, që luajnë shah, që modelojnë një fushë betejë luftarake. Bile, është provuar matematikisht (teorema e Gedelit), që makina mund të prodhojë një makinë më të perfeksionuar se veten! Termi “qenie inteligjente”, që dikur përdorej vetëm për Njeriun, tani është venë në pikëpyetje.

Gjithmonë mund të gjenden argumente që tentojnë të provojnë që Makina kurrë nuk mund të barazohet me Njeriun. Matematicieni angles Alan Turing, njëri prej themeluesve të Informatikës, i ka grupuar këto objeksione në 9 çështje të medha, duke filluar nga teknologjia e duke përfunduar tek perceptimi ekstrasensorial (Teorema Lucas). Sidoqoftë edhe në se nuk bëhet e barabartë me Njeriun, Makina do të futet vazhdimisht e më thellë në veprimtarinë e Njeriut. Kjo shtron edhe një pyetje tjetër: A do të ketë vallë një cak përtej të cilit nuk do të mund ta dallonim Njeriun nga Makina ? edhe këtë nuk e dimë!  Frederik Nitsche, në kohën e vet, mendonte që Njeriu është e vetmia qenie që skuqet dhe qan dhe me këtë kishte parasysh Dinjitetin. Ende nuk dimë në se këtë cilësi mund t’a fitojë edhe Makina.

Njeriu i mekanizuar në ekstrem ose Makina e humanizuar në ekstrem, në fund te fundit janë e njëjta gjë. Mbase, ndonjë ditë, nuk do të kemi të drejtë morale të bëjmë një dallim të tillë. / Përgatiti – Klodi Stralla, Alfapress

Po ndodh...