Dosja e bujshme e prostitucionit në Paris/ Kush është ‘tutorja’ shqiptare që kërkon lirimin nga burgu

6 November 2026, 11:29 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dosja e bujshme e prostitucionit në Paris/ Kush është

Një 37-vjeçare shqiptare, e identifikuar si Mariela M., e dyshuar si një nga figurat kryesore të një rrjeti të organizuar prostitucioni në Paris, ka kërkuar lirimin nga burgu.

Sipas gazetës franceze “Le Parisien”, Mariela ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2026, pasi është marrë e pandehur për tutorim të rënduar të prostitucionit, trafikim të qenieve njerëzore dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Hetimet hedhin dyshime se rrjeti ushtronte aktivitetin në zonën Porte de Vincennes, përgjatë bulevardit Carnot, në distriktin e 12-të të Parisit, gjatë periudhës 2023-2026.

Sipas dosjes hetimore, 37-vjeçarja dyshohet se kishte rolin e një prej drejtueseve në terren, duke organizuar aktivitetin e disa grave që ushtronin prostitucion dhe duke mbledhur një pjesë të të ardhurave të tyre.

Fitimet arrinin në 128 mijë euro

Hetuesit francezë kanë zbuluar se paratë e përfituara nga aktiviteti dyshohet se grumbulloheshin në Francë dhe më pas transferoheshin jashtë vendit, përfshirë Belgjikën dhe Shqipërinë.

Sipas përllogaritjeve të hetuesve, bazuar në transfertat bankare dhe dërgesat e parave, fitimet e lidhura me aktivitetin arrinin në rreth 128 mijë euro.

Në hetime përmenden edhe disa shtetas shqiptarë, mes tyre vëllezërit Z., të cilët dyshohet se kishin rolin drejtues të rrjetit nga Shqipëria. Njëri prej tyre, sipas gjyqtarit relator, dyshohet se vazhdonte të jepte urdhra edhe nga burgu.

U arrestua në një hotel në Paris

Mariela M. u arrestua më 17 shkurt 2026, së bashku me dy gra të tjera, në një hotel në Pantin. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 9 mijë euro para të gatshme.

Para hetuesve, 37-vjeçarja ka pranuar se ushtron prostitucion dhe se ka një marrëdhënie me një person të përfshirë në këtë aktivitet, por ka mohuar se drejtonte rrjetin, mblidhte paratë e grave të tjera apo kryente transfertat financiare.

Avokati i saj kërkoi lirimin nën masën e kontrollit gjyqësor, por prokuroria kërkoi vijimin e paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku që ajo t’i rikthehet aktivitetit të dyshuar kriminal.

Sipas “Le Parisien”, kjo është çështja e tretë hetimore që prej vitit 2019 ndaj rrjeteve shqiptare të prostitucionit në zonën Porte de Vincennes. Në një rast të mëparshëm, në vitin 2023, një drejtues i një rrjeti të tillë ishte dënuar me gjashtë vite burg.

Po ndodh...