Dyshohet se dhunuan studentët gjatë protestave, vendoset paraburgim për 9 policë serbë

6 November 2026, 12:02 / BOTA ALFA PRESS

Dyshohet se dhunuan studentët gjatë protestave, vendoset paraburgim

Gjykata Themelore në Beograd tha ka caktuar masën e paraburgimit deri në 30 ditë për nëntë ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktualë të policisë serbe lidhur me dyshimet për keqtrajtim të studentëve dhe qytetarëve të tjerë në Serbi.

Masa u caktua nga ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë Themelore Publike në Beograd, e cila i akuzon të dyshuarit se më 14 gusht, në garazhin e Qeverisë së Serbisë, në cilësinë e zyrtarëve të kësaj njësie, duke përdorur forcën dhe kërcënimet, u kanë shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të mëdha studentëve dhe qytetarëve të dëmtuar, me qëllim që të merrnin prej tyre informacione, si dhe me qëllim që t’i frikësojnë dhe ndëshkojnë në mënyrë të paligjshme.

Sipas prokurorisë në Beograd, ata kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit dhe torturës.

Në mesin e nëntë të dyshuarve, të cilëve u është caktuar paraburgimi, është edhe komandanti aktual i Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit, Igor Zhmiriç, si dhe persona të tjerë të identifikuar me V.L., J.O., B.J., D.V., N.D., N.F., Z.V. dhe M.V.

Siç bëri të ditur gjykata në Beograd, masa e paraburgimit u shqiptua pasi ka dyshime se nëse të pandehurit do të liheshin të lirë do të mund ta pengonin procedurën penale, duke ndikuar te dëshmitarët.

Ata dyshohen se kanë kryer një vepër penale që ka elemente të dhunës, vepër për të cilën, sipas ligjeve në Serbi, parashihet burgim deri në pesë vjet burgim.

Ndërkaq, ish-shefi i Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, Marko Kriçak, aktualisht shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, veçse ndodhet në paraburgim. Prokuroria e ka cilësuar atë si të dyshuarin kryesor për këtë rast.

Ai dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare lidhur me vrasjen në restorantin “27”, në lagjen Senjak.

Kriçak kishte drejtuar një aksion policor në një restorant në lagjen Senjak, ku fillimisht, në kallëzimin penal të policisë për këtë krim ishte përfshirë Vesellin Milliç i cili në atë kohë, përveçse ishte ndihmësdrejtor, ishte edhe shef i policisë së Beogradit.

Ai u bë i njohur për publikun në Serbi pasi studentja Nikolina Singjeliç e akuzoi për kërcënim dhe brutalitet policor të kryera në garazhin e ndërtesës së ekzekutivit në Serbi, gjatë protestave të vitit të kaluar në Serbi, dhe ngriti kallëzim penal kundër tij.

Studentët në Serbi kishin organizuar protesta kundër autoriteteve serbe, pas shembjes së strehës prej betonit në një stacion hekurudhor në Novi Sad, ku kishin vdekur 16 persona.

Një lëvizje politike, që doli nga këto protesta, e quajtur Lista Studentore, i fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 tetor, duke larguar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin Aleksandar Vuçiç.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 nëntor, duke i hapur rrugë konstituimit të Parlamentit dhe Qeverisë së re të Serbisë./REL

Po ndodh...