A do shitet Rudi Erebara te alibashët, që janë të shitur te Rama dhe McGonigal?

11 Mars 2023, 15:51 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

A do shitet Rudi Erebara te alibashët, që janë të shitur te

Në rrjet ka shpërthyer një nismë masive që Partia Demokratike zyrtare, të nxjerrë si kandidat për bashkinë e Tiranës, shkrimtarin Rudi Erebara.

Nuk e kam idenë se çfarë do të bëjë lidershipi, Basha-Alibeaj dhe të tjerët, por nëse realizohet kjo unë personalisht, (nuk besoj te proceset zgjedhore në Shqipëri pa u rrëzuar marrëveshja Rama-Berisha e vitit 2008), do të shihja këtë kandidim si një shenjë të PD-së së ardhme.

Erebara është një shkrimtar që ka fituar çmime evropiane, aktivist i madh për çështjen e Teatrit dhe të tjera, antiestabilishment, i djathtë 24 karat, idealist, “pronar” i varfër dhe mbi të gjitha i lexuar, mendje-hapur dhe i lindur properëndimorë. Do të ishte pikërisht modeli; edhe puro demokrat i djathtë, edhe i pranuar masivisht nga votuesit shqiptarë inteligjent dhe idealistë, që janë ata të shtresës gri dhe shumica reale.

E di që ka shumë demokratë militantë të mërzitur me Rudi Erebarën, sepse “politikën” e bën bruto dhe shpesh ironike, deri në cinizëm. Se e ka kritikuar lidershipin e PD-së zyrtare, sa herë e ka menduar ashtu. Por pikërisht nga mungesa e steriotipeve të tillë vuan dhe ka vuajtur PD, nën sundimin e Berishës dhe më pas.

Ai së bashku me frymën dhe qëndresën properëndimore të PD së Bashës, Alibeajt, Bardhit, Tabakut dhe shumë e shumë të tjerëve, ndoshta nuk e mund dot mamuthin e korrupsionit, Rama-Veliaj që kanë arritur të blejnë edhe Foltoren dhe shpirtra demokratësh, po berishizmin si neoenverizëm po. Kjo është e sigurt.

Partia Demokratike properëndimore, nuk duhet që të bjerë në kurthin e Sali Berishës i cili e ka banalizuar debatin, se kush është “shumicë” në PD dhe kush  do të zërë vendin e dytë dhe të tretë në zgjedhjet e radhës.

Misioni i saj është përtej pushtetit momental dhe rotacionit. Ai është kombëtarë dhe historik; ti jap fund tranzicionit korruptivo-kriminal, të çlirojë votën, partitë, ekonominë nga oligarkët dhe ti jetë mburojë drejtësisë së re. Në këtë këndvështrim që për këto zgjedhje dhe që tani, ajo duhet që të tregojë filizat e të ardhmes, si modeli Erebara.

Duke vendosur këtë kauzë përball berishizmit dhe ramizmit të cilat janë të dyja fenomene neoenveriste, PD perëndimore, vjen në pushtet përpara vitit 2025 dhe kjo nuk ka dyshim.

Kanë edhe ndihmën e vetë Sali Berishës. Shihni deri ku ka arritur degradimi i tij së fundmi:

Gjatë 24 orëve të fundit më kanë ardhur njoftime të dala nga kupola e Rithemelimit, të cilat udhëzojnë kryesitë nëpër rrethe që të nisin intensivisht mbledhjen e firmave për të regjistruar në KQZ, kandidatët në koalicion.

Sipas informacioneve që vijnë nga gjithandej, në bazën e PD-së ka plasur një depresion i vërtetë. Presioni ndaj kandidatëve dhe kryesive të Foltores për tu regjistruar nën siglën e partisë mëmë, është teje i madh. Por përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: Çfarë të bëjmë ne të shkretët, nuk do Ai, nuk dëgjon!

Ajo që po ndodh me demokratët e ndershëm, kudo nëpër Shqipëri, më shumë se pengmarrje është kriminale. Një individ i cili u shfaq gjatë protestave të studentëve si një sfumues i zemërimit ndaj regjimit Hoxha dhe veçanërisht që të “mos nervozojmë dhe lëndojmë shokun Ramiz”, po merr në qafë për arsye që tashmë nuk i fsheh as vetë, një parti e cila është më shumë se parti.

Po përpiqet me çdo mjet që ti japë dorën e fundit një force politike 33 vjeçare e cila nuk e ka hipotekën në Viçidol, po te të gjithë shqiptarët që u ngritën për demokraci, si dhe te Perëndimi dhe posaçërisht në SHBA. Duke e ditur që SHBA e ka PD-në hipotekë reale, “pikë të dobët”, investim strategjik që e ka nisur që me Zërin e Amerikës dhe Radion Europa e Lirë në shqip, kur demokratët e ardhshëm e dëgjonin fshehtas në regjimin e Hoxhës, ai po mendon se duke e shkatërruar po hakmerret për “nongratat” e tij.

Gjatë ditëve të fundit Sali Berisha e ka kthyer hapur Foltoren në një bunker, nga i cili qëllon me “topa” SHBA dhe çdo ambasador të Perëndimit në Shqipëri. Njësoj siç bënte Enver Hoxha, madje me “armatim”, edhe më të rëndë.

Të gjithë ata që e kanë ndjekur gjatë marshimit të tij epik pasi u shënjua nga SHBA botërisht si i korruptuar dhe minues i demokracisë, po lemerisen. Kujtonin të shkretët se Berisha do të bashkonte partinë, por ai thjesht i ka përdorur si “mish për top”, për të blinduar shtëpinë dhe pasurinë.

Orët po kalojnë dhe mijëra demokratë që e kanë ndjekur deri këtu, po çmenden: Ai nuk ka asnjë plan dhe asnjë ide, se si do të hyjnë në zgjedhjet e 14 majit.

Ndaj “topi” është i gjithë në fushën e PD-së zyrtare. Nëse për Berishën dhe lëvizjen e tij shenjat e qametit po bëhen realitet, ajo duhet të japë shenjat që në këto zgjedhje me kandidatët e saj, se nesër do të jetë një parti perëndimore.

Ndaj modele si Erebara duhen përkrahur dhe nxjerrë në skenë, jo se kanë ndonjë shans që të mundin pas 2 muajve mamuthin Rama që ndihmohet edhe nga Berisha, por për PD-në e epokës post- tranzicion!

Ndaj nëse ndodh kjo kandidaturë, Erebara duhet që të bëhet gati që të japë llogari përpara Berishës, se si e qysh u shit te alibashat, të cilët janë të shitur te Rama dhe së bashku te McGonigal!/



 

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128