Gaz Bardhi negocion me Berishën, si keci me Ujkun!

5 Shtator 2023, 16:32 / EDITORIAL NGA ARTUR ZHEJI

Gaz Bardhi negocion me Berishën, si keci me Ujkun!

Ndërkohë që Rama mbaroi punë me operacionet kirurgjikale në qeverinë e tij, duke ndërruar ministra e ministresha, Gaz Bardhi, një virtuoz i paparë i politikës së re, kish filluar negociatat me Berishën.

Në të vërtetë deri ca kohë më parë, Bardhi njihej si një zbulim, apo si një shpikje e Lulzim Bashës dhe deri ca muaj më parë, Berisha dhe zgjatimet e tij politike apo mediatike, ishin të pamëshirshëm me dyshen Basha-Bardhi. Por edhe Bardhi, ja zbardhte faqen Bashës, duke ja nxirë Berishës me topa balte euroatlantike dhe akuza zymtake. Mirëpo ndërkohë që Lulzim Basha, u dorëhoq si pasojë e mospërballimit të trysnisë, gjërat ndryshuan, ditë pas dite dhe një embrion i fshehur ambicioz në zemër të Bardhit, u rrit dhe u bë burrë. Berisha, në mënyrë dhelpërore e nuhati nga larg këtë ambicie dhe filloi ta vadisë e ta ushqejë me vëmëndje, me mënyrën e tij të sprovuar shumë herë dhe me shumëkënd.
Shumëkush me pak mend në kokë, e kupton pa folur se çfarë mendon në intimitetin e tij mendor Sali Berisha për Bardhin dhe Gështenjën: ai i konsideron ata dhe kush u shkon pas, si lajthi të lajthitura. Mirëpo ay, Berisha ka nevojë edhe për ata në ditët sotme, ndonëse dikur do ti kish shtypur dhe zvoshkur nga lëvozhgat e tyre cipëholla, por sot nuk mundet.

Sot Berisha ka nevojë edhe për ata.

Kanë filluar negociatat ndërmjet tyre. Ky është lajm! E çfarë mund të negociojnë ata sot?
Çfarë fuqie ka Bardhi apo Gështenja & Co, që duken përpara Berishës si kecat që i ngrenë gishtin tregues Ujkut të murmë? Po Berisha ka nevojë të blejë kohë dhe të blejë keca për të shtuar vathën dhe për të lënë në vetmi të plotë parlamentare Lulzim Bashën. Çfarë bajgërie kanë lëshuar ndaj njeri tjetrit, i shplan koha dhe i aromatizon nevoja. Saliu e di që këta “të rinjtë”, janë intelektualisht shumë inferior në lidhje me Bashën, por e kapërcejnë Lulzim Bashën në ambicie. Saliu e di mirë se ata, nuk e duan fare atë, por se Saliu ju duhet atyre, duke shpresuar që kanë të bëjnë me një lider të përkohshëm dhe më pas do të shqyhen për trashëgiminë e partisë.

Kecat ëndërojnë të bëhen ujqër, ndërsa Ujku i vërtetë e di mirë, se ujk bëhet vetëm një këlysh ujku dhe kështu Saliu ua bën më të lehtë ëndërimin dhe i lëkund në djepin e ambicieve të tyre. Sepse Saliu ka axhendë tjetër, ai kërkon pushtetin absolut të kryeopozitarit, ndërsa këta ëndërimtarët që hedhin valle në gojë të ujkut, mendojnë se do bëjnë karierë mbi kurrizin e tij.
Dhe në këtë lojë sugjestive, Saliut i marrin të keqen dhe nuk ja hedhin dot.
Kjo është edhe arësyeja sepse Rama, ndërsa mbante fjalimin e vet në asamblenë e socialistëve, ku vetëm ai foli dhe të tjerët vetëm dëgjuan në mënyrë shembullore, ishte i qetë dhe madje foli mjaft mirë për SPAK-un.
Të vetmen opozitë që ka sot korrupsioni, sepse përralla e Ujkut dhe Kecave, në krahun tjetër, dihet si përfundon.
Gjithmon Ujku i ha kecat dhe e kundërta nuk ka ndodhur kurrë. Për sa kohë të ecë përpara shpalosja dhe rrëfimi i kësaj përralle, Rama do flasë dhe socialistët do dëgjojnë të etur se çfarë do të ndodhë në 2030…