"Jo çdo e keqe vjen për keq", mundësia e artë për PD ka ardhur!

24 Qershor 2023, 15:07 / EDITORIAL NGA ERL KODRA

"Jo çdo e keqe vjen për keq", mundësia e artë

Për herë të parë në 32 vite ndarja e Opozitës është mundësia e artë për t'u ndarë nga e shkuara

Kur dëgjon Gazmend Bardhin teksa flet për nevojën e bashkimit të opozitës, si padashje ai harron shkakun pse u përça Partia Demokratike, por mbi të gjitha, kush e përçau atë. Ai thotë se opozita ka nevojë të bashkohet pikërisht me atë që u nda më 9 shtator 2021, pra me Sali Berishën. Paradokse të tilla vetëm një mendje e çoroditur mund të nxjerrë në publik. Zotin Bardhi e mora si shembull, por të tjerë individ-deputetë që i janë bashkuar atij shkojnë edhe më tej, si përshembull Ervin Salianji dhe Dashnor Sula. Të gjithë këtë retorikë pa sens grupi Bardhi e justifikon me nevojën e bashkimit, përndryshe, opozita e ka të pamundur të fitojë mbi Edi Ramën.

Në fakt e kundërta është e vërtetë.

Në zgjedhjet e vitit 2021 Partia Demokratike ishte shumë afër fitores, dhe sigurisht, diferenca u përcaktua nga disa faktor ekstra-elektoral, që janë; a) ndryshimet e njëanëshme kushtetuese, b) blerja e zgjedhjeve nga aleatët e Edi Ramës si Tom Doshi, Aqif Rakipi dhe Vangjush Dako, dhe c) prania e Sali Berishës dhe disa eksponentëve afër tij në listat e Partisë Demokratike. Sigurisht që ka patur edhe faktor të tjerë, që të gjitha ngapak, sollën atë rezultat që të gjithë e njohim. Më e pakta, të vërtetat duhet të thuhen hapur, sidomos kur të gjithë i dimë se kështu ka ndodhur.

Të gjithë e dimë se faktori ndërkombëtar mbylli një sy para masakrës elektorale që Edi Rama bëri përmes metodave të njohura, tashmë të ngritura në sistem. Shpallja non-grata e Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit vetëm disa javë pas zgjedhjeve tregon qartë se aleati strategjik i Shqipërisë nuk ishte e gatshme që të mbronte opozitën saktësisht për shkak të Sali Berishës. Kjo është e vërteta që të gjithë e dimë, por që askush nuk e thotë.

9 Shtatori 2021 ishte dita që shpërtheu krizën brenda Partisë Demokratike, një krizë e gjatë, që kishte filluar që para zgjedhjeve të vitit 2013. Ardhja e Lulzim Bashës në krye të PD në thelb nuk ndryshoi asgjë, pavarësisht disa përpjekjeve sporadike që ai bëri për të reformuar partinë. Largimi i Jozefina Topallit, Astrit Patozit dhe Majlinda Bregut ishte e papërfillshme para nevojës për reformim të thellë të partisë. Mbi të gjitha, prania e Sali Berishës dhe e veteranëve të tjerë në politikën aktive si deputet që nga viti 2013 e deri më sot është prova e pakundërshtueshme se Partia Demokratike nuk po reformohej, por po mbahej peng nga Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij. Ata besonin dhe vazhdojnë të besojnë se ata janë Partia Demokratike është pronë e tyre, dhe se ata duhet të jenë aty përgjithmon. Domethënë, ata besonin se largimi i tyre nga pushteti në vitin 2013 ishte i përkohëshëm, maksimumi 8 vjet, dhe se të njëjtët do të rikthehen përsëri si Ministra në të njëjtat ministri prej ku u larguan. Por këto janë thjesht koncepte arkaike dhe parapolitike, që janë tejkaluar me kohë në demokracitë përëndimore. Asnjë shans nuk ka që një Parti Demokratike e tillë të vijë ndonjëherë në pushtet. Kjo lloj PD-je maksimumin e arriti në zgjedhjet e vitit 2021.

Zhvillimet brenda opozitës që pasuan zgjedhjet e vitit 2021, treguan qartë se që të përfundojë tranzicioni politik, social dhe kulturor i vendit, së pari duhet reformuar klasa politike. Përndryshe, është e pamundur që të mbyllet një epokë dhe të hapet një tjetër - nga të njëjtët aktorë politik. Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta me bashkëpunëtorët e tyre që datojnë që nga viti 1991 nuk mund t'i japin fund tranzicionit të Shqipërisë. Maksimumi ata mund të na kthejnë në vitin 2000, por asgjë më shumë. Brezi i viteve 20 të mijëvjeçarit të ri nuk mund të drejtohet më tej nga Tritan Shehu (sic!). Sigurisht, nëse vazhdojmë të pyesim Tritan Shehun, Arben Imamin - madje edhe Ferdinand Xhaferin - ata do të thonë se "ne jemi kontributorë të mëdhenjë të Partisë Demokratike, dhe se ne këtu do jemi". Bukur shumë, por kjo është rruga e sigurtë drejt vdekjes politike të Partisë Demokratike.

Në Shqipëri nuk votojnë mbi 1 milion shqiptarë. Nuk ka studime të sakta se cilat janë arsyet pse këta zgjedhës nuk votojnë, megjithatë, arsyeja kryesore është se shumica e tyre nuk i duron "tre dinosaurët" e politikës shqiptare. Disa nuk e duan PS, disa nuk e duan Edi Ramën, disa nuk e durojnë Sali Berishën, të tjerë e urrejnë për vdekje Ilir Metën, por ndërkohë, të gjithë urrejnë të jenë ushtarë të njërit ose të tjetrit. Në të vërtetë ata janë pjesë kritike e shoqërisë, por deri më sot ata nuk kanë patur një ofertë serioze politike që t'u tërhiqte vëmendjen.

Më së paku gjysma e tyre janë votuesë potencial të një opozite serioze, të pranueshme dhe aleate e demokracive përëndimore, dhe sidomos e Shteteve të Bashkuara. Me siguri që ata do të votonin një Parti Demokratike të çliruar nga ish-ët e saj dhe nga Sali Berisha, si e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund agonisë politiko-ekonomike të vendit. Kjo është masa kritike njerëzore që mund t'i japë fund tranzicionit politik në Shqipëri. Dhe Partia Demokratike këtë masë kritike votuesish duhet të synojë.

Përfundimisht, nëse Partia Demokratike bashkohet e Foltoren, përfshirë Sali Berishën me ish-ët e tij, kurrë nuk mund të rritet më shumë se sa ishte në vitin 2021. Më e pakta, ndarja e bërë fakt nuk mund të ndodhë në kushte opozitarizmi. Teza se po nuk u bashkuam nuk do të mundim Edi Ramën ka rënë përfundimisht. Edhe sikur të mos ekzistonte problemi Sali Berisha, të bashkuar nuk shkojmë përtej vitit 2021, ndërsa të reformuar, duke tërhequr edhe elektoratin gri, fitorja e të djathtës është e garantuar.

"Jo çdo e keqe vjen për keq" - thotë një fjalë e vjetër.