Me vendim gjykate, PD është pronë e të gjithëve

6 Mars 2023, 17:22 / EDITORIAL NGA ERVIS ILJAZAJ

Me vendim gjykate, PD është pronë e të gjithëve

Vendimi i gjykatës në datë tre mars për çështjen e Partisë Demokratike, hoqi në mënyrë përfundimtare ‘’pronësinë’’ e saj nga Sali Berisha dhe ja ktheu atë të gjithë të djathtëve dhe qytetarëve shqiptarë, ashtu sikurse duhet të jetë, pasi PD është një forcë politike historike dhe aset kombëtar dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohej pronë e një individi.

Deri më sot, ajo parti është konsideruar si pronë e Sali Berishës. Mirëpo për fat të mirë, vendimi i datës tre e ktheu atë parti në një forcë politike e cila kalon përtej një emri. Do të ishte absurde dhe dëshpëruese nëse Partia Demokratike do të vdiste bashkë me vdekjen politike të Berishës. Në këtë kuptim, ky është një lajm i mirë për demokracinë dhe politikën shqiptare. Partia Demokratike e Shqipërisë, partia e cila ka sjellë pluralizmin do të vazhdojë të ketë të ardhme.

Kjo është një ndarje përfundimtare që Sali Berisha bënë me Partinë Demokratike, të paktën si kryetar i saj. Ky është efekti politik që vendimi i gjykatës ka dhe do ketë edhe në të ardhmen.

Nga Berisha dhe mbështetësit e tij u krijua ideja e shumicës që ata kanë brenda partisë, dhe si pasojë u takonte dhe ligjërisht ajo parti. Kjo është një tezë absurde dhe një mangësi totale e njohjes së shtetit ligjor dhe të së drejtës. Për ligjin dhe gjykatën nuk ka rëndësi së kush ka shumicën, por a janë zbatuar procedurat dhe rregullat e parashikuara në ligj.

Një gjykatës nuk del në dritare dhe numëron njerëz, por zbaton ligjin. Aq me tepër kur shumicat politike ndryshojnë dhe nuk janë variabla të përhershme. Sot je shumicë, nesër je pakicë. Ndërsa ligji, është gjithmonë i njëjti. Prandaj çdo vullnet politik, sa do i madh të jetë ai, nëse nuk shprehet brenda rregullave dhe procedurave ligjore të parashikuara, është nul. Ky është parimi i drejtësisë dhe garës politike. Nëse nuk kuptojmë këtë gjë, nuk kemi kuptuar asnjë gjë nda demokracitë kushtetuese.


Në fakt përgjatë një viti , që kur hyri në selinë e Partisë Demokratike, lidershipi i Berishës dështoi të bashkonte partinë, dështoi të rregullonte marrëdhëniet ndërkombëtare duke u futur në izolim total, dështoi të rregullonte statusin e tij në raport me aleatët kryesorë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara, ashtu sikurse u kishte premtuar ndjekësve të tij. Kështu që, vendimi i gjykatës është akti i fundit i krizës së lidershiti të tij politik si kryetar i opozitës.

Sigurisht Berisha do të vazhdojë me retorikën e tij se ai është Partia Demokratike e vërtet, se ata të tjerët janë të shitur të Rama, apo se vendimin do ta çojë në gjykatën ndërkombëtare ashtu sikurse bëri më gjyqin e tij personal që e çoi në gjykatën e Parisit.

Të gjitha këto deklarata nuk janë asgjë tjetër përveçse shenjë dëshpërimi, dhe me shumë gjasa, askush nga ata që e kanë ndjekur mbrapa deri më tani nuk i beson më. I vetmi qëllim i këtyre deklaratave të cilat nuk i beson as Berisha vetë, janë për të mbajtur ende ndjekësit e tij me iluzione se ata janë Partia Demokratike dhe se kjo betejë nuk ka përfunduar.

Megjithatë, retorika që ai bënë nga veprimet e tij janë totalisht dy gjëra të kundërta. Veprimet dhe vendimet e Berishës tregojnë se politikisht ka kaluar në planin B, të cilin e ka patur gjithmonë gati.

Sali Berisha politikisht është ndarë nga beteja për të rimarrë Partinë Demokratike dhe është duke krijuar një formacion të ri politik, që me shumë gjasa do të krijohet mbas zgjedhjeve lokale. Ka të gjithë të drejtën për të vazhduar jetën e tij politike, dhe askush nuk ja ndalon këtë gjë. Por ama, një gjë është tashme e sigurtë, nuk do të vazhdojë si kryetar i Partisë Demokratike. Ajo është një forcë politike që tashmë u përket qytetarëve shqiptar dhe jo më një pronë personale e tij.

Nga ana tjetër, ata që për momentin drejtojnë Partinë Demokratike, për arsyet e vlerave dhe historisë që ajo mbart, kanë për detyrë të bashkojnë dhe të afrojnë pranë saj çdo kandidat që dëshiron që të përfaqësohet ende me atë logo. Në të kundërt, krijimi i djathtës plurale në Shqipëri është realitet. Nuk ka asnjë gjë të keqe dhe të çuditshme nëse krijohen disa forca politike të djathta. Ky është një proces që ka ndodhur në shumë vende europiane, dhe herët apo vonë do të vinte edhe në Shqipëri.

Po ndodh...