Miliona eurot për të baltosur Bashën, po bëhen baltë për baltën!

12 Shtator 2023, 19:17 / EDITORIAL NGA GENTIAN GABA

Miliona eurot për të baltosur Bashën, po bëhen baltë

Miliona euro janë harxhuar ndër vite për të goditur Bashën, veçanërisht në dy vitet e fundit, sepse pas 9 shtatorit, me të mirat e të këqijat e tij, mori përsipër një betejë të pabarabartë kundër njerëzve më të pushtetshëm të tranzicionit.

Balta e hedhur ndaj tij kishte vetëm një qëllim, mbajtjen e status quo-së, duke penguar, vetëm përkohësisht, një vullnet të administratës Amerikane për të luftuar korrupsionin dhe përmes sanksioneve, për të mundësuar atë që qytetarët dhe sistemi i drejtësisë nuk ka arritur dot gjithë këto vite: Një ndryshim të kastës së vjetër politike, atyre që kanë konsumuar dhe konsumojnë sot e kësaj dite më shumë pushtet politik dhe ekonomik se kushdo tjetër në Ballkan.

Një ndryshim që mund të fillonte vetëm nëpërmjet reformimit të PD-së.
Kur ky reformim i vonuar nisi për vullnet të Bashës, mori jetë edhe kundër-reforma, me emrin foltore, por sigurisht ishte më transversale në përbërje. U hapën thasët e korrupsionit të vjetër e të ri dhe çdo ditë e çdo natë, ekraneve e portaleve, derdhej vrerë i financiuar për të denigruar Bashën dhe për të sabotuar procesin e nisur nga ky i fundit.

Momentalisht ia arritën, Basha dha dorëheqjen, por asgjë nuk ndryshoi, përkundrazi, gjërat u bën më keq, revolucioni mbeti rrugëve dhe në vend që të rriteshin kërkesat për ndryshim, u inflacionuan pazaret për mbijetesë nga ata që pas zjarrit të parë të përballjes, u vithisën nga frika e humbjes së karrigeve të tyre.
E ja ku jemi sot, ndërsa një pjesë e deputetëve janë fshehur në pasigurinë e tyre dhe një pjesë tjetër ka nisur të riciklojë akuza të dala boje për të kamufluar piruetat e paparmita, Basha vijon me durim punën e tij, që sot merr një jehonë ndërkombëtare të shuguruar nga unanimiteti në votën e Këshillit të Europës. Një mbështetje dhe promovim i qartë për kreun e PD-së, që davarit tymin e zi të sponsorizuar për të zbehur lidershipin e tij.

E megjithatë, e sotmja nuk është një fitore për Lulzim Bashën, ai ka ditur të mbajë goditjet e njëpasnjëshme dhe ka vazhduar në rrugën e tij, pasi barra e vërtetë e lidershipit është të marrësh vendime që momentalisht mund të perceptohen si jo popullore, duke sakrifikuar nga vetja e tij, siç edhe bëri në 21 mars të 2022-shit.

Mbi të gjitha dita e sotme shënon disfatën e të gjithë atyre që për dy vite u bënë pjesë e makinerisë së baltës, e që këtë mbrëmje, nga Tirana, shohin Bashën në Këshillin e Europës, ku me siguri, teksa përfundon ditën e tij, këndon refrenin e këngës së Vasco Rossit, Eh già: “IO SONO ANCORA QUA!”

 

Po ndodh...