Non grata mallkimi i Berishës që nuk do të hiqet kurrë!

9 Dhjetor 2024, 14:13 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Non grata mallkimi i Berishës që nuk do të hiqet kurrë!

Sali Berisha përpiqet çdo ditë të mbajë të motivuar mbështetësit e tij, ndonëse këta shpesh ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer nga premtimet e paplotësuara gjatë tre viteve të fundit.

Premtimi për të rrëzuar Ramën brenda 6 muajsh: Ai kishte deklaruar se qeveria e Edi Ramës do të binte shpejt, por përkundrazi, Berisha dorëzoi një tjetër mandat në favor të Ramës, duke mos arritur asnjë fitore politike në këtë periudhë.

Akuzat ndaj Bashës për zgjedhjet: Berisha fillimisht fajësoi Bashën për dështimet elektorale, duke pretenduar se zgjedhjet ishin të manipuluara. Më pas ndryshoi qëndrim, duke akuzuar Ramën për kapjen e zgjedhjeve përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Deklaratat për ndershmëri: Berisha ka pretenduar se ka qenë gjithmonë i ndershëm. Megjithatë, faktet tregojnë se ai ka përdorur pozitat e tij për të pasuruar familjen, duke përforcuar kritikat për korrupsion.

Marrëdhëniet me Ramën: Ndërsa ka akuzuar Bashën për bashkëpunim me Ramën, vetë Berisha dhe familja e tij kanë përfituar nga vendime ekonomike të qeverisë Rama, duke ngritur dyshime mbi deklaratat e tij publike.

Premtimi për heqjen e statusit “non grata: Berisha ka bërë një tjetër premtim të vështirë për t’u mbajtur, duke thënë se pas inaugurimit të Donald Trump si president të SHBA, do të punojë për heqjen e statusit “non grata”. Megjithatë, historikisht asnjë individ nuk e ka arritur këtë në SHBA, duke bërë që ky premtim të shihet si një strategji retorike dhe jo si një plan i realizueshëm.

Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, me akuza që lidhen me korrupsion dhe ndikim negativ në institucionet demokratike:

1. Non Grata në SHBA (Maj 2021):

Departamenti i Shtetit e akuzoi Berishën për përfshirje në korrupsion domethënës dhe përdorimin e pozitës së tij për të pasuruar veten, aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes, si dhe për minimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë.

2. Non Grata në Mbretërinë e Bashkuar (Korrik 2022):

Autoritetet britanike e ndaluan hyrjen e Berishës në vend, duke përmendur përfshirjen e tij në korrupsion dhe krim të organizuar. Sipas raportimeve, Berisha ka përdorur pozicionin e tij për të ndikuar në mënyrë të paligjshme mbi institucionet shtetërore dhe ka përfituar nga transaksione të dyshimta me pasuri.

Këto akuza janë bërë të ditura në kuadër të një programi më të gjerë të qeverisë britanike, për të kufizuar ndikimin e individëve të korruptuar .

Sali Berisha, paditi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në një gjykatë franceze në Paris pas shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së në maj 2021.

Gjykata franceze rrëzoi padinë e ngritur nga Sali Berisha kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Berisha e dinte që një padi e tillë kishte pak mundësi suksesi, pasi Blinken gëzon imunitet diplomatik.

Megjithatë, qëllimi kryesor i Berishës duket se ishte të krijonte përshtypjen tek mbështetësit e tij se po bënte një betejë për të mbrojtur emrin dhe dinjitetin e tij.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me Britaninë e Madhe, ku Berisha, sipas dosjes hetimore të SPAK, pagoi një shumë prej 450 mijë eurosh avokatëve të tij për të sfiduar masën “non grata”.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Sigurinë (SIAC) në Londër e konfirmoi këtë masë, duke vërtetuar akuzat për përfitime të paligjshme nga transaksione tokash dhe për mbrojtjen e individëve të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.

Pavarësisht përpjekjeve të tij, Berisha nuk përmend më vendimin “non grata” të Britanisë së Madhe, i cili për nga rëndësia dhe pasojat është, edhe më i rëndë sesa ai i SHBA-së. 

Kjo e bën të qartë se Berisha e ka të pamundur të largojë këtë njollë nga karriera dhe cv e tij politike. Ashtu siç ka bërë këto 3 vite, ai po blen sërish kohë me propagandë boshe, për të mbajtur të bashkuar atë "çetë" militantësh, intresaxhinjsh ekonomikë dhe politikë për një karrige deputeti. Me pasurinë e madhe familjare që rezulton edhe nga hetimi pasuror i SPAK, me ndihmën e Edi Ramës dhe oligarkëve të përbashkët, edhe mund të vazhdojë ende edhe pak që të blejë kohë. Por dosjet, letrat që janë në SPAK, Washington, Londër dhe Bruksel dhe që vërtetojnë pikë për pikë motivacioniet e dy nongratave, nuk i zhbën dot. E kaluara është e vetmja gjë që nuk blihet!/Alfapress.al

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128