Partia e dobishme e Enkelejd Alibeajt
Një produkt mediatik
Sistemi duket i tmerruar nga furia me të cilën ka hyrë në tregun mediatik partia e anti berishistit Enkelejd Alibeaj. Nga frika, televizionet shqiptare ua kanë lënë studiot totalisht në dispozicion. Open bar. Enkelejd Alibeaj dje, (e hënë 14 tetor), theu rekordin mediatik të vënë nga dr Pëllumb Pipero, në kohën e covidit. Mbetet enigmë se si ia ka arritur të shkojë nga një emision te tjetri, me trafikun e llahtarshëm të Tiranës.
Jo vetëm ke frikë të hapësh televizorin se do të të dalë se s’bën përpara ndonjë Kullur, apo ndonjë Kthup, por vihet re dhe një pritje plot dashamirësi nga moderatorët. Të njëjtët njerëz që masakroheshin ato pak herë që dilnin nëpër studio për të përfaqësuar PD zyrtare, sot trajtohen plot dashuri. Në këtë moment një burrë i ndershëm pyet veten: ‘’Çfarë po ndodh? Pse po më trajtojnë me kaq mirësi?! Kujt po i shërbej, qoftë edhe padashur?!’’. Nuk është fort e vështirë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve…
Nuk do ta kisha marrë mundimin të bëja një shkrim për një parti të formuar vetëm mediatikisht nga 10 protagonistë e dy tifozë, pasi nuk është një produkt politik. Ama nuk mund të injorosh fenomenin mediatik. Edhe Mero Baze u kishte kushtuar një editorial. Një parti anti sistem që promovohet fuqishëm nga mediat e sistemit... Nuk gjen dot rast të dytë në Shqipëri deri sot.
Po sikur Enkelejd Alibeaj të kishte dalë në tv kaq herë në ato kohë që drejtonte PD? Natyrisht që historia nuk bëhet me sikur...
Paketim i bukur
Partia e re i shtohet nja 130 partive ekzistuese në Shqipëri. Si një produkt supermarket të madh, një supermarket big. Traktatet e mëdha demokratizuese fillojnë nga Magna Carta e baronëve rebelë britanikë, e cila është pararendësja e traktateve për demokratizim e llogaridhënie, tek Karta e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit që formëzoi idetë e Revolucionit Francez, e në fund te Karta e të Drejtave Themelore të BE. Por partia e Enkelejd Alibeajt mendon se nuk mjafton. Duhet edhe karta e vlerave. Nuk duan të duken si tradhtarë të rëndomtë. Duan të duken si tradhtarë me parime.
Duke qenë juristë, duket se i kanë dhënë rëndësi formalitetit. Kanë prodhuar kartë e statut. Paketim goxha i bukur. Ama brendia është bosh. Kartën e statutin e miratoi grupi nismëtar prej plot 10 vetësh me përkrahjen e dy tifozëve. Po mbështetësit ku janë?! Apo janë të turpshëm dhe s’ju pëlqen të shfaqen në publik?
Adriatik Lapaj ende nuk e ka regjistruar në gjykatë forcën e tij politike. Ama prodhon politikë dhe askush nuk thotë se ai nuk ka parti politike, sepse nuk është i formalizuar në gjykatë. Është forcë reale politike sepse ka mbështetës. Agron Shehaj formoi një parti. Mblodhi rreth 3000 njerëz në një kongres dhe shpalli partinë e tij. Alibeaj&Co formuan një parti me 10 njerëz dhe dy tifozë. Plotësohen të gjitha kushtet që kjo parti të trondisë sistemin. Mezi po presin sa të vijë data e zgjedhjeve. Edhe votuesit i kanë gjetur. Do votohen nga ata gjysmë milioni shqiptarë që sot janë të papërfaqësuar dhe që po prisnin me padurim, formimin e partisë së re.
Linja politike
Pak parti në historinë e botës kanë pasur një linjë politike ende pa u krijuar. Mirëpo partia e Enkelejd Alibeajt i kishte idetë të qarta. Do të bëjnë koalicion me forcat e reja. Nuk kanë gjetur akoma mbështetës, por aleatët i kanë gati.
Askush nuk e di peshën e tyre në skenën politike shqiptare, ama partia e re ka kushte për të gjithë. I shpallën kushtet për Lulzim Bashën, kushtet për PD e Berishës, kushtet për aleatët e rinj eventualë, etj. Duhet thënë se deri tani nuk i kanë bërë të ditura kushtet për Donald Trump.
Dashamir Shehi deklaron se mqs Berisha ka copën më të madhe të opozitës, por që nuk mjafton për të mundur Ramën, atëherë do të duhet të krijohet një pol i ri opozitar që të marrë ato vota që nuk merr dot Berisha dhe pastaj të bashkohen me copën e madhe të Berishës për të krijuar një shumicë. Pra kemi të bëjmë me një trafikim votash anti Berishë te Berisha. Z. Shehi duhet falenderuar për sinqeritetin.
Edvin Kulluri shkon më tej. Kushti për të bashkëpunuar me PD-në e Berishës është që Berisha të mos jetë kandidat për kryeministër. Pra nqs Berisha nxjerr një kukull të tijën si kandidat për kryeministër, partia e re e anti berishistit Enkelejd Alibeaj është e gatshme t’i bashkohet Berishës.
Po non gratta?! Po akuza penale?! Po përkrahja pa kushte për SPAK?!
Të na rrojë partia e dobishme e Enkelejd Alibeajt!
Dikush edhe mund të presë që Enkelejd Alibeaj, si anti berishist i deklaruar, të distancohet nga këto qëndrime të bashkëthemeluesit Kulluri. Unë për vete i kam humbur shpresat.
PS: Në vitet 90, disa të persekutuar nga Berisha brenda PD po tentonin të formonin një parti të re. Për të vënë në dukje se Berisha po i devijonte vlerat fillestare të PD, ata menduan ta quanin partinë Partia e Idealeve të Dhjetorit. Pak para se ta shpallnin, një burrë i zgjuar u tha se akronimi dilte pak ters. Aksidenti u shmang in extremis.
ide
Trump dhe Europa!
Show me Beqajn në komisionin e "opozitës", si rrezik për politizimin e korrupsionit!
Më mirë vetëm se i keq shoqëruar!
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128