Rama me Berishën ta ndajnë kur ka ikur amerikani i fundit, se po u bë si ‘gjermani i fundit’, do kalben në burg!

28 Shkurt 2025, 15:16 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Rama me Berishën ta ndajnë kur ka ikur amerikani i fundit, se po u

Ndonëse kanë kaluar shumë vite dhe rrethanat dhe kohërat kanë ndryshuar, ende në politikën shqiptare vijon debati lidhur me datën e ikjes së gjermanit të fundit, në 28 apo 29 Nëntor.

Ky debat ‘historik’ është shpërfaqur ditët e fundit në një debat ‘politik’ mes Ramës dhe Berishës, mirëpo kësaj radhe jo për gjermanin, por për amerikanin e fundit.

Nëse deri më dje Berisha thoshte se nuk ka amerikan në SPAK, sepse i vetmi ‘amerikan’ që e kontrollon atë është Edi Rama, sot Rama thotë që amerikanët ikën dhe jam unë dhe PS-ja ata që e ‘mbrojnë’ Prokurorinë e Posaçme.

Nëse deri dje Berisha thoshte se ishin amerikanët e Sorosit që më goditën nëpërmjet SPAK-ut, tani thotë që do të ribëjë SPAK-un nga e para me amerikanët e tjerë, ndërsa, nga ana tjetër, Rama akuzon prokurorët e SPAK-ut dhe gjykatësit e GJKKO-së si ‘ushtar’ të Berishës.

Mirëpo, ndërkohë që Berisha dhe Rama zhvillojnë këtë ‘betejë epike’ për amerikanin e fundit, proceset e inceneratorëve, të Gërdecit, të CEZ-it etj. vijojnë.

Ndërkohë që ‘sivëllezërit’ e Ramës dhe të Berishës, që festuan me shampanjë fitoren e Trumpit në SHBA, vijojnë hallet e tyre me drejtësinë.

Në Bosnje, ‘binjaku’ i Berishës, u dënua nga gjykata, ndonëse kishte marrë avokat njeriun e Trumpit, ndërsa ai i Rumanisë, që zëvendësi i Presidentit të SHBA-ve e mbrojti në Gjermani, u arrestua dhe iu kapën edhe 10 milionë euro me pasaportën gati për në Moskë. Ndërkohë që ‘kushëriri i parë’ i Ramës, Gruewski, edhe pse me partinë e tij në pushtet, nuk po kthehet dot nga arratia ku ndodhet në arrati.

Në një kohë që Berisha dhe Rama zihen për amerikanin e fundit dhe ‘proamerikanët’ e flaktë të Ballkanit dënohen nga gjykata, Agaçi i Ramës është ‘sëmurë rëndë’ dhe nuk dihet se ku është, ndërsa pritet firmosja në GJKKO për telefonin e Ramës dhe masë për të gjithë zyrtarët e qeverisë, kurse një masë e dytë për Veliajn për inceneratorin është gati.

Në këtë panoramë shumëngjyrëshe, Gjykata e Lartë, nuk pranoi lirimin e Ilir Metës, edhe pse Rama dhe Berisha u investuan së bashku për të pasur një precedentë në këtë gjykatë për veten e tyre. Si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, Dumani do të shprehej se e kanë të kotë.

Tani pyetja që shtrohet është: ka ikur amerikani i fundit apo jo, dhe në çfarë date? Ta ndajnë sa më parë, se do t’i gjejë si puna me gjermanin e fundit, që kanë 34 vite e zihen.

Mirëpo, i bie që ndërsa bëjnë këto debate ‘konstruktive’, të kalben në burg e t’u hidhen çelësat në oqean, nga ku të vijojnë të qetë diskutimet për amerikanin e fundit./Alfapress.al

Po ndodh...